Lajme Zone
Festivali Kombëtar i Filmit ul siparin të shtunën, Jonid Jorgji zbulon planin në Report TV: Filmi shqiptar po bëhet më i mirë, hapi i radhës është festivali mbarëkombëtar
KulturëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Festivali Kombëtar i Filmit ul siparin të shtunën, Jonid Jorgji zbulon planin në Report TV: Filmi shqiptar po bëhet më i mirë, hapi i radhës është festivali mbarëkombëtar

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë bën bilancin e edicionit të 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit, flet për interesin e publikut, nivelin e kinemasë shqiptare dhe zbulon planet për ta shndërruar festivalin në një eveniment mbarëshqiptar.

Pas 14 vitesh mungesë, Festivali Kombëtar i Filmit duket se ka rikthyer jo vetëm ekranin për prodhimet shqiptare, por edhe publikun në sallat e kinemasë. Teksa edicioni i 14-të po shkon drejt finales, drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, thotë se hapi i radhës është shndërrimi i tij në një festival mbarëshqiptar. I ftuar në emisionin "Studio Live", Jorgji tha se interesi i publikut gjatë ditëve të festivalit ka qenë i lartë, ndërsa në sallat ku po zhvillohen shfaqjet është krijuar një atmosferë që, sipas tij, i kishte munguar prej vitesh kinemasë shqiptare. LEXO edhe...Balkan Film Market, 1 dekadë bashkëpunimi me filmin shqiptar e rajonal! Takimi tematik në “Film Zone” në Festivalin Kombëtar “Unë ndihem shumë i lumtur. Kemi mbi një javë që jemi në Universitetin e Arteve, e në salla të tjera të Tiranës si Kinema ‘Agimi’, Kinemaja e Piramidës, ku po shfaqen filma shqiptarë, filma të të gjitha kategorive, me metrazh të shkurtër e të gjatë, dokumentarë dhe të animuar. Për herë të parë pas kaq shumë vitesh, shoh që sallat janë përditë të mbushura plot. Shoh përditë regjisorë, kineastë, artistë, aktorë të ndryshëm janë përditë në këtë tapet të kuq, përditë në sallë e në diskutimet për artin, për t'u bashkuar e krijuar bashkëpunime të reja. Kjo javë, për punë 2 ditësh, ky event që kishte 14 vjet që i mungonte Shqipërisë finalizohet. Të shtunën do të kemi vlerësimet nga juritë e ekspertëve për filmin më të mirë, aktorin më të mirë, regjisorin më të mirë, ato vlerësime që u munguan kineastëve shqiptarë do t'i kemi së shpejti”, tha ai. Përtej mbylljes së këtij edicioni, kreu i QKK tha se institucioni po punon për zgjerimin e bashkëpunimit me Kosovën. Sipas tij, së shpejti pritet të nënshkruhet një marrëveshje që do të lehtësojë bashkëprodhimet dhe do të krijojë një fond të përbashkët për filma me rëndësi historike dhe kombëtare. “Në bashkëpunim me kryetarin e Qendrës së Kosovës, me të cilin shumë filma shqiptarë dhe të Kosovës financohen nga të dy krahët, me të cilën shumë shpejt do të lidhim një marrëveshje bashkëpunimi që do lehtësojë akoma më tepër bashkëprodhimet mes dy vendeve, por do t'i hapë rrugën një fondi të përbashkët Shqipëri-Kosovë për filmat me rëndësi historike e kombëtare. Njëkohësisht do t'i shtohet një iniciativë e tretë. Në vitet e ardhshme Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar do të jetë një festival mbarëkombëtar ku do të përfshihen jo vetëm filmat e Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve të Kosovës, Mali i Zi, Maqedonisë dhe diasporës”, u shpreh Jorgji. Për Jorgjin, nuk ka vend për nostalgji kur bëhet fjalë për kinemanë shqiptare. Sipas tij, çdo periudhë ka prodhuar filma me vlerë, ndërsa brezi i sotëm i kineastëve po ndërton një identitet të ri artistik, me tema më të larmishme dhe një qasje që i afrohet gjithnjë e më shumë kinemasë evropiane. Si shembull ai solli filmin e regjisorit Lorik Dajezi, i cili po konkurron në Festivalin e Varshavës, një nga festivalet e kategorisë A. “Me kalimin e kohës, botëkuptimi i artistëve dhe kineastëve ndryshon sipas rrjedhës së kohës dhe ngjarjeve historike. Mendoj që kineastët shqiptarë sot, regjisorët dhe skenaristët kanë një mendje më të hapur, tematikat bëhen më interesante e unifikohen me ngjarje të ndryshme si në Europë. Vetë historitë e filmit evoluojnë. Mendoj që filmi shqiptar vjen duke u bërë më i mirë. Nuk jam i mendimit që filmi i dikurshëm ka qenë më i mirë se i sotshmi. Mendoj që filmi shqiptar ka pasur vlerat e veta të padiskutueshme në çdo kohë. Sot mendoj që filmi ynë, me ato pak mundësi si në anën e produksionit apo mundësive, po korr sukses. Filmi shqiptar është sot në festivalet më të mira të filmit në botë. Dy ditë më parë, filmi i regjisorit të talentuar Lorik Dajezi, me një produksion që në aspekt vlerash i përafrohet shumë produksioneve europiane, sot konkurron në një nga festivalet e kategorisë A në botë që është Festivali i Varshavës. Pra cilësia artistike e filmit shqiptar vjen duke u rritur”, tha ai. Mbrëmja e së shtunës do të ulë siparin e festivalit me ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Jorgji tha se në tapetin e kuq do të parakalojnë kineastë, regjisorë, skenaristë e artistë, ndërsa do të vlerësohen figurat dhe filmat më të spikatur të këtij edicioni. “Do jetë një natë me shumë kineastë që kalojnë në tapetin e kuq, në të cilën publiku do kurorëzojë këtë festë 10-ditore të filmit në Tiranë. Do vlerësohen kineastë, regjisorë, skenaristë, kostumografë, do jetë një natë e gëzueshme”, përfi ai. Festivali Kombëtar i Filmit u organizua për herë të parë në vitin 1976, ndërsa edicioni i fundit ishte zhvilluar në vitin 2012, kur filmi fitues ishte "Lindje Perëndim Lindje" me regji të Gjergj Xhuvanit. U.D/ReportTv.al jonid jorgji Festivali Kombetar i Filmit Shqiptar Qendra Kombetare e Kinematografise Universiteti i Arteve Filmi shqiptar Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 77.7% Magjistratëve 16.3% Nuk e di 6% Vota total: 3971 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?