Lajme Zone
Edhe diaspora kundër Ramës: Nuk duam të jemi vetëm një bankomat!
PolitikëPamfleti

Edhe diaspora kundër Ramës: Nuk duam të jemi vetëm një bankomat!

Protestat nisën më 26 maj në fshatin Zvërnec dhe u shkaktuan nga fillimi i punimeve paraprake për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, në lagunën e Nartës, një zonë e mbrojtur dhe pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan.

Foto ilustruese Diaspora shqiptare po kërkon të ketë një rol më të madh në zhvillimet e vendit, përtej mbështetjes financiare përmes remitancave. Protestat kundër qeverisë dhe projekteve të diskutueshme në zonat e mbrojtura kanë mobilizuar edhe komunitetet shqiptare jashtë vendit. “Nuk duam të konsiderohemi vetëm një bankomat apo numra. Duam të kemi peshë!”, thotë Amarilda Saliu, presidente e shoqatës kulturore shqiptare JONUS në Genova. E takova Amarildën në Casa di Quartiere të Certosës, në Genova. Takimi ynë i parë kishte ndodhur disa javë më parë, kur në Piazza Matteotti ndeshav rastësisht dhe fotografova protestën e komunitetit shqiptar në Genova, i cili nga larg kishte vendosur të mbështeste atë që në Shqipëri është pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove”.

Protestat nisën më 26 maj në fshatin Zvërnec dhe u shkaktuan nga fillimi i punimeve paraprake për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, në lagunën e Nartës, një zonë e mbrojtur dhe pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan.

Prej këtu vjen edhe emri “Revolucioni i Flamingove”, pasi në këtë zonë jetojnë shumë flamingo rozë. Projekti i resortit përfshin interesa të huaja dhe bujë të madhe shkaktoi zbulimi se pas fondit të investimit qëndron Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Investimi vlerësohet të arrijë në rreth 4-5 miliardë euro. Ai është autorizuar nga qeveria shqiptare, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, i cili në dhjetor 2025 i dha projektit statusin e “investimit strategjik”.

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë zyrtare ku i kërkon qeverisë shqiptare të shfuqizojë ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke vlerësuar se ato dobësojnë kontrollet mjedisore dhe kërcënojnë ekosisteme unike si laguna e Vjosë-Nartës.

Edhe Komisioni Evropian, në raportet e tij për përparimin e Shqipërisë, e ka paralajmëruar Tiranën se çrregullimi i mbrojtjes mjedisore bie ndesh me kërkesat e shtetit të së drejtës dhe standardet e BE-së për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, duke rrezikuar të ngadalësojë ose pengojë procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Mendoj se është e rëndësishme të nisim me pak histori personale. Na trego për origjinën tënde dhe si mbërrite në Itali?

Kam lindur në Martanesh, një fshat i vogël malor rreth një orë larg Tiranës. Detin e zbulova vetëm në moshën 10-vjeçare, kur në vitin 2000 u transferuam në Itali, pak pas ngjarjeve dramatike të vitit 1997. Babai im kishte ikur i pari.

Fillimisht gjeti punë në serat e Casertës dhe më pas u zhvendos në Genova, ku punoi në sektorin e ndërtimit. Sapo u bë e mundur, iu bashkuam unë dhe nëna ime. Është historia klasike e diasporës shqiptare të atij brezi: babai hap rrugën dhe, pasi stabilizohet, familja bashkohet me të.

Çfarë kujton nga vitet e tranzicionit pas komunizmit në Shqipëri?

I kujtoj të gjitha shumë qartë. Vinim nga një diktaturë komuniste jashtëzakonisht represive, ajo e Enver Hoxhës, një regjim totalitar që e çoi vendin në varfëri ekstreme dhe izolim. Kur regjimi ra, ekzistonte iluzioni se liria do të sillte menjëherë mirëqenie.

Por në vend të saj erdhi kaosi. Ne e kishim mësuar ta shihnim Italinë dhe Perëndimin si parajsë, duke kapur sinjalin e Rai 1 dhe duke ndjekur Festivalin e Sanremos. Prisnim mirëqenien, por tranzicioni nuk shkoi siç e kishim imagjinuar.

