Vinicius Junior ka habitur tifozët, pasi ka fshirë të gjitha postimet nga llogaria e tij zyrtare në Instagram, vetëm pak orë pas një takimi vendimtar me drejtuesit e Real Madridit për rinovimin e kontratës. Veprimi i sulmuesit brazilian ka nxitur menjëherë spekulime në rrjetet sociale, me shumë tifozë që e kanë lidhur këtë lëvizje me një njoftim të afërt për të ardhmen e tij. Sipas gazetarit Matteo Moretto, takimi mes përfaqësuesve të Viniciusit dhe drejtuesve të klubit madrilen ka qenë pozitiv dhe palët janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për rinovimin e kontratës.
Raportohet se bisedimet kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të bëhet në orët ose ditët në vijim.
Fshirja e të gjitha postimeve nga Instagrami është interpretuar nga tifozët si një sinjal se 25-vjeçari po përgatitet për një njoftim të rëndësishëm, megjithëse deri tani as lojtari dhe as Real Madridi nuk kanë reaguar zyrtarisht për këtë veprim.
Vinicius mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës madrilene dhe rinovimi i kontratës së tij konsiderohet një nga prioritetet kryesore të klubit për këtë verë. Top Channel

