Lajme Zone
“Bizneset do kursejnë 1 miliardë lekë në vit”/ Guvernatori i BSH, Gent Sejko jep lajmin e mirë: Në nëntor Shqipëria pjesë e pagesave të shpejta TIPS
EkonomiBalkanWeb

“Bizneset do kursejnë 1 miliardë lekë në vit”/ Guvernatori i BSH, Gent Sejko jep lajmin e mirë: Në nëntor Shqipëria pjesë e pagesave të shpejta TIPS

Në muajin nëntor Shqipëria hedh hapin e fundit në integrimin e plotë në sistemin europian të pagesave. Këtë e bëri të ditur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në komunikimin e tij mujor me mediat.

Në muajin nëntor Shqipëria hedh hapin e fundit në integrimin e plotë në sistemin europian të pagesave. Këtë e bëri të ditur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në komunikimin e tij mujor me mediat. Sipas guvernatorit Sejko, biznesi dhe qytetarët, me anë të pagesave të shpejta, fitojnë kohë dhe kursejnë të ardhura të konsiderueshme. “Banka e Shqipërsië pas implementimit të sistemit SEPA po punon së bashku më Bankën Qëndrore të Italisë dhe BQE për implemnetimin edhe të sistemit TIPS, që është një klon i atij Italian. Me këtë hap që përfn në nëntor ne do të jemi plotësisht të integruar në sistemet europiane të pagesave, duke kursyer kohë dhe para. Sikur vetëm gjysma e pagesave të kalojnë në systemin TIPS individët kursejnë gjysmë miliardi lekë kurse bizneset kursejnë 1 miliardë lekë në vit. Kjo shkon gjithashtu në një linjë me objektivin tonë për formalizimin e ekonomisë”, tha guvernatori Sejko. Pyetje: Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, deklaroi javën e kaluar se pret që Shqipëria t’i bashkohet platformës TIPS Clone në muajin nëntor. A mbetet ky afat objektiv edhe për Bankën e Shqipërisë dhe cilat do të jenë përfitimet konkrete që do të sjellë kjo platformë për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare?

Guvernatori, Gent Sejko: Është e vërtetë dhe unë e ndoqa dhe dëgjova deklaratën e zonjës Lagarde. Ne parashikojmë dhe objektivi ynë është që në muajin nëntor, maksimumi në fund të muajit nëntor të jemi efektiv me implementimin e sistemit TIPS Clone, i cili është një klonim i sistemit evropian të pagesave të shpejta (instant payments), siç e quajmë. Banka e Shqipërisë ka kohë që punon për këtë projekt dhe aktualisht ndodhemi në një fazë intensive dhe përmbyllëse të implementimit të këtij sistemi, në bashkëpunim me Bankën e Italisë, Bankën Qendrore Evropiane dhe sistemin bankar në vend.

Natyrisht, ky është një sistem pagesash të shpejta, i cili do të krijojë lehtësi të mëdha dhe kursime si në kohë, ashtu edhe në para, për të gjithë konsumatorët, individët dhe bizneset shqiptare. Është një sistem mjaft i avancuar, i cili përdoret në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Banka e Shqipërisë, pas anëtarësimit dhe implementimit në sistemin SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), ka punuar dhe po punon për të implementuar edhe sistemin TIPS Clone, pra klonimin e sistemit TIPS, në bashkëpunim me Bankën e Italisë. Praktikisht, me implementimin e këtij sistemi, ne do të jemi plotësisht të integruar me sistemin evropian të pagesave, si në SEPA, ashtu edhe në sistemin e pagesave të shpejta. Pra, duhet të jemi të kënaqur dhe të kuptojmë se, nga pikëpamja e sistemeve të pagesave, në muajin nëntor do të jemi plotësisht të integruar me sistemin evropian.

Analizat dhe përllogaritjet që kemi bërë tregojnë se ekonomia shqiptare do të përfitojë ndjeshëm. Nëse do të kemi një përfshirje të gjerë të pagesave elektronike me implementimin e TIPS Clone, sistemi financiar do të gjenerojë kursime potenciale deri në 35 miliardë lekë, ndërsa ekonomia në tërësi do të gjenerojë kursime deri në 38 miliardë lekë në vit. Ky është një parashikim që bazohet në një përdorim të gjerë të pagesave elektronike pas implementimit të sistemit TIPS Clone.

Ndërkohë, nga përllogaritjet tona rezulton se, edhe nëse vetëm gjysma e pagesave dhe transfertave kryhen përmes sistemit TIPS Clone, individët do të kursejnë rreth gjysëm miliardë lekë në vit, ndërsa bizneset do të kursejnë rreth 1 miliard lekë në vit. Këto janë kursime të konsiderueshme, si në nivel ekonomie, ashtu edhe për individët dhe bizneset, si rezultat i implementimit të këtij sistemi.

