Bujqësia industriale e pulave po ndihmon në përhapjen e Campylobacter, shkaktari bakterial më i zakonshëm në botë i diarresë, sipas një studimi të ri. “Ndërsa popullata e pulave është rritur në mënyrë shpërthyese, ato kanë marrë gjithnjë e më shumë shtame nga zogj të ndryshëm të egër dhe janë shndërruar në një kazan të evolucionit bakterial”, thotë autori kryesor i studimit, Prof. Sam Sheppard, nga Universiteti i Oksfordit.Lexo edhe:Një pije e bërë në shtëpi që përmirëson tretjen dhe zvogëlon fryrjen “Shumë shtame bashkohen dhe hibridizohen. Ne nuk e duam këtë, sepse pikërisht aty shfaqen baktere të reja, si përbindësha të Frankensteinit.” Studiuesit nga Ineos Oxford Institute for Antimicrobial Research në Universitetin e Oksfordit zbuluan se, ndërsa është rritur blegtoria e pulave, shkëmbimi i shtameve të Campylobacter midis zogjve të egër dhe pulave është rritur ndjeshëm. Kjo u mundëson baktereve të përhapen më lehtë, të përzihen me shtame të tjera dhe të zhvillojnë tipare të reja. Studimi zbuloi gjithashtu një rritje të shtameve rezistente ndaj antibiotikëve, gjë që mund t’i bëjë infeksionet serioze te njerëzit më të vështira për t’u trajtuar. Për studimin, të botuar në Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS), studiuesit analizuan gati 2.800 gjenome bakteriale të mbledhura nga pula dhe zogj të egër në 30 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në, midis viteve 1979 dhe 2024. Analiza tregoi se rritja e shpejtë e blegtorisë së pulave ka krijuar kushte ideale për përhapjen dhe evolucionin e baktereve. Studiuesit identifikuan ndryshime gjenetike që ndihmojnë Campylobacter të mbijetojë në fermat e pulave, përfshirë gjene të lidhura me rezistencën ndaj antibiotikëve, mbrojtjen kundër stresit, lëvizshmërinë më të mirë dhe aftësinë e përmirësuar për të siguruar lëndë ushqyese. “Gatimi i vret patogjenët, por mjafton edhe vetëm një spërkatje e vogël dhe bakteret përfjnë në gjethet e sallatës, në duart tuaja ose në thikën tuaj”, paralajmëron Sheppard. Studimi sugjeron gjithashtu se fermat e mëdha dhe të mbipopulluara të pulave mund të veprojnë si “sfungjerë patogjenësh”, duke u mundësuar baktereve nga burime të ndryshme të grumbullohen, të shumohen dhe të përhapen. Modelet kompjuterike treguan se, sapo popullatat e pulave bëhen mjaftueshëm të mëdha, shtamet bakteriale nga zogjtë e egër mund të vazhdojnë të përhapen brenda tufave të shpendëve, edhe nëse fillimisht nuk ishin të përshtatura mirë me pulat./DPA News

