Sot euro këmbehet me 92 lekë. Ka zbritur në nivelin më të ulët historik ndaj lekut. E tregon dhe tabela e mëposhtme. Raporti euro/leke 26 janar-26 gusht 2026 26 janar 2026 96.2 Lekë26 mars 2026 95.6 Lekë26 qershor 2026 93.8 Lekë26 korrik 2026 93 Lekë26 gusht 2026 92 LekëShitja sot me 92 lekë e një euro në tregun tonë, e bën forcimin e monedhës sonë kombëtare një prej dukurive më të rëndësishme ekonomike të viteve të fundit. Lind pyetja: a duhet të shqetësohemi për këtë nivel të ulët rekord të euros? Përgjigjja e menjëhershme është: jo kur euro zbret gradualisht. Sikurse flet edhe tabela sipër, euro kaloi nga 96 lekë në janar 2026, në 92 lekë tetë muaj më vonë. Një rënie me 5 përqind të vlerës së saj në tregun tonë. LEXO EDHE:Nuk ndalet rënia e Euros, arrin minimumin e ri historik pranë 92.4 lekëve Në periudhën janar-maj 2018 euro ra me një ritëm 9 përqind dhe Banka e Shqipërisë, banka jonë qendrore ndërhyri fort. Edhe tani ka ndërhyrë, duke blerë sërisht dhjetra milionë euro. Banka qendrore i ka sytë tek inflacioni, që ha fuqinë blerëse të lekëve tona dhe prandaj ndërhyn. Pyetja kryesore që ia vlen të bëjmë është: a po fitojmë më shumë apo po humbim më shumë si ekonomi, nga një euro rekord e dobët në tregun tonë? Fituesit Së pari, nga një milionë e 280 mijë punonjës tek ne(të punësuar rreth 800 mijë, të vetëpunësuar-kryesisht në bujqësi rreth 480 mijë), mbi 93 përqind i kanë të ardhurat në lekë. Ose një milionë e 190 mijë qytetarë. Të gjithë këta fitojnë. Së dyti, fituesi më i drejtpërdrejtë është konsumatori shqiptar. Po pse? Sepse një euro më e lirë do të thotë se importet e paguara në euro kushtojnë më pak në lekë, sado të përpiqen të mos i ulin çmimet sa ulet euro importuesit e shumicës. Shqipëria importon mbi 9 miliardë euro mallra në vit: ushqime, automjete, makineri, pajisje teknologjike, ilaçe, materiale ndërtimi dhe produkte të tjera. Në një ekonomi që ende importon kaq shumë, ky efekt nuk është i vogël. Së treti, euro e dobët ndihmon në frenimin e inflacionit. Një lek i fortë ul koston e mallrave të importuara dhe, përmes tyre, ul presionet inflacioniste. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ne, pasi shumica e çmimeve të brendshme lidhet drejtpërdrejt ose indirekt me produkte të importuara. Pra, qytetari që blen një produkt të importuar, udhëton jashtë vendit, paguan një kredi në euro apo blen një automjet të importuar, përfiton nga një euro më e lirë. Dhe të tillë qytetarë janë shumica. Humbësit Edhe pse më pak, humbësit janë të rëndësishëm. Të parët humbës janë eksportuesit. Një kompani shqiptare që eksporton dhe arkëton në euro, por paguan një pjesë të madhe të kostove në lekë, merr më pak lekë për të njëjtën shumë euro të marrë nga zbatimi i kontratës me importuesin e huaj. Kjo godet veçanërisht sektorët eksportues me marzhe të ulëta, si bujqësinë, fasonerinë dhe industrinë përpunuese. Emigrantë tanë që nuk i harrojnë kurrë familjet e tyre këtu dhe u sjellin gati çdo muaj euro, janë humbësit e dytë të mëdhenj. Një emigrant që dërgon 500 euro në muaj në Shqipëri, sjell më pak lekë në familjen e tij këtu sot, sesa kur euroja ishte më lart me lekun. Emigranti detyrohet të dërgojë më shumë euro, pse paratë nuk mjaftojnë. Turizmi dhe shteti Turizmi është një rast interesant. Një turist që sjell 1 mijë euro në Shqipëri, sot konverton më pak lekë, sesa gjashtë muaj, një vit apo dy vite më parë. Për biznesin turistik që ka të ardhura në euro, por shpenzime në lekë, kjo nënkupton një marzh më të ulët fitimi. Mirëpo, nga ana tjetër, një ekonomi si e jona, ende me çmime relativisht të favorshme, në raport me