Dr. Petrit Bara, Dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Universitetin Luarasi, ka folur për veçoritë që e bëjnë këtë fakultet një zgjedhje të preferuar për maturantët që duan të ndjekin studimet në fushën e mjekësisë. I ftuar në studion e News24, Bara u ndal te cilësitë që ofrohen për studentët në Fakultetin e Shkencave Mjekësore, duke theksuar traditën akademike, stafin pedagogjik, praktikat profesionale dhe mundësitë për punësim pas përfundimit të studimeve. “Fakulteti i Luarasit ka një traditë të mirë shkencore, akademike, falë profesor Luarasit. Është universitet i nivelit bashkëkohor me të gjitha cilësitë. Ka 4 fakultete, Juridikun, Ekonomikun, IT-në dhe Fakultetin e Shkencave Mjekësore. Fakulteti ynë është i angazhuar për të arritur sukseset dhe rezultatet që ka pasur dhe ka Luarasi si fakultet. Duam që ta bëjmë Fakultetin e Shkencave Mjekësore një fakultet të arrirë”, u shpreh Bara. Duke folur për studentët që zgjedhin këtë fakultet, dekani tha se kërkesat kanë ardhur gjithnjë në rritje, ndërsa një pjesë e mirë e të rinjve që pranohen kanë rezultate shumë të larta.
“Ne në fakultetin tonë kemi nxënës me arritje të larta, pra me mesatare të larta, me 9.8. Në fakultetin tonë ka shumë kërkesa, edhe për shkak të objektit Luarasi, që është në një vend qendror, apo edhe për shkak të ambienteve. Në vitin e 5-të që kemi, kemi realizuar të gjitha dobësitë që kemi pasur. Pranimet e studentëve kanë qenë maksimale”, tha ai. Bara u ndal edhe te praktikat profesionale, duke i cilësuar ato si një nga elementët më të rëndësishëm të formimit të studentëve të mjekësisë.
“Vitet e fundit kemi arritur që praktikat e Stomatologjisë të bëhen në poltrona të specializuara. Fakulteti ynë ka praktika shumë të mira, madje praktikat bëhen edhe në klinika shumë të njohura të kryeqytetit. Kemi bërë kontrata me shumë nga këto klinika, madje dhe shumë kontrata punësimi janë bërë përmes këtyre praktikave. Kemi një parim: kush do të mbarojë te ne, kemi nevojë për pedagogë të zotë dhe i mbajmë aty. 70% e studentëve tanë që bëjnë praktika në klinika apo në spitale shtetërore janë punësuar”, deklaroi dekani.
Duke u ndalur te cilësia e mësimdhënies, Dr. Bara tha se Fakulteti i Shkencave Mjekësore në Luarasi synon të ofrojë një formim në përputhje me standardet bashkëkohore.
“Cilësia e mësimdhënies në Fakultetin e Shkencave Mjekësore të Luarasi është në nivel bashkëkohor. Kemi shumë emra me rëndësi, si Xheladin Çeqa, pjesë e stafit akademik. Vizioni i Universitetit Luarasi dhe i Fakultetit të Shkencave Mjekësore është që të kemi një fakultet shkencor ekselent, siç është godina apo edhe niveli i pedagogëve”, u shpreh ai.
Sipas Dr. Barës, kombinimi mes formimit teorik, praktikave profesionale dhe eksperiencës së stafit akademik është një nga faktorët kryesorë që synon të përgatisë profesionistët e rinj për tregun e punës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Luarasi universiteti
