Lajme Zone
Frensis Fukujama: pse jemi më mirë se paraardhësit tanë
PolitikëSyri

Frensis Fukujama: pse jemi më mirë se paraardhësit tanë

Nga Jonny Thomson – Big Think/

Nga Jonny Thomson – Big Think/ Në vitin 1675, Madame de Sévigné i shkroi një letër së bijës për një muzikant që ishte “thyer në rrotë”. Kjo nënkuptonte lidhjen e tij në një kryq në formë X-je, ku xhelati i thyente sistematikisht kockat e viktimës, duke e lënë të vdiste ngadalë nga humbja e gjakut ose dehidratimi. Dhe pastaj, vetëm pak rreshta më poshtë, ajo flet për fqinjën e saj, Madame de Tarente, që po shijonte pyllin në një mot magjepsës.Lexo edhe:PAK letër Ramës e Ministrave: Po na vështirësohet jetesa, po diskriminohemi kudo Në vitin 1849, Charles Dickens tregoi se si kishte parë mijëra njerëz të mbledhur në Southwark për të parë varjen e një burri dhe gruas së tij. Dhe turma nisi të këndonte një këngë. Ata kënduan një këngë të njohur, “Oh! Susanna”, dhe i zëvendësuan fjalët me emrat e të dënuarve. Si një turmë në një stadium futbolli, e dehur nga birra dhe nga ndikimi i turmës, të gjithë e kthyen varjen në një lloj spektakli. Sa shumë qeshnin. Thomas Thistlewood ishte mbikëqyrës dhe më pas pronar plantacionesh në Xhamajkë midis viteve 1750 dhe 1786. Ditari i tij, me më shumë se 14000 faqe, dokumenton torturat ndaj njerëzve që kishte skllavëruar dhe sulmet e tij seksuale ndaj më shumë se 100 grave. Krahas tyre gjenden 34 vjet shënime mbi motin dhe shënime për një nga kopshtet më të bukura në Xhamajkën perëndimore. Këtë javë intervistova Frensis Fukujamën për librin e tij të ri, In the Realmof the Last Man. Sipas Fukujamës, histori të tilla na tregojnë se po bëjmë përparim si shoqëri. Ato tregojnë se po bëhemi më të mirë. Por çfarë po ndodh saktësisht? Nën nivelin e dhembshurisë Është kënaqësi e rrallë që dy të ftuar të rubrikës Mini Philosophy të mos bien dakord me njëri-tjetrin brenda të njëjtit muaj. Ah, sikur të mund t’i kishim përballë njëri-tjetrit. Para disa javësh shpjegova teorinë e JohnGray-t, sipas së cilës ne nuk bëjmë kurrë përparim në etikë dhe politikë, sepse çdo përparim që arrijmë është jetëshkurtër dhe mund të zhbëhet përgjithmonë. Teknologjia dhe shkenca grumbullohen përgjatë mijëvjeçarëve. Por etika? Epo, ne nuk jemi më pak brutalë nga sa kemi qenë ndonjëherë. Mjafton një erë e fortë që të na shtyjë sërish drejt së keqes. Fukujama nuk është dakord. Ai argumenton se, nëse kthehemi te historitë e Madame de Sévigné, varja në Southwark dhe Thomas Thistlewood, shohim shoqëri që janë ose të ftohta në mënyrë mizore, ose krejtësisht brutale. Këto janë shoqëri që e kanë normalizuar dhunën dhe janë bërë të pandjeshme ndaj dëshmimit ose shkaktimit të torturave ndaj të tjerëve. De Sévigné e trajton torturën e muzikantit si thjesht një tjetër ngjarje për t’u përmendur. Turma në Southwark kënaqet me vuajtjet e njerëzve që i konsideron se e meritojnë. Thistlewood nuk ka aspak skrupuj të pranojë atë që po bën, sepse në botën e tij dhe mes njerëzve të tij kjo nuk është aspak diçka e pazakontë. Me fjalë të tjera, këto shoqëri i kishin zhvlerësuar disa pjesëtarë të shoqërisë. I kishin çnjerëzuar. Të varfrit, kriminelët, të huajt, këto grupe konsideroheshin nën nivelin e dhembshurisë. Ata nuk konsideroheshin më subjekte morale. Të gjithë vuajnë, të gjithë kanë rëndësi Pikërisht këtu qëndron argumenti i Fukujamës: kjo nuk është më norma. Sigurisht, njerëzit vazhdojnë të sillen tmerrësisht me njëri-tjetrin. Mjaftojnë vetëm pesë minuta në aplikacionin tuaj të preferuar të lajmeve për ta parë këtë. Sigurisht, të gjithë sillemi keq me njerëzit në punë, në rrugë ose në shtëpitë tona herë pas here. Kjo është pjesë e të qenit njeri. Por thelbi është se norma sot është universalizmi. Shumica e njerëzve, në pjesën më të madhe të botës, mendojnë se qeniet e tjera njerëzore meritojnë të paktën njëfarë konsiderate morale. 