Biznesmeni Arbër Abazi është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për veprën penale të pastrimit të parave, në kuadër të hetimeve që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Ai dyshohet se ka financuar ndërtimin e vilës së Ballukut në Palasë, pasuri që është bërë pjesë e hetimeve të organit të akuzës.
Dyshimet për financimin e kësaj prone po shqyrtohen nga SPAK, ndërsa përgjegjësia penale e personave të përfshirë mbetet për t’u përcaktuar nga drejtësia. Hetimet synojnë të zbardhin rrethanat e çështjes dhe rolin e personave të dyshuar në lidhje me pasurinë dhe burimin e financimit të saj.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet të paraqiten në SPAK edhe 15 persona të tjerë të marrë të pandehur në kuadër të së njëjtës çështje, të cilëve do t’u komunikohet përfundimi i hetimeve. Sipas raportimeve, procesi do të vijojë edhe ditën e nesërme, kur në Prokurorinë e Posaçme pritet të paraqiten persona të tjerë për procedurat përkatëse.

