Lajme Zone
Fatos Çoçoli: Pse partitë tona opozitare nuk e dënojnë dhunën?
PolitikëReport TV

Fatos Çoçoli: Pse partitë tona opozitare nuk e dënojnë dhunën?

Nëse deputetët e partive opozitare deklarojnë se janë kundër dhunës, por nuk dënojnë publikisht akte të tilla, lind një kontradiktë serioze midis fjalëve dhe përgjegjësisë politike që mbajnë. Të deklarohesh kundër dhunës në parim dhe të heshtësh përballë akteve konkrete të dhunës nuk është e njëjta gjë.

Partitë opozitare dhe liderët kryesorë politikë në Francë, Gjermani, Spanjë, Belgjikë, Itali, etj., pra në disa nga vendet më të mëdha europiane, kanë dënuar fuqimisht përshkallëzimin e dhunës, gjatë valës masive të protestave që kanë përfshirë kontinentin gjatë këtij muaji. Ndonëse motivet e protestave ndryshojnë nga vendi në vend, duke filluar nga shtrenjtimi I forte i kostos së jetesës, reformat në arsim, e deri tek strehimi, skenat e përleshjeve të dhunshme, plaçkitjet dhe sulmet ndaj policisë kanë sjellë reagime të ashpra nga pothuajse të gjitha krahët politikë. LEXO edhe...Ylli Pata: Kaosi e dhuna, sa mund të gjenerojnë një proces politik? Përgjegjshmëria e partive opozitare në BE Në Francë, drejtuesja e së djathtës radikale, Marine Le Pen nga partia Rassemblement National (Bashkimi Kombëtar), e dënoi ashpër dhunën, duke deklaruar se vendi po mbahet "peng mes dhunës dhe pafuqisë". Ajo akuzoi gjithashtu të majtën ekstremiste për tolerim të dhunës. Nga ana tjetër, lideri i së majtës France Insoumise (Franca e Pavarur), Jean-Luc Mélenchon, u distancua hapur nga vandalët dhe plaçkitësit. Në Gjermani, edhe pse protestat në Gjermani kanë qenë më të kufizuara se në Francë, drejtuesit opozitarë të spektrit tradicional politik të vendit kanë dënuar modelet e dhunës së protestuesve, për të shmangur radikalizimin e mëtejshëm të situatës së brendshme. Në Spanjë, protestat janë përqendruar kryesisht tek kriza e strehimit dhe pamundësia e pagesës së qirave. Megjithëse tensionet politike janë të larta, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme të nëntorit, partitë kryesore opozitare të krahut të djathtë, si Partido Popular (Partia Popullore), etj., kanë mbajtur qëndrim të prerë se çdo shfaqje dhune apo vandalizmi dëmton kauzën sociale të qytetarëve. Në Belgjikë, në Bruksel dhe Liezh, protestat e studentëve kundër rritjes së tarifave të regjistrimit u shndërruan në përleshje të dhunshme, duke detyruar policinë të përdorte topa uji. Dhuna u dënua nga të gjitha forcat politike. Qeveria dhe opozita ndanë të njëjtin qëndrim se vandalizimi dhe destabilizimi i institucioneve nuk përfaqëson protestën legjitime. Në Italinë fqinje, trazira të mëdha shpërthyen në qytete si Milano (ku u arrestuan qindra të mitur) dhe Bolonjë, duke kundërshtuar reformat në arsim dhe kostot e larta të jetesës. Reagimi i opozitës dhe i pushtetit ishte ne nje linje, ate te denimit te dhunes nga ana e protestuesve. Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, nga qendra e majtë, në opozitë me qeverinë qendrore, deklaroi se, megjithëse ankesat ekonomike dhe sociale të qytetarëve janë plotësisht të kuptueshme, "dhuna ndaj forcave të rendit dhe dëmtimi i rëndë i qytetit nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë". Po tek ne? Kur digjen institucionet e drejtësisë, si Gjykata e Larte dhe vandalizohet Gjykata e Apelit, kur u vihet flaka ndërtesave qendrore shtetërore dhe kur shkatërrohen e plaçkiten bizneset e qytetarëve, heshtja e përfaqësuesve kryesorë të partive parlamentare tek ne është e rëndë. Ajo bëhet çështje e përgjegjësisë publike. Deputetët opozitarë që deklarojnë se janë kundër dhunës duhet ta dëshmojnë këtë me qëndrime të qarta, pa ekuivoke dhe pa llogari partiake. Ku është kufiri midis opozitës politike dhe papërgjegjshmërisë? Një nga përgjegjësitë themelore të opozitës në një demokraci është të kontrollojë qeverinë, të denoncojë korrupsionin, të kërkojë llogaridhënie dhe të përfaqësojë qytetarët që nuk pajtohen me politikat e shumicës. Opozita ka të drejtë të organizojë protesta, të kërkojë dorëheqje dhe të luftojë për ndryshimin e pushtetit. Por pikërisht sepse ka këtë rol të rëndësishëm, ajo ka edhe një