Një zbulim i jashtëzakonshëm është bërë gjatë punimeve të rinovimit të një ndërtese në Saint-Gilles-lez-Termonde, në Flandrën Lindore të Belgjikës, ku punëtorët gjetën një sasi të madhe ari të fshehur në një mur. Ngjarja ndodhi të hënën, më 10 gusht, teksa punëtorët po instalonin tuba në bodrumin e ndërtesës. Gjatë punimeve, ata zbuluan një kuti të fshehur brenda murit. Kur e hapën, gjetën copëza ari, monedha dhe shufra të numeruara. Sipas një vlerësimi fillestar të cituar nga mediat belge, vlera e thesarit mund të arrijë në rreth 9 milionë euro. Ndërtesa është në pronësi të CAW East Flanders dhe aktualisht po i nënshtrohet një rinovimi të plotë për t’u shndërruar, ndër të tjera, në studio dhe ambiente zyrash. Kontraktori njoftoi menjëherë pronarin e godinës dhe më pas policinë. Kreu i policisë lokale, Patrick Face, konfirmoi gjetjen e një sasie të konsiderueshme ari. Kush e fshehu arin?
Tashmë autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar origjinën e arit dhe pronarin e tij. Një nga pistat kryesore është nëse thesari mund të lidhet me ndonjë aktivitet kriminal në të kaluarën.
Nëse kjo mundësi përjashtohet, hetuesit do të përpiqen të identifikojnë pronarin ligjor ose trashëgimtarët e tij. Procesi mund të zgjasë edhe disa vite, sipas përfaqësuesve të organizatës që zotëron ndërtesën.
Ari është dorëzuar te autoritetet kompetente në Bruksel, ku po mbahet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa vijon hetimi për një nga zbulimet më të pazakonta të bëra gjatë një punimi rinovues në Belgjikë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: belgjike

