Përballë protestave në gjimnaze dhe zgjerimit të tyre edhe në universitete, kryeministri Sébastien Lecornu ka thirrur urgjentisht një mbledhje ndërministrore krize, pas incidenteve dhe përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit. Nxënësit e gjimnazeve kanë bllokuar hyrjen në klasa për të kërkuar zëvendësimin e mësuesve që mungojnë, klasa më pak të mbipopulluara dhe kushte më të mira infrastrukturore. Mbi 300 institucione arsimore janë përfshirë në të gjithë Francën, nga Parisi në Marsejë. Në Nantes, salla hyrëse e gjimnazit ‘Nelson Mandela’ u shkatërrua nga një zjarr, i cili u përhap edhe në fasadë, përpara se të vihej nën kontroll nga zjarrfikësit. Protestat në shkollat franceze vazhdojnë. LEXO edhe...Po marshonin drejt Policisë së Tiranës dhe bllokuan rrugën, protestuesit përplasen me Policinë (VIDEO) Rajoni Provence-Alpe-Bregdeti i Azurit ka denoncuar se në gjimnazin 'Victor Hugo' në Marsejë, “drejtori, nëndrejtori, sekretarja e përgjithshme dhe përgjegjësi i ekipit janë sulmuar dhe u është hedhur benzinë”. Sipas informacioneve të dhëna nga rajoni, “kjo përpjekje për zjarrvënie ndodhi brenda institucionit, duke shkaktuar kaos përpara gjimnazit”. “I gjithë personeli u strehua brenda për të qenë i sigurt, ndërsa policia dhe zjarrfikësit ndërhynë në vendngjarje. Përgjegjësit e institucionit do të bëjnë kallëzim”, shtoi administrata, duke e cilësuar situatën si një tejkalim të një kufiri “të papranueshëm”. Dje pasdite, numri i personave të ndaluar kishte arritur në 1763, 90% e të cilëve ishin të mitur. Gjithashtu, janë plagosur 83 policë dhe xhandarë. Që nga fillimi i bllokadave, në fillim të javës, 119 nxënës dhe punonjës të shkollave kanë mbetur të plagosur. IGPN-ja, e ashtuquajtura “policia e policisë”, ka hapur tre hetime për veprimet e efektivëve që kanë plagosur rëndë disa të rinj që protestonin. Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, mbron veprimet e efektivëve, duke folur për “proporcionalitet”, por, siç ndodh tashmë shpesh gjatë protestave në Francë (nga protestat e “jelekverdhëve”, te reforma e pensioneve, protestat e 1 Majit dhe demonstratat studentore), janë regjistruar shumë raste të teprimit. Nga njëra anë, protestuesit paqësorë, që përbëjnë shumicën, lihen në hije nga veprimet e personave të dhunshëm, ndonjëherë të jashtëm ndaj gjimnazeve, të cilët kryejnë zjarrvënie dhe akte vandalizmi ndaj objekteve shkollore, pikërisht gjatë protestave që kërkojnë përmirësimin e infrastrukturës. Nga ana tjetër, disa policë janë filmuar ndërsa duket se shkelin rregullat e ndërhyrjes: ose duke goditur të rinjtë me shkopinj policorë kur nuk duket se ishte e nevojshme, ose duke qëlluar në lartësinë e trupit dhe nga distanca e afërt me granata gazlotsjellëse apo plumba gome, të aftë për të shkaktuar plagosje të rënda. Në Tours, në veçanti, një i ri u plagos rëndë në kokë dhe u dërgua me urgjencë në spital. Kjo situatë shumë e vështirë ndërlikohet edhe më tej sepse po përdoret politikisht nga forcat politike, në kulmin e fushatës elektorale për presidencën (zgjedhjet zhvillohen pranverën e ardhshme). Kreu i France Insoumise, Jean-Luc Mélenchon, akuzon qeverinë dhe policinë se po i shtypin protestat me ashpërsi të veçantë në periferitë e qyteteve, shpreh mbështetjen e tij të plotë për të rinjtë dhe u bën thirrje aktivistëve dhe drejtuesve politikë të dalin në rrugë për të qëndruar mes nxënësve të gjimnazeve dhe forcave të rendit. Kryetari i bashkisë së Saint-Denis, Bally Bagayoko, nga France Insoumise, doli në rrugë mes të rinjve dhe shprehu solidaritetin e tij me protestuesit, duke kënduar dhe vallëzuar me ta, si dhe duke mbrojtur edhe veprimet e dhunshme si përgjigje ndaj metodave të policisë: “Reagimi i dhunshëm mund të jetë legjitim ose i kuptueshëm përballë veprimeve të forcave të rendit”. Për këtë arsye, prefekti e referoi për “nxitje për kryerjen e veprave penale”. E djathta dhe, në veçanti, kandidatja presidenciale Marine Le Pen, kërkon rikthimin e rendit, duke sulmuar Mélenchon-in, i cili, sipas saj, “mban një përgjegjësi të madhe për situatën në të cilën ndodhet sot vendi ynë”. Ajo e kritikon se ka shkuar “përpara shkollave të mesme për të nxitur të rinjtë”, duke u bërë thirrje “militantëve të tij për kryengritje” dhe duke dërguar “deputetët e tij përpara institucioneve arsimore”. Qeveria, e cila sot paraqet një projektligj të vështirë për buxhetin, ndërsa përballet me një situatë katastrofike të financave publike, druhet se protestat e nxënësve të gjimnazeve mund të përhapen, përveç universiteteve, edhe në shtresa të tjera të shoqërisë, në një kontekst të rritjes së çmimit të karburanteve dhe të fuqisë blerëse gjithnjë e më të ulët të shtresave të mesme dhe popullore. P.J/ReportTv.al france Paris Marsejë proteste gjimnaze Komento Komente Sondazhi i ditës: Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale? Po 70.7% Jo 24% Jam i/e dyzyuar 5.3% Vota total: 2432 Sondazhi i ditës: Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale?