E rëndësishme është se ky sistem jo vetëm që na afron me integrimin evropian në fushën e sistemeve të pagesave, por ecën paralelisht edhe me objektivat tona në luftën kundër informalitetit dhe në rritjen e përfshirjes financiare të popullatës dhe të bizneseve.

Gjithsesi, për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt pyetjes suaj, konfirmoj se ne parashikojmë që në muajin nëntor të jemi operacionalë me sistemin TIPS Clone, ashtu siç u komunikua edhe nga Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, zonja Christine Lagarde.

Fjala e plotë e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare

Sot, në datën 5 gusht 2026, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

Megjithëse ambienti i huaj mbetet sfidues, të dhënat e reja të marra në analizë sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar të ruajë një trend pozitiv zhvillimi në tremujorin e dytë të vitit.

Vëllimi i aktivitetit ekonomik ka vijuar të rritet, me ritme të krahasueshme, ndonëse disi më të ulëta se ato të tremujorit të parë. Inflacioni i çmimeve të konsumit erdhi në rritje, si pasojë e efekteve direkte dhe indirekte të rritjes së çmimeve të naftës në tregjet e huaja, si dhe e kërkesës së qëndrueshme për mallra e shërbime. Megjithatë, niveli i inflacionit mbetet i kontrolluar dhe pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Këto zhvillime ishin në linjë me pritjet tona. Ndër të tjera, ato pasqyrojnë edhe efektin e politikës monetare të kujdesshme të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Kjo politikë ka mundësuar kontrollin e pritjeve për inflacionin, funksionimin e qetë të tregjeve financiare, si dhe ka kontribuuar në gjenerimin e kushteve monetare të përshtatshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

Përditësimi i parashikimeve për të ardhmen sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të qëndrojë në një trajektore pozitive të rritjes ekonomike dhe pranë potencialit. Po ashtu, inflacioni parashikohet të qëndrojë pranë, por mbi objektiv, në periudhën afatshkurtër dhe të zbresë gradualisht drejt objektivit në periudhën afatmesme. Në këto rrethana, goditja e ofertës nga tregjet ndërkombëtare pritet të ketë efekte kalimtare në ekonominë e vendit.

Bazuar në këto konsiderata, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare.

[ Më lejoni t’ju ofroj, në vijim, një pasqyrë më të detajuar të opinionit tonë mbi zhvillimet ekonomike e financiare, si dhe të detajoj vendimin e politikës monetare dhe arsyet që e motivuan atë. ]

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 3.0% në tremujorin e dytë të vitit, duke ardhur në rritje nga vlera e tremujorit paraardhës. Megjithatë, rritja e inflacionit në vend ka qenë e përmbajtur dhe ky tregues vijon të jetë në linjë me pritjet tona. Kjo ecuri u diktua si nga ecuria e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, në ngjashmëri me zhvillimet në ekonomitë partnere, ashtu dhe nga niveli i lartë dhe e i qëndrueshëm i kërkesës agregate në vend.

Rritja e inflacionit në tremujorin e dytë ishte në përputhje me pritjet tona.

Nga këndvështrimi i strukturës së shportës së konsumit, rritja e inflacionit gjatë këtij tremujori u ndikua nga rritja e çmimeve të transportit, të ushqimeve të papërpunuara dhe të disa artikujve të shërbimeve. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve me çmime të rregulluara shënoi rënie, ndërsa inflacioni i çmimeve të qirave vijoi të qëndrojë në nivele relativisht të larta.

Në aspektin makroekonomik, ecuria e inflacionit gjatë kësaj periudhe është nxitur nga rritja e presioneve të brendshme e të huaja inflacioniste. Në veçanti, kërkesa e lartë për mallra e shërbime është pasqyruar në një pozicion ciklik pozitiv të ekonomisë shqiptare dhe në rritje të inflacionit bazë e atij të brendshëm gjatë tremujorit të dytë. Po ashtu, rritja e çmimit të naftës dhe të produkteve energjetike në tregjet e huaja ka pasur efekte direkte dhe indirekte rritëse në inflacionin e importuar, efekte të cilat janë zbutur vetëm pjesërisht nga forcimi i kursit të këmbimit. Megjithatë, duke përjashtuar inflacionin e lartë të qirave, inflacion, i cili pritet të ketë natyrë kalimtare, presionet e brendshme mbeten në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve.

Informacioni i disponuar sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme solide gjatë gjysmës së parë të vitit. Paralelisht me të, borxhi publik dhe ai i huaj kanë ardhur në rënie, bilancet financiare të bizneseve dhe familjeve janë likuide, sektori bankar paraqitet solid dhe rezistent ndaj goditjeve, ndërkohë që tregjet financiare shfaqen të qeta.

