Aktivisti i njohur i Partisë Demokratike në Romë, Berti Çoku, ka njoftuar sot tërheqjen nga angazhimi i tij politik.
Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Çoku thekson se ky vendim vjen pas shumë vitesh kontributi në PD.
Çoku shprehet se kjo dorëheqjen është fundi i një kapitulli, të nisur prej konsideratës ndaj bindjeve politike dhe jo për ndonjë post politik.
Deklarata e plotë:
Pas shumë vitesh angazhimi, sakrifice dhe kontributi në Partinë Demokratike, kam marrë vendimin të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet dhe përgjegjësitë që mbaj në strukturat e saj.
Ky nuk është një vendim i marrë në nxitim. Është një vendim i menduar gjatë, sepse për mua Partia Demokratike nuk ka qenë kurrë një vend pune, një post apo një interes personal, por ka qenë një bindje politike dhe një pjesë e rëndësishme e jetës sime.
Gjatë këtyre viteve kam shërbyer në shumë role:
* Anëtar historik i Kryesisë së Degës 9.
* Sekretar për marrëdhëniet me qeverisjen vendore në Degën 9, Njësia Bashkiake 9.
* Kryetar i KZAZ në vitin 2009.
* Kryetar i KZAZ në vitin 2011.
* Nënkryetar i KZAZ në vitin 2013.
* Anëtar i KZAZ në vitin 2015.
* Kandidat për kryetar dege, ku humba me vetëm dy vota.
* Anëtar dhe sekretar në komisionet zgjedhore në zgjedhje të ndryshme vendore.
* Nënkryetar i Njësisë Bashkiake 9 në Tiranë, në një bashki të fituar nga Partia Demokratike.
* Koordinator i Partisë Demokratike në Lombardi.
* Anëtar aktual i Këshillit Kombëtar.
Përtej këtyre funksioneve, ka diçka që nuk shkruhet në asnjë CV: sakrifica, koha, puna dhe kontributi i dhënë ndër vite për Partinë Demokratike.
Kam qenë aty në ditë të mira, por sidomos në ditë të vështira. Kam punuar pa kërkuar gjithmonë shpërblim dhe kam besuar se një parti demokratike duhet të jetë mbi interesat personale të çdo individi.
Sot, me të njëjtin respekt me të cilin kam hyrë në këtë rrugëtim, vendos të largohem.
Nuk largohem sepse kam harruar bindjet e mia. Përkundrazi, largohem sepse bindjet e mia për demokracinë, respektin, meritokracinë dhe dinjitetin politik janë më të forta se çdo post apo funksion.
Falënderoj të gjithë ata demokratë me të cilët kam ndarë vite pune, sakrifice dhe besimi. Falënderoj çdo person që ka kontribuar në këtë rrugëtim dhe çdo qytetar që na ka dhënë besimin e tij.
Unë largohem nga funksionet, por nuk largohem nga dinjiteti im, nga parimet e mia dhe nga respekti për çdo demokrat që ka sakrifikuar për këtë forcë politike.
Koha do të tregojë se kush ka punuar për parimet dhe kush ka punuar vetëm për postet.
Ky është fundi i një kapitulli, por jo fundi i angazhimit tim për demokracinë, për shqiptarët, për Diasporen dhe për një të ardhme më të mirë./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

