Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim administratoren dhe pronarin e një kompanie të dyshuar për veprat penale të fshehjes së të ardhurave dhe falsifikimit të dokumenteve. Për të dy shtetasit është caktuar masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Hetimet nisën pas kallëzimit të njërit prej bashkëortakëve të kompanisë, i cili pretendoi se vëllai i tij kishte falsifikuar nënshkrimin e tij në disa vendime të asamblesë së ortakëve, duke i paraqitur ato si dokumente të miratuara dhe të nënshkruara rregullisht. Sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit tatimor në ambientet e kompanisë u zbulua përdorimi i dy sistemeve të ndryshme të mbajtjes së të dhënave kontabël. Njëri përmbante fatura të brendshme të lëshuara, por të pafiskalizuara, ndërsa tjetri faturat e fiskalizuara. Nga hetimi tatimor është përcaktuar një detyrim në principal prej 11.707.612 lekësh, ndërsa organi i akuzës dyshon se janë mbajtur regjistrime paralele të shitjeve reale dhe janë deklaruar vlera më të ulëta, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Tiranës: Prokuroria Tirane – NjoftimiDownload
