Lajme Zone
FOTO/ Brenda kështjellës luksoze të Ermal Beqirit në Francë, prona që u zbulua nga SPAK
PolitikëPolitiko
Ky artikull është pjesë e një historie me 8 burime — Krahaso mbulimin →

FOTO/ Brenda kështjellës luksoze të Ermal Beqirit në Francë, prona që u zbulua nga SPAK

Një kështjellë historike në Francë, me vlerë mbi 2.6 milionë euro, është një nga pasuritë e identifikuara nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve ndaj biznesmenit Ermal Beqiri, i arrestuar më 24 korrik pas incidentit me avion mbi zonën e kufizuar të centralit bërthamor të Penly. Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK dhe regjistrave francezë të pronësisë, bëhet fjalë për Château d’Auteui

Një kështjellë historike në Francë, me vlerë mbi 2.6 milionë euro, është një nga pasuritë e identifikuara nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve ndaj biznesmenit Ermal Beqiri, i arrestuar më 24 korrik pas incidentit me avion mbi zonën e kufizuar të centralit bërthamor të Penly. Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK dhe regjistrave francezë të pronësisë, bëhet fjalë për Château d’Auteuil, një rezidencë shekullore në komunën Berneuil-en-Bray, në departamentin Oise, rreth një orë larg Parisit. Kështjella, e ndërtuar në shekullin XVI, shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 1.200 metrash katrorë dhe përfshin një kompleks të rrethuar nga park, ndërsa elementët arkitekturorë të saj, përfshirë fasadat dhe çatitë, janë të mbrojtura si monument historik nga autoritetet franceze. Sipas dokumenteve zyrtare, prona është blerë më 30 dhjetor 2024 për shumën 2.612.200 euro, një vlerë që përputhet me shifrën e referuar nga SPAK në njoftimin për pasuritë e identifikuara gjatë hetimit. Prokuroria e Posaçme bëri me dije se, në bashkëpunim me autoritetet franceze, janë zbuluar disa asete që dyshohet se kanë origjinë kriminale. Në listën e pasurive përfshihen llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, automjete, një avion turistik dhe kështjella luksoze në Francë.

Beqiri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej dhjetorit 2025, pasi Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” dhe autoritetet shqiptare kishin kërkuar aktivizimin e procedurës së Red Notice përmes Interpolit.

Biznesmeni, i cili zotëron kompaninë “Soft & Solution”, është nën hetim nga SPAK për një dosje që lidhet me tendera publikë me vlerë mbi 1.1 milionë euro. Prokuroria dyshon se procedurat janë manipuluar përmes një skeme presioni ndaj subjekteve pjesëmarrëse në garat publike.

Ndaj Beqirit rëndojnë akuza për konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK ka vendosur masa sigurie dhe ka sekuestruar pasuri të tjera të biznesmenit në Shqipëri, mes tyre prona në Tiranë, Vlorë, Golem dhe Rolling Hills, një jaht, automjete, llogari bankare dhe subjekte tregtare.

Hetimi lidhet me dosjen e tenderave të AKSHI-t, ku nën hetim janë edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirilinda Karçanaj, biznesmeni Ergys Agasi dhe persona të tjerë, për akuza që përfshijnë korrupsion, manipulim tenderash, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm