Në Ministrinë e Financave ka nisur puna për përgatitjen e parashikimeve buxhetore afatmesme 2027–2029, por hulumtimet ndërmjet disa zërave, kryesisht në investimet publike, duket se tregojnë mbivlerësime dhe nënfinancime në disa zëra të sektorit të transportit rrugor.
Për shembull, në tabelat e zërave të investimeve që Ministria e infrastrukturës i ka dorëzuar Ministrisë së Financave, për vitin 2027 janë planifikuar të financohen rreth 514 milionë lekë, ose rreth 5.5 milionë euro, për shërbime inxhinierike të pavarura ndaj kontratave koncesionare, ndërsa për emergjencat dhe rrëshqitjet në rrugë që tashmë janë bërë rutinë janë vetëm 42 milionë lekë, ose 400 mijë euro.
Për shembull, për kontratën PPP që ka ndërtuar 18 kilometrat Thumanë–Kashar, qeveria paguan 85 milionë lekë për shërbime inxhinierike ndaj koncesionit, gati 900 mijë euro. Kjo shumë jepet çdo vit përgjatë gjithë periudhës së koncesionit dhe shërben për të monitoruar se si po zbatohen kontrata ndërmjet shtetit dhe privatit.
Struktura e fondeve për shërbimet inxhinierike të pavarura në vitin 2027 dominohet nga paketat e mëdha rrugore. Vetëm për paketën e segmenteve Kashar–Pëzë–Lekaj, Lekaj–Konjat–Fier dhe Milot–Thumanë, buxheti parashikon një fond për shërbime inxhinierike prej 223 milionë lekësh, ose 2.3 milionë eurosh në vitin 2027.
Ndërkohë, fazat e operimit dhe mirëmbajtjes së kontratave koncesionare ekzistuese, përfshirë Rrugën e Arbërit, autostradën Milot–Morinë, si edhe aksin Porti i Jahteve – Bypass Orikum–Dukat, thithin nga 60 milionë lekë secila, pa llogaritur kontratat e tjera portuale dhe hekurudhore.
Ndërsa qeveria ka rezervuar një faturë prej afro 515 milionë lekësh (rreth 5.5 milionë euro) vetëm për shërbimet inxhinierike të pavarura dhe mbikëqyrjen e kontratave koncesionare (PPP) dhe të partneritetit publik-privat, fondet e destinuara për përballimin e ngjarjeve të papritura në rrjetin rrugor kombëtar mbeten në nivele simbolike.
Sipas të dhënave nga dokumentet buxhetore të Ministrisë së infrastrukturës dhe Energjisë, zëri i miratuar për emergjencat që mund të dalin gjatë viteve në ARRSH për vitin 2027 është parashikuar në vlerën e vetëm 40 milionë lekëve.
Kjo do të thotë se për çdo 4 lekë të alokuar për të përballuar situata emergjente apo dëmtime dhe rrëshqitje të paparashikuara në akset nacionale të vendit, shteti shpenzon mbi 50 lekë vetëm për të paguar mbikëqyrjen dhe supervizionin e projekteve të mëdha koncesionare të rrugëve dhe porteve.
Ekspertët e fushës vënë në pikëpyetje buxhetin, kur përballen me faktin se një fond prej 40 milionë lekësh për emergjencat rrugore është i pamjaftueshëm për të mbuluar qoftë edhe një ndërhyrje të vetme madhore rehabilituese në raste bllokimi aksesh nga moti i keq apo dëmtimet e papritura të trupit të rrugës./Monitor.al Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

