Lajme Zone
Fermerët paralajmërojnë protesta në shtator
EkonomiJOQ Albania

Fermerët paralajmërojnë protesta në shtator

Fermerët dhe blegtorët paralajmërojnë rikthimin e protestave në javën e parë të shtatorit, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Në fokus janë subvencionet e ulëta, kostot e larta të prodhimit, mungesa e kanaleve ujitëse, TVSH-ja dhe heqja e skemës së naftës pa akcizë. Përfaqësuesit e sektorit pritet t’i dorëzojnë ministrisë një paketë kërkesash për ndryshime në skemën kombëtare të bujqësisë dhe në paketën fiskale për vitin 2027.

Një nga kërkesat kryesore të blegtorëve është rritja e subvencionit për lopët nga 12 mijë në 20 mijë lekë për krerë, si dhe heqja e pragjeve për përfitimin e mbështetjes direkte. Dashamir Çela, drejtues i një ferme me 60 lopë në Samaticë të Beratit, ka ngritur shqetësimin për konkurrueshmërinë e ulët të prodhimit vendas, duke theksuar diferencën e mbështetjes me vendet e rajonit. Sipas të dhënave të cituara nga sektori, në Kosovë subvencionet arrijnë deri në 600 euro për një krerë lopë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut fermerët përfitojnë rreth 250 euro për krerë, përveç mbështetjes për litrin e qumështit.

Protestat vijnë pas ndryshimeve në skemën kombëtare të bujqësisë, të miratuara këtë vit, ku u hoq nafta pa akcizë dhe u parashikua kompensimi i 10% të TVSH-së së paguar për inputet bujqësore. Edhe pse subvencioni për lopët u rrit nga 10 mijë në 12 mijë lekë dhe për bagëtitë e imëta nga 1,200 në 1,500 lekë, fermerët thonë se masat nuk mjaftojnë për të përballuar kostot. Nëse kërkesat nuk reflektohen në paketën fiskale dhe projektbuxhetin 2027, këtë herë protestat mund të zhvillohen edhe me traktorë, duke shtuar presionin ndaj qeverisë për uljen e kostove dhe rritjen e mbështetjes për prodhimin vendas.