përgjegjësi të veçantë për mënyrën se si zhvillohet kundërshtimi politik. Kur dëmtohen institucione të drejtësisë, u vihet flaka mjediseve të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Ekonomisë, etj., si dhe shkatërrohen apo plaçkiten biznese, përfaqësuesit politikë opozitarë nuk mund të mjaftohen me deklarata të përgjithshme kundër dhunës. Ata duhet të flasin qartë për aktet konkrete, të kërkojnë hetimin e tyre dhe të distancohen nga çdo person që i ka kryer. Nëse deputetët e partive opozitare deklarojnë se janë kundër dhunës, por nuk dënojnë publikisht akte të tilla, lind një kontradiktë serioze midis fjalëve dhe përgjegjësisë politike që mbajnë. Të deklarohesh kundër dhunës në parim dhe të heshtësh përballë akteve konkrete të dhunës nuk është e njëjta gjë. Kjo është çështja thelbësore që duhet t'i shtrohet opozitës parlamentare shqiptare. Djegia e Gjykatës së Lartë nuk mund të trajtohet si një episod i zakonshëm proteste. Gjykata e Lartë është një institucion kushtetues, pjesë e sistemit të drejtësisë së vendit. Ajo nuk është pronë e qeverisë, e një partie apo e një grupi politik. Ajo u shërben qytetarëve dhe garanton funksionimin e një hallke të rëndësishme të rendit juridik. Asnjë pakënaqësi politike nuk e justifikon djegien e një gjykate. Asnjë akuzë ndaj qeverisë nuk e kthen shkatërrimin e institucioneve të drejtësisë në akt demokratik. Pikërisht për këtë arsye, heshtja e partive politike opozitare, duke shmangur dënimin e qartë të këtij akti, është e rëndë. Një opozitë që kërkon drejtësi duhet të jetë e para që mbron parimin se institucionet e drejtësisë nuk sulmohen fizikisht, por reformohen përmes ligjit, transparencës dhe llogaridhënies. Djegia nuk është reformë. Shkatërrimi nuk është drejtësi. Ministria e Brendshme është një institucion i rëndësishëm i administratës shtetërore. Ajo mund dhe duhet të kritikohet për politikat e saj, për mënyrën e drejtimit të institucioneve në varësi dhe për çdo shkelje që mund të konstatohet. Nëse ka abuzime policore me përballimin e protestës së dhunshme, ato duhet të hetohen. Nëse policia përdor forcë të tepruar, duhet të ketë përgjegjësi. Nëse drejtuesit politikë kanë shkelur ligjin, ata duhet të përgjigjen përpara organeve kompetente. Mirëpo, nëse mjediset e katit të parë të Ministrisë së Brendshme janë përfshirë nga zjarri, kjo nuk mund të justifikohet me asnjë prej kritikave të mësipërme. Është e papranueshme që kërkesa për shtet ligjor të shoqërohet me veprime që rrezikojnë jetën e njerëzve dhe dëmtojnë institucionet publike. Përfaqësuesit e opozitës kanë detyrimin moral dhe politik të bëjnë një dallim të prerë midis protestës kundër përdorimit të tepruar (sipas tyre) të forces nga ana e policisë dhe sulmit ndaj institucioneve. Duke mos e bërë këtë dallim, ata krijojnë paqartësi mbi qëndrimin e tyre ndaj dhunës dhe të dobësojnë besueshmërinë e mesazhit të tyre demokratik. Qindra biznese të dëmtuara: viktimat e harruara të konfliktit politik Ndoshta pasoja më e drejtpërdrejtë për qytetarët është dëmi që pësojnë bizneset. Nëse qindra biznese në Tiranë janë dëmtuar, djegur ose plaçkitur, pasojat nuk kufizohen te xhamat e thyer, pajisjet e shkatërruara apo mallrat e humbura. Në këtë pikë, përgjegjësia e opozitës bëhet edhe më konkrete. Nëse ajo pretendon se përfaqëson qytetarët e pakënaqur me qeverinë, a do të mbrojë gjithashtu qytetarët që iu shkatërrua prona? A do të dënojë pa ekuivoke plaçkitjen e dyqaneve, edhe kur ajo ndodh në kontekstin e një proteste që opozita e mbështet politikisht? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje të qarta dhe deri sot, asnjë qëndrim opozitar nuk i ka dhënë. Në të kundërt, mbrëmë, në selinë e partisë kryesore opozitare, u strehuan të dyshuar nga policia për aktet e dhunës në Ministrinë e Mbrojtjes. Cili është mesazhi që protestuesve të tjerë të dhunshëm u jep kjo parti me këtë veprim: “vazhdoni, se ju mbrojmë ne”?! U.D/ReportTv.al fatos cocoli protestat kunder qeverise Komento Komente Sondazhi i ditës: A i mbështesni protestat e dhunshme në vend? Po 18.7% Jo 77.9% Disi 3.4% Vota total: 7299 Sondazhi i ditës: A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?