Kërkesa e para disa ditëve nga SPAK për masën e arrestit, ndërkohë që ishte në detyrë, e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror(SHISH) Vlora Hyseni është një ngjarje e rëndë, që duhet të na bëjë të reflektojmë të gjithë. Institucionet e inteligjencës, në rradhë të parë SHISH, janë ndër strukturat më të rëndësishme të sigurisë kombëtare. Për këtë arsye, çdo dyshim serioz për dobësi në kontrollin e informacionit, konflikt interesi, ndërhyrje të jashtme, keqadministrim të informacionit të klasifikuar dhe mosfunksionim të mekanizmave të kontrollit duhet të shërbejë si shtysë për një reformë të thellë institucionale. Reforma-jo mbi raste individuale dhe pa karakter politik LEXO EDHE:Rama mbërriti nga SHBA, Berisha u nis drejt Strasburgut! Salianji ngre dyshime për marrëveshje të fshehtë tek salla 'Vip' në Rinas Kjo reformë nuk duhet të ndërtohet mbi raste individuale, pavarësisht se sa i rëndë dhe tronditës është rasti Vlora Hyseni. Asaj do t’i shkojë deri në fund Prokuroria e Posaçme, krijimin e së cilës e ka mundësuar pikërisht kjo shumicë qeverisëse që sot kemi mbi krye. Po ashtu, reforma nuk duhet të ketë as edhe karakter politik. Ajo duhet të synojë forcimin e institucioneve, profesionalizimin e personelit, mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe garantimin e kontrollit demokratik të institucionit. Po pse reforma është e domosdoshme? Sepse mjedisi i sotëm i sigurisë është shumë më kompleks se më parë. Përveç kërcënimeve tradicionale, institucionet shqiptare përballen me krimin e organizuar, me sulmet kibernetike, me dezinformimin, me ndërhyrjet e huaja dhe me terrorizmin. Kjo kërkon që shërbimet e inteligjencës të kenë, së pari, kapacitete moderne teknologjike dhe njerëzore, njëlloj si sot i ka SPAK. Dhe njëkohësisht, edhe mekanizma shumë më të fortë kontrolli dhe llogaridhënieje. Së dyti, profesionalizimi duhet të dalë mbi lidhjet politike. Shërbimet e inteligjencës duhet të funksionojnë mbi bazën e meritës, integritetit profesional, verifikimit të sigurisë dhe standardeve të qarta të karrierës. Emërimet në nivelet e larta duhet të jenë të mbështetura në kritere profesionale dhe në procedura të verifikueshme. Sa më e rëndësishme të jetë detyra, aq më rigoroz duhet të jetë procesi i kontrollit. Siguria kibernetike-përparësi absolute Së treti, duhet të rritet ndjeshëm forcimi i kontrollit mbi informacionin e klasifikuar. Informacioni dhe besimi përbëjnë kapitalin kryesor të një shërbimi inteligjence. Për këtë arsye, duhet të forcohen procedurat që përcaktojnë kush mund të ketë akses në informacion, çfarë niveli informacioni mund të shohë çdo zyrtar, si regjistrohet aksesi, si ruhen dokumentet, si monitorohen sistemet elektronike dhe si raportohet një incident sigurie. Parimi duhet të jetë i qartë: askush nuk duhet të ketë akses më të madh, sesa kërkon funksioni që ushtron. Së katërti, siguria kibernetike duhet të jetë prioritet. Në epokën digjitale, mbrojtja e informacionit nuk mund të mbështetet vetëm tek dokumentet fizike dhe tek procedurat tradicionale të rregjistrimit. Institucionet e inteligjencës duhet të kenë sisteme të avancuara për mbrojtjen kibernetike, auditim të vazhdueshëm, regjistrim të aksesit, identifikim të anomalive dhe testim periodik të sistemeve. Për këtë, kontraktimi i kompanive ose ekspertëve të jashtëm në fusha sensitive duhet të bëhet mbi bazën e kritereve të rrepta të sigurisë, çertifikimeve dhe autorizimeve përkatëse. Kontroll i fortë demokratik mbi institucionet e inteligjencës Së pesti, këto institucione dhe në rradhë të parë SHISH, e kanë domosdoshmëri një kontroll më të fortë demokratik. Vërtet institucionet e inteligjencës kanë nevojë për konfidencialitet, por konfidencialiteti nuk duhet të nënkuptojë mungesë kontrolli. Kuvendi duhet të ketë mekanizma efektivë për mbikëqyrjen e tyre, duke respektuar, natyrisht, kufijtë që vendosen nga informacioni i klasifikuar. Kontrolli parlamentar duhet të jetë profesional dhe institucional, jo partiak. Duhet të ketë mundësi për të kontrolluar nëse ligji është respektuar, nëse buxheti është administruar siç duhet, nëse procedurat e sigurisë janë zbatuar dhe nëse kompetencat nuk janë tejkaluar. Së gjashti, kontrolli i brendshëm duhet të jetë real. Një institucion i sigurisë nuk mund të kontrollohet vetëm nga jashtë. Ai duhet të ketë mekanizma të fuqishëm të kontrollit të brendshëm. Duhet të ekzistojnë struktura të afta për të identifikuar në kohë konfliktet e interesit, akseset e pajustifikuara, shkeljet e protokolleve, rrjedhjet e informacionit, ndërhyrjet e jashtme, si dhe sjelljet që mund të cenojnë integritetin institucional. Këto struktura duhet të kenë pavarësi të mjaftueshme edhe nga njëshi i institucionit, për të raportuar edhe kur informacioni prek nivelet më të larta të hierarkisë. Së shtati dhe ndër më kryesoret, marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë duhet të marrin përparësi madhore. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe bashkëpunon ngushtë me SHBA-të dhe vendet e BE-së në fushën e sigurisë dhe të inteligjencës. Ky bashkëpunim kërkon standarde të larta për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe reforma duhet të synojë harmonizimin e mëtejshëm të procedurave shqiptare me standardet e NATO-s, si dhe me praktikat e partnerëve amerikanë dhe evropianë, duke garantuar që informacioni i shkëmbyer të ruhet dhe të përdoret vetëm nga personat e autorizuar. Kontrollet e integritetit-jo vetëm në momentin e emërimit Së teti, një prej rreziqeve më të mëdha për çdo institucion inteligjence është depërtimi ose ndikimi i krimit të organizuar. Për këtë arsye, kontrollet e integritetit duhet të jenë të vazhdueshme dhe jo vetëm një procedurë që kryhet në momentin e emërimit. Duhet të verifikohen konfliktet e mundshme të interesit, pasuritë dhe marrëdhëniet që mund të krijojnë rrezik sigurie. Kjo nuk do të thotë të kufizohet jeta private e punonjësve, por të mbrohet institucioni nga cenueshmëritë që mund të shfrytëzohen nga aktorë kriminalë ose të huaj. Reforma e institucioneve të inteligjencës nuk duhet të shihet si reagim ndaj skandalit të një personi apo një ngjarjeje të vetme. Ajo duhet të shihet si një investim afatgjatë në sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Xh.K/Shqiptarja.com TAG: vlora hyseni hetimet per grupin e agasit spak SHISH fatos cocoli Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (1 vlerësim) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Gazmendi: 27/09/2026 15:45 Analize e plote dhe e sakte. Koha ka ardhur per kete hap. Përgjigju Sondazhi i ditës:
26 Shtator, 18:15
Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik? Po 54.6% Jo 39% Disi 6.4% Vota total: 1498 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 26 Shtator, 18:15 Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik?

