Frika dhe paniku kanë pushtuar mbrëmjen e djeshme në Himarë, pasi flakët u përhapën me shpejtësi dhe iu afruan zonave të banuara. Situata u përshkallëzua brenda pak minutash, duke detyruar banorët të largoheshin nga banesat për sigurinë e tyre.
Një prej banoreve tregon se gjithçka ndodhi shumë shpejt. Sipas saj, zjarri zbriti nga pjesa e sipërme e zonës dhe, në pak minuta, u afrua pranë shtëpive.
“Erdhi zjarri nga lart, pak nga pak. Erdhën policët dhe na nxorën nga banesa. Zjarri ka ardhur për 10 minuta”, rrëfen ajo.
Banorja thotë se flakët nuk kursyen as banesat, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Disa prej shtëpive, sipas saj, ishin të banuara në momentin kur zjarri u përhap.
“Shtëpi janë djegur, ishin shtëpi të banuara. Është përvëluar çdo gjë. Policia na dha ndihmën e parë dhe na ndihmuan”, tregon qytetarja.
Edhe një tjetër banor e përshkruan situatën e përjetuar gjatë natës me vetëm pak fjalë, por që pasqyrojnë shkallën e frikës së shkaktuar nga flakët.
“Situata mbrëmë ishte tmerr”, shprehet ai.
Ndërkohë, zjarri në Himarë vijon të mbetet në fokusin e autoriteteve. Prej mëngjesit të sotëm, operacioni për shuarjen e vatrave aktive është përforcuar edhe nga ajri, me helikopterë që po ndërhyjnë duke hedhur ujë mbi zonat e prekura.
Në terren vijojnë operacionet e forcave zjarrfikëse dhe të Forcave të Armatosura, në përpjekje për të vënë nën kontroll situatën dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