vendet e tjera, bëhet më tërheqëse për turistët. Dhe kjo po ndodh edhe këtë vit. Prandaj një euro e dobët këtu tek ne nuk do të thotë automatikisht turizëm më i dobët. Nëse Shqipëria vazhdon të rrisë numrin e turistëve dhe shpenzimet e tyre, rritja e numrit të turistëve të huaj e kompenson efektin negativ të kursit valutor. Shteti gjithashtu ka një efekt të përzier. Borxhi në valutë, veçanërisht borxhi në euro, bëhet më i lirë në lekë kur euroja dobësohet. Këtu shteti fiton, pasi përmirëson raportet fiskale dhe ul koston e shërbimit të borxhit në valutë. Ndërkohë, të ardhurat shtetërore që lidhen me aktivitete të faturuara në euro sjellin më pak lekë në buxhet. Pse po zbret kaq kaq shumë euro dhe ngrihet leku? Nuk duhet harruar se kursi i këmbimit është në thelb një pasqyrë e kërkesës dhe ofertës për valutë. Shqipëria po merr sasi të mëdha eurosh nga turizmi, remitancat, investimet e huaja direkte, eksportet e shërbimeve dhe flukset e tjera financiare. Kur oferta e euros rritet ndjeshëm, ndërsa kërkesa për të nuk rritet në të njëjtin ritëm, euroja bie kundrejt lekut. Kambistët këto ditë të thonë se tregu është i mbushur në euro dhe ka uri për lekë. Ndërkohë, euro e dobët nuk është thjesht një dukuri monetare. Ajo lidhet edhe me transformimin e strukturës së ekonomisë shqiptare. Eksportet e shërbimeve, ku kryesori është turizmi, ia kanë kaluar eksporteve të mallrave. Në vitin 2025, ndërsa mallra eksportonim 4.3 miliardë euro, sipas INSTAT, prurjet (të hyrat) e eurove në Shqipëri nga turizmi, sipas Bankës së Shqipëris ishin 5.5 miliardë euro. Këtë vit mund të kalojnë edhe pragun e 6 miliardë eurove. Rreziku më i madh: dekurajimi i prodhimit vendas Mirë në afatshkurtër si ekonomi fitojmë shumë me tepër nga ç’humbasim, por ç’mund të na ndodhë në një periudhë disavjeçare? Problemi bëhet serioz, nëse një euro rekord e ulët qëndron për një kohë të gjatë. Nëse importi bëhet vazhdimisht më i lirë, ndërsa eksporti bëhet vazhdimisht më pak konkurrues, atëhere krijohet një efekt i padëshiruar: konsumojmë më shumë mallra të huaja dhe e kemi më të vështirë të prodhojmë për tregjet e huaja. Në afat të gjatë, kjo dëmton investimet në sektorët prodhues dhe eksportues. Një ekonomi si e jona nuk mund të mbështetet vetëm te konsumi i importeve, pavarësisht suksesit në turizëm. Ajo ka nevojë, si njeriu për ajrin, për prodhim, eksporte, produktivitet dhe konkurrueshmëri. Prandaj dhe zgjidhja më e shëndetshme, nuk është domosdoshmërisht ta dobësojmë artificialisht lekun tonë, por të rrisim produktivitetin e ekonomisë sonë. Nëse një fabrikë shqiptare është konkurruese vetëm kur euro shkon 110 lekë, problemi nuk është vetëm kursi i këmbimit. Problemi është edhe produktiviteti, teknologjia, kostot, energjia, infrastruktura, fuqia punëtore dhe organizimi i biznesit. Një lek i fortë është lajm i mirë, vetëm kur vjen nga më shumë turizëm, më shumë investime, më shumë shërbime, më shumë eksporte dhe më shumë produktivitet. Euro rekord e ulët është njëkohësisht një e mirë për konsumatorin dhe një provë për prodhuesin shqiptar. Sfida është që përfitimi nga euro e dobët dhe leku i fortë, të mos paguhet me humbjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë. Xh.K/Shqiptarja.com TAG: fatos cocoli euro ushqime Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 1.0 / 5 (3 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
24 Gusht, 21:21
Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52.7% Keq 34.4% Nuk e di 12.9% Vota total: 1953 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Gusht, 21:21 Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?

