Një nga momentet më prekëse të ditës së 43-të të protestës qytetare në Tiranë ishte fjalimi i një emigranteje shqiptare nga Belgjika, e cila u ngjit në podium për të ndarë historinë e saj dhe arsyet pse vendosi t'i bashkohej protestës.
Olsa, e cila jeton prej 27 vitesh në Belgjikë, tregoi se u largua nga Shqipëria kur ishte vetëm 10 vjeçe, por këtë herë kishte vendosur të kthehej për të protestuar së bashku me bashkëqytetarët.
"Unë jam Olsa dhe jetoj prej 27 vitesh në Belgjikë. Kam ikur 10 vjeçe nga Shqipëria, por sot jam këtu, bashkë me djalin tim, për të protestuar. Që nga dita e parë kam qenë me ju virtualisht, por sot është një emocion i papërshkrueshëm të jem këtu mes jush", u shpreh ajo.
Në fjalimin e saj, emigrantja tha se ishte kthyer në protestë edhe për gjyshërit e saj, të cilëve, sipas saj, nuk arriti t'u jepte lamtumirën e fundit.
"Jam këtu për gjyshërit e mi, që nuk arrita t'u hedh një grusht dhe kur vdiqën. Jam këtu sepse qanin në telefon që i kishin nipërit dhe mbesat larg. Jam këtu për prindërit e mi, që punuan në fabrika sepse shteti nuk u dha mundësi."
Gjatë fjalës së saj, ajo kritikoi edhe vendimin për financimin e një koncerti me fonde publike, duke e cilësuar të papranueshëm në kushtet me të cilat, sipas saj, përballen qytetarët.
"Pas 43 ditësh protestë, Edi Rama thotë se vetëm 4 milionë euro do të shkojnë për një koncert. Turp! Turp është që në vitin 2026 në Tiranë ende mungojnë uji dhe energjia elektrike. Turp është që shqiptarët, kur përballen me një problem shëndetësor, detyrohen të enden nëpër botë për të marrë ndihmë mjekësore."
Në fund të fjalimit, ajo kërkoi që hetimet për korrupsionin të nisin nga zyrtarët më të lartë të qeverisë, duke përmendur edhe emrin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Fjalimi i saj u prit me duartrokitje nga protestuesit e pranishëm, ndërsa protesta qytetare vijon për të
43-ën ditë radhazi, me organizatorët që kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

