Modelja e njohur Bella Hadid duket se ka vendosur t’i japë fund misterit rreth jetës së saj sentimentale. Ajo ka publikuar në Instagram disa fotografi të afërta me Nathan Lacy, duke nxitur reagime të shumta dhe duke i dhënë një tjetër drejtim aludimeve për romancën e tyre.
Fotografitë janë realizuar më 7 nëntor, gjatë një ndeshjeje të ekipit të hokejit Colorado Avalanche në Denver. Në njërën prej tyre, Lacy shihet me krahun rreth shpatullave të modeles, ndërsa në një tjetër ai e puth në faqe. Çifti shfaqet duke u përqafuar dhe duke shkëmbyer momente të afërta në tribunat e stadiumit.
Por krahas romancës së përfolur, vëmendje mori edhe ndryshimi në pamjen e Bella Hadid. Modelja është shfaqur me flokë bionde platin, një transformim që e bën të duket ndryshe nga imazhi me të cilin jemi mësuar ta shohim. Ende nuk dihet nëse ajo ka ndryshuar përfundimisht ngjyrën e flokëve apo ka përdorur paruke.
Në fotografitë e publikuara, Bella shfaqet edhe duke shijuar një hot-dog dhe duke kaluar kohë me miqtë. Ndeshja ishte pjesë e fushatës “Hockey Fights Cancer”, e cila synon të mbledhë fonde për kërkimet shkencore kundër kancerit dhe të mbështesë familjet e prekura nga sëmundja.
Kush është Nathan Lacy?
Nathan Lacy është nga Kolorado dhe punon në kompaninë e ndërtimit të familjes së tij, e cila operon në zonën e Crested Butte. Ai është gjithashtu vëllai i Rachael Lacy, një prej mikeshave të afërta të modeles.
Dyshimet për një lidhje mes tyre nisën që në shkurt të këtij viti, kur u panë së bashku gjatë Javës së Modës në Milano. Megjithatë, në muajin korrik, një burim pranë modeles kishte mohuar se ata ishin çift dhe kishte deklaruar se ishin vetëm miq.
Fotografitë e fundit, ku shfaqen duke u përqafuar dhe duke shkëmbyer puthje, kanë bërë që mediat ndërkombëtare ta konsiderojnë këtë si daljen e tyre publike në çift.
Bella Hadid ka qenë më parë në një lidhje me sportistin e garave me kuaj Adan Banuelos, me të cilin u nda në fillim të vitit 2026, pas rreth dy vitesh së bashku.