Duke mos pasur pa asnjë njohuri për edukimin financiar dhe tregun e lirë, popullata u përfshi nga iluzioni i fitimit të shpejtë. Në vitet 1992-1993 u krijuan disa kompani investimi që funksiononin sipas skemës klasike piramidale.

Këto kompani premtonin norma interesi absurde dhe jorealiste, që arrinin deri në 100 apo edhe 300 për qind në muaj. Investitorët e parë paguheshin me paratë e klientëve të rinj që hynin në skemë dhe më pas flluska shpërtheu. Paratë humbën dhe askush nuk mund t'i rikthente. Zhgënjimi ishte i madh.

Mbaj mend se njerëzit, burra nga 15-50 vjeç, nisën të plaçkisnin depot dhe magazinat ushtarake të armëve. U krijuan banda dhe mbizotëronte ligji i më të fortit. Shkollat u mbyllën dhe në shtëpi flinim në korridor, i vetmi vend pa dritare, për t'u mbrojtur nga plumbat qorr. Ishte kjo dëshpërim që shtyu mijëra njerëz drejt anijeve, siç ndodhi me të famshmen “Vlora”: kërkohej vetëm një rrugë shpëtimi drejt Italisë.

Sot flitet për gjeneratën e dytë dhe të tretë. Në çfarë pike ndodhet komuniteti shqiptar?

Mendoj se faza e integrimit është kapërcyer me sukses nga prindërit tanë. Sot ndodhemi në një udhëkryq: rrezikojmë asimilimin total ose mund të zgjedhim të jemi aktivë në territor, duke ruajtur rrënjët, traditat dhe gjuhën tonë.

Shqipja është një gjuhë e lashtë, joindoevropiane, me një degë të veçantë. Humbja e saj do të ishte një mëkat, sidomos duke pasur parasysh se sot ka më shumë shqiptarë në diasporë, rreth 5 milionë, sesa në shtetin e origjinës, rreth 2 milionë.

Si lindi ideja për të krijuar një shoqatë në Genova dhe pse e quajtët JONUS?

Ideja lindi gjatë Erasmusit tim në Alicante, ku pashë se si qyteti i jepte vlerë zakoneve dhe traditave të veta përmes festës së Las Hogueras. Mendova: “Edhe ne kemi një pasuri të jashtëzakonshme, pse të mos e tregojmë?”.

Pak më vonë u takova me rrjetin e Illyrian Brains, një rrjet profesionistësh të rinj shqiptarë. Duke marrë pjesë në këto aktivitete mes Milanos dhe Gjenovës, pata mundësinë të diskutoj me vajza të tjera shqiptare dhe kuptuam se ekzistonte vullneti për të realizuar një projekt që i reziston kohës. Kështu lindi Jonus.

Qëllimi është të ofrojmë një hapësirë ku më të vegjlit të mos turpërohen të flasin gjuhën e tyre amtare, por ta jetojnë atë si një pasuri kulturore të integruar me identitetin e tyre italian. Brenda vetëm një viti kemi arritur mbi 80 anëtarë.

Shqipëria sot paraqitet si një destinacion turistik në ekspansion të madh. Cila është realiteti prapa kësaj fasade?

Në mandatin e tij të katërt rresht, kKryeministri Edi Rama ka qenë i shkathët në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke projektuar imazhin e një vendi modern, dinamik dhe turistik. Por ekziston edhe ana tjetër e medaljes.

Betonizimi agresiv nuk përkon me një rritje reale të pagave apo të mirëqenies së përgjithshme. Paga bazë sillet rreth 400-500 eurove në muaj, përballë një kostoje jetese të krahasueshme me atë italiane.

Si funksionojnë shërbimet publike si shëndetësia dhe arsimi?

Spitalet dhe universitetet shtetërore janë në kolaps. Që nga vitet 2000 ka patur investime të mëdha private të huaja që kanë hapur klinika dhe universitete private. Kjo ka thithur burimet, kërkimin shkencor dhe mjekët më të mirë drejt sektorit privat.

Kush ka mundësi financiare jeton shumë mirë, por shumica e popullsisë - punëtorë, muratorë, kamarierë, punonjës të call center-ave, mbetet e përjashtuar nga kjo mirëqenie. Për më tepër, mbeten të forta logjikat klienteliste të trashëguara nga e kaluara: pa “sekserë” apo mbështetje, për të rinjtë me aftësi është jashtëzakonisht e vështirë të ecin përpara.