73% e njerëzve mendojnë se të drejtat e njeriut ekzistojnë. Shumica e vendeve të botës e kanë hequr dënimin me vdekje. Katër në pesë njerëz mendojnë se tortura është e gabuar, pavarësisht rrethanave. Sot, pranohet gjerësisht se askush nuk është pa vlerë. Dhe, për Fukujamën, ky është përparim. Po kundërshtimi fillestar i Gray-t? Po ideja se edhe kjo gjendje është vazhdimisht e pasigurt, se jemi vetëm një katastrofë larg një distopie të tipit Mad Max? “Epo, po, sigurisht”, thotë Fukujama. “Kjo kuptohet vetvetiu.” Por argumenti i tij lidhet me perspektivën afatgjatë. Nuk bëhet fjalë për një grafik që ngjitet drejt e lart pa ndërprerje. Është një trajektore me ngritje të mëdha dhe rënie katastrofike. Kalimi nga koha e de Sévigné-së dhe Thistlewood-it deri te dita e sotme është shoqëruar nga dy luftëra botërore, gjenocidi dhe prania e vazhdueshme e krimit të dhunshëm. Por, sipas Fukujamës, bota del gjithsesi disi më e mirë se ç’ishte 50 apo 100 vjet më parë. Duaje të afërmin tënd I bëra Fukujamës një pyetje të zakonshme rreth universalizmit ose kozmopolitizmit global: A do të thotë kjo se kemi të njëjtën përgjegjësi ndaj mijëra njerëzve që jetojnë mijëra kilometra larg nesh, sa ndaj atyre që jetojnë pranë nesh? Fukujama mendon se jo. Së pari, kjo është psikologjikisht e pamundur. Ne lidhemi dhe dashurojmë ata njerëz që i shohim rregullisht. Kujdesemi për ata që ndihmojmë dhe që na ndihmojnë në këmbim. Komunitetet dhe marrëdhëniet krijohen përmes veprimeve reale, të përjetuara. T’i kërkosh dikujt t’i lërë mënjanë këto ndjenja ose besnikëri në interes të një emri apo numri anonim e të largët është njësoj si t’i kërkosh një prindi të mos e dojë fëmijën e vet. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, kjo është e padëshirueshme politikisht. “Shteti-komb është një strukturë e domosdoshme politike”, thotë Fukuyama. “Ai u jep mundësi forcave policore dhe ushtrive të mbrojnë komunitetin, dhe këto forma pushteti duhet të jenë të kufizuara territorialisht. Nëse ke një forcë policore që mund të arrestojë këdo, kudo në botë, për një krim që ti e konsideron krim, do të jetosh në një botë shumë, shumë kaotike.” Me fjalë të tjera, na duhet juridiksioni. Na duhet një kufi politik funksional që mund ta mbrojmë dhe brenda të cilit mund të zbatojmë ligjet që shoqëria kërkon. Krijimi i një ligji universal ose i një përgjegjësie universale minon njësinë më funksionale të qeverisjes që kemi: shtetin-komb. Pra, ndoshta Gray ka të drejtë se përparimi është i kufizuar, ose të paktën shumë i vështirë, në sferën politike, sepse, siç pranon edhe Fukujama, shteti-komb dhe interesat kombëtare janë thjesht mënyra më praktike për të qeverisur botën. Kjo nënkupton juridiksion dhe politika që mund të zbatohen, por nënkupton gjithashtu rivalitet, konkurrencë dhe, ndoshta, luftë. Por ndoshta Fukujama ka të drejtë kur argumenton se përparimi moral është i mundur. Kalimi nga ideja “disa njerëz kanë rëndësi” te ideja “të gjithë njerëzit kanë rëndësi” është një hap i rëndësishëm. Dhe edhe nëse ky hap ecën herë përpara e herë prapa, ai mbetet gjithsesi një prirje e dukshme drejt përparimit. Pak njerëz me të cilët flisni do të thonë se qeniet e tjera njerëzore nuk kanë rëndësi. Pak njerëz do të shkruanin ditarë për abuzimin me njerëzit e tjerë.