Lajme Zone
Shtatë vatra zjarri aktive në vend, situatë problematike në Riban dhe Ngraçan të Mallakastrës, vijon beteja me flakët në disa zona
Të tjeraTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Shtatë vatra zjarri aktive në vend, situatë problematike në Riban dhe Ngraçan të Mallakastrës, vijon beteja me flakët në disa zona

Situata e zjarreve në vend vijon të jetë nën monitorim, ndërsa gjatë 10 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive.

Situata e zjarreve në vend vijon të jetë nën monitorim, ndërsa gjatë 10 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat aktive janë në zonat Riban dhe Ngraçan në bashkinë Mallakastër, Dajt, Shqiponjë, malin e Dardhës dhe Mjekës në qarkun e Elbasanit, si dhe në zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës në bashkitë Libohovë dhe Dropull.

Situata më problematike paraqitet në fshatrat Riban dhe Ngraçan të Mallakastrës, ku zjarri ka marrë përmasa dhe po punohet për të penguar përhapjen drejt zonave të banuara.

Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, 35 forca bashkiake, 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Ndërkohë, në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin e forcave të MZSH-së, Administratës së Zonave të Mbrojtura, 50 efektivëve të FA-së dhe një helikopteri të Forcës Ajrore. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun e Elbasanit vijojnë ndërhyrjet në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Zjarret në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për banorët.

Në zonën malore ndërmjet Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, zjarri ka kaluar në majën e malit dhe ka rritur intensitetin brenda një zone të mbrojtur, por pa paraqitur rrezik për zonat e banuara.

Në Penkovë të bashkisë Selenicë zjarri është shuar plotësisht, pasi preku rreth 2 hektarë pyll me pisha dhe 40 automjete të braktisura. Në Gumenicë vijon puna për shuarjen e një vatre me shkurre, ndërsa në Vërzhezhë të Skraparit situata është vendosur nën kontroll.

Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, një helikopter dhe një avion “Air Tractor”.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e territorit dhe koordinimin e ndërhyrjeve për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive. Top Channel