Në këtë kuadër futen edhe protestat e fundit në Tiranë dhe në bregdet. Çfarë e nxiti këtë mobilizim?

Inati që shpërtheu në sheshe, nuk ka të bëjë vetëm me projektet e mëdha turistike në zonat e mbrojtura apo investimet spekulative si ai i resortit të lidhur me dhëndrin e Trump. Ajo ishte vetëm pika që derdhi gotën e mbushur plot nga zhgënjimi me korrupsionin.

Pensionet në Shqipëri janë rreth 100 euro dhe shërbimet minimale. Kur komuniteteve lokale iu rrethuan plazhet apo iu shpronësuan pronat pa transparencë e pa konsulencë publike, duke shkelur edhe mbrojtjen që garantonte ligji për zonat e mbrojtura , pati një zgjim popullor.

A ka ndonjë episod simbolik që e shënoi këtë protestë?

Po, momenti kur një vajzë, Brunela Mërtiri, përballë rrethimeve dhe mjeteve të ndërtimit bërtiti gjithë vuajtjen e një populli duke thënë: “Mjaft, po ju marrin edhe shtëpinë, çfarë prisni që të zgjoheni?”. Ajo video dhe imazhet e banorëve që tërhiqeshin zvarrë nga forcat e rendit, shkaktuan një reaksion zinxhir. Sheshet mbushen prej më shumë se 70 netësh me radhë.

Cili është roli i diasporës shqiptare në këtë moment historik?

Diaspora e mbështet ekonomikisht Shqipërinë përmes dërgesave financiare (remitancave). Por po të ndërpriteshin këto flukse parash, ekonomia kombëtare do të rrezikonte kolapsin. Por ne nuk duam të konsiderohemi thjesht si një bankomat apo si numra. Ne duam të kemi peshë.

Për këtë arsye diaspora është mobilizuar në shumë qytete italiane, Gjenovë, Milano, Torino, Bolonjë, Firence, Romë - si dhe në pjesën tjetër të botës me letra të hapura dhe manifestime. Kërkojmë transparencë, respektim të rregullave demokratike dhe mbrojtjen e pasurisë tonë natyrore e kulturore./ Përshtati "Pamfleti", nga “Meltingpot.org”edi rama diaspora 1 Komente G Glaukias 14 Gusht 2026, 17:54 Kjo nga Genoa i di të gjitha se çfarë bëhet në Shqipëri... si funksionon arsimi dhe shëndetësia, sa janë investuar, cilat janë shërbimet minimale dhe po na mban dhe me bukë se mos të ishte kjo me ata 80 anëtarët e shoqatës kulturore në Genoa, do kalonim në kolaps ne... Lum si ne që të paskemi o vajzë. Rrofsh që na hape sytë e po na tregon betonin dhe plazhet ti se ne qorra jemi këtej. Një pyetje : Shqipëria ka qenë edhe shumë me keq se kaq, pse u kujtuat tani ju diasporsa ??? Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Vrasja që tronditi Tiranën, Prokuroria rihap dosjen e Kozeta Hysenit 14 Gusht 2026, 16:1416:14Aktualitet SPAK kërkon 40 hetues të rinj për BKH-në, kandidatët në “sitë”; test fizik, poligraf dhe kontroll pasurie 14 Gusht 2026, 16:0616:06Aktualitet "Rozafa Tower" ngrihet në pronë publike, ish-deputeti Gurakuqi akuza IKMT: Po ndërtohet mbi një kanal historik, po shkelni ligjin 14 Gusht 2026, 14:1714:17Aktualitet Reforma territoriale/ Selenica kundër bashkimit me Vlorën, Këshilli Bashkiak del me qëndrim të unifikuar 14 Gusht 2026, 13:5013:50Aktualitet Zjarri del jashtë kontrollit në Lurë, dy avionë në terren për izolimin e flakëve 14 Gusht 2026, 12:3312:33Aktualitet 14 vatra aktive zjarri në vend, situata më problematike në periferinë e Tiranës dhe Lurë 14 Gusht 2026, 10:1410:14Aktualitet