Rritja ekonomike vijon të ushqehet nga bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, pritjet për të ardhmen, të ardhurat nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme monetare e financiare. Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3.7% gjatë tremujorit të parë, i mbështetur nga zgjerimi i konsumit familjar, investimeve të bizneseve dhe eksportit të mallrave e shërbimeve. Nga ana tjetër, politika fiskale ruajti një natyrë konsoliduese dhe impulsi fiskal mbeti në territor negativ. Të dhënat indirekte të tremujorit të dytë sugjerojnë se ritmi i rritjes ekonomike ka qëndruar në nivele solide, ndonëse disi më të ulëta se ato të tremujorit paraardhës.

Kjo tablo pasqyron, ndër të tjera, edhe kontributin pozitiv të politikës sonë të kujdesshme monetare. Reagimi në kohë dhe konsistent ndaj zhvillimeve në inflacion ka bërë të mundur ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, kontrollin e pritjeve për inflacionin, funksionimin e qetë të tregjeve financiare, frenimin e shpejtësisë së forcimit të kursit të këmbimit, si dhe përmirësimin e kushteve të financimit.

Tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi, si dhe një përqasje pozitive ndaj kreditimit. Këto kushte financiare janë pasqyruar në zgjerimin e shpejtë dhe me bazë të gjerë të kredisë për sektorin privat. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 14% gjatë tremujorit të dytë, duke vijuar të ruajë orientimin e tij drejt financimit të projekteve të investimit të bizneseve dhe blerjes së banesave nga familjet. Kjo ecuri sugjeron se kredia bankare ka vijuar të mbështesë zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të sektorit privat, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. Gjithashtu, kreditimi i sektorit privat po shfaq një orientim të rritur drejt Lekut dhe vijon të ketë tregues të mirë cilësie, sikundër duket nga rënia e vazhdueshme e raportit të kredisë me probleme.

Përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të qëndrojë në një trajektore pozitive zhvillimi në të ardhmen.

Vëllimi i aktivitetit ekonomik do të vazhdojë të zgjerohet gjatë periudhës në vijim. Rritja ekonomike do të ushqehet nga bilancet likuide të sektorit privat, ambienti i favorshëm financiar dhe pritjet për të ardhmen, si dhe të pasqyrohet në rritje të konsumit e të investimeve, si dhe të punësimit e të pagave në vend. Megjithatë, ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë dy viteve të ardhshme, duke krijuar premisa për një balancim më të mirë të kërkesës me ofertën agregate.

Paralelisht me të, inflacioni i çmimeve të konsumit pritet të qëndrojë lehtësisht mbi objektiv në afatin e shkurtër dhe të kthehet gradualisht drejt tij gjatë tremujorëve në vijim. Parashikimi i një niveli inflacioni mbi objektiv në afatin e shkurtër faktorizon pritjet tona për vijimin e efekteve indirekte të goditjes së ofertës në tregjet ndërkombëtare, si dhe për një nivel relativisht të lartë të inflacionit të qirave në këtë horizont kohor. Nga ana tjetër, parashikimi për reduktimin gradual të inflacionit drejt objektivit në afatin e mesëm mbështetet në pritjet tona për një ecuri të balancuar të kërkesës dhe ofertës agregate, për një rritje të kontrolluar të kostove të prodhimit, si dhe pritjet e ankoruara të bizneseve e tregjeve financiare. Gjithashtu, skenari bazë bazohet në supozimin e një normalizimi të shpejtë të presioneve të ofertës në tregjet ndërkombëtare, si dhe të ruajtjes së kahut konsolidues të politikës fiskale në vitet në vijim.

Megjithatë, tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Ndikimi i këtij konflikti në tregjet ndërkombëtare e mban balancën e rreziqeve të zhvendosur në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike në afatin e mesëm.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

• të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;

• të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;

• të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për momentin. Ky qëndrim mundëson përmbushjen e parashikimeve të skenarit bazë, duke i ofruar ekonomisë shqiptare kushte të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv. Gjithashtu, ai adreson pasigurinë mbi ecurinë e ekonomisë dhe të inflacionit në të ardhmen, si dhe efektin frenues në inflacion të kahut konsolidues të politikës fiskale dhe të forcimit të kursit të këmbimit.

Këshilli Mbikëqyrës thekson se reagimi i politikës monetare do të vijojë të orientohet, në çdo rast, drejt respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve. Në këtë kontekst, ai vëren se një inflacion mbi objektiv, i zgjatur në kohë ose i shkëputur ndjeshëm prej tij, rrezikon të shndërrohet në presione inflacioniste të qëndrueshme dhe afatgjata.

Në këtë kuadër, Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes e në vazhdimësi situatën. Bazuar në të dhënat e reja, ai mbetet i gatshëm të reagojë në kohën, kahun dhe me forcën e duhur, ndaj çdo rreziku material mbi stabilitetin e çmimeve. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Gent Sejko