"Shkruaje te lista, sapo të marr pagën do të vij ta shlyej."
Është një fjali që dëgjohet gjithnjë e më shpesh në marketet e vogla të lagjeve. Shitësi nuk habitet më. Merr fletoren e vjetër të borxheve, shënon emrin, datën dhe shumën, ndërsa në qese fut bukën, qumështin, vajin apo makaronat. Pagesa do të bëhet më vonë, kur të hyjë paga, pensioni apo ndihma ekonomike.
Për mijëra familje shqiptare, kjo nuk është një situatë e përkohshme, por mënyra e vetme për të mbyllur muajin pa mbetur pa ushqime.
Fletorja e borxheve po mbushet gjithnjë e më shumë
Në shumë markete lagjesh në Tiranë, blerja "me listë" vazhdon të jetë një praktikë e përditshme.
Miri, pronar i një marketi pranë zonës së Vilave Gjermane, thotë se fenomeni jo vetëm që nuk është zhdukur, por është bërë edhe më i zakonshëm vitet e fundit.
"Janë klientë që i njohim prej shumë kohësh. Shumica janë familje që nuk arrijnë ta çojnë pagën deri në fund të muajit. Në listë futen pothuajse gjithmonë produktet bazë; bukë, qumësht, vaj, sheqer, oriz, makarona apo detergjentë. Nuk bëhet fjalë për luks," tregon ai.
Sipas tij, pas rritjes së ndjeshme të çmimeve në vitet pas pandemisë, kërkesat për të marrë produkte me borxh janë shtuar ndjeshëm.
"Ka edhe njerëz që punojnë çdo ditë, por paga nuk u del. Kjo është bërë realitet."
E njëjta situatë përsëritet edhe në Shkozë.
Donika, e cila administron një market të vogël, thotë se më së shumti kërkojnë të marrin ushqime me listë pensionistët dhe familjet me shumë anëtarë.
"Ka familje që vijnë disa herë gjatë muajit dhe i shlyejnë detyrimet sapo marrin pensionin, pagën ose ndihmën ekonomike."
Borxhet regjistrohen ende në një fletore të thjeshtë, ku shënohen emri, data dhe produktet e marra.
"Kjo na vështirëson edhe neve si biznes, sepse kemi furnitorët dhe detyrimet tona. Por kur dikush kërkon bukë apo qumësht për fëmijët, është shumë e vështirë t'i thuash jo."
Ndryshe nga supermarketet e mëdha, ku një mundësi e tillë nuk ekziston, marketet e lagjeve vazhdojnë ta mbajnë mbi supe këtë barrë sociale, duke u bërë shpesh shpëtimi i fundit për familjet që nuk arrijnë të përballojnë jetesën, raporton ACQJ.
Një vëzhgim në disa zona të kryeqytetit, mes tyre Shkoza, Lapraka, Rruga e Elbasanit, Siri Kodra dhe Vilat Gjermane, tregon se "lista e bukës" mbetet ende një mekanizëm mbijetese për qindra familje.
Pas listës fshihet një krizë ekonomike
Fletorja e borxheve është vetëm pasqyra e një problemi shumë më të madh.
Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet me fuqinë më të ulët blerëse në Ballkanin Perëndimor. Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë përllogaritet në rreth 42% të mesatares së Bashkimit Europian, një tregues që reflektohet drejtpërdrejt në standardin e jetesës së qytetarëve.
Gjergji, baba i tre fëmijëve, tregon se inflacioni i viteve të fundit ka ndryshuar tërësisht mënyrën si jeton familja e tij.
"Pagat kanë mbetur pothuajse në vend, ndërsa çmimet rriten vazhdimisht. Kemi hequr dorë nga çdo shpenzim që nuk është jetik. Më e vështira është kur duhet t'u thuash fëmijëve se nuk mund t'ua plotësosh dëshirat."
4 në 10 shqiptarë në rrezik varfërie
Sipas aktivistit dhe përfaqësuesit të organizatës "Qëndresa Qytetare", Kolindo Vjerdha, rreth 40.3% e popullsisë shqiptare ndodhet në rrezik varfërie ose përjashtimi social.
Ai thekson se afro 461 mijë shqiptarë jetojnë nën pragun e rrezikut për varfëri, ndërsa 32.8% përballen me privim të rëndë material dhe social.
"Pragu i rrezikut për varfëri llogaritet rreth 27 mijë lekë në muaj për frymë, ndërkohë që niveli i përgjithshëm i çmimeve është rritur me rreth 21% krahasuar me vitin 2020", shpjegon ai.
Një raport mbi minimumin jetik kishte arritur më herët në përfundimin se rreth 40% e shqiptarëve jetojnë me afërsisht 5.5 dollarë në ditë, një nga nivelet më të larta të varfërisë në rajon.
Ndihma ekonomike nuk mbulon as nevojat bazë
Në të gjithë vendin, rreth 56 mijë familje trajtohen me ndihmë ekonomike.
Megjithëse numri i përfituesve ka rënë në vitet e fundit, ekspertët argumentojnë se kjo nuk lidhet domosdoshmërisht me përmirësimin e mirëqenies, por me kriteret më të forta për përfitimin e skemës.
Vetëm në Tiranë trajtohen zyrtarisht 2,269 familje me ndihmë ekonomike, por mbështetja financiare mbetet shumë larg kostos reale të jetesës.
Nga dëshmitë e qytetarëve rezulton se një familje me 3 deri në 4 anëtarë shpenzon mesatarisht nga 35 mijë deri në 60 mijë lekë në muaj vetëm për ushqime, ndërsa ndihma ekonomike nuk arrin të mbulojë as një pjesë të kësaj vlere.
Për këtë arsye, shumë familje vazhdojnë të mbështeten te "lista e bukës" për të siguruar produktet më të domosdoshme.
Një rreth vicioz nga i cili është e vështirë të dilet
Edhe Avokati i Popullit ka ngritur shqetësimin se mungesa e një minimumi jetik të përcaktuar me ligj bën që pagesat sociale të mbeten në nivele të pamjaftueshme për një jetesë dinjitoze.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Qendrës "Alert", Granit Sokolaj, e përshkruan situatën si një rreth vicioz.
"Sapo marrin pagën ose pensionin, një pjesë e madhe e parave shkon menjëherë për të shlyer borxhet e muajit të kaluar në market. Paratë që mbeten nuk mjaftojnë për muajin e ri dhe familjet detyrohen të hapin sërish një listë tjetër. Kështu cikli vazhdon pa fund."
Presioni ekonomik nuk kufizohet vetëm te ushqimet. Shumë familje detyrohen të zgjedhin mes blerjes së bukës, pagesës së faturave të energjisë, ujit apo sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit.
Në raftet e marketeve të lagjeve, pranë arkës, fletorja e borxheve vazhdon të hapet çdo ditë. Për dikë është thjesht një bllok shënimesh, por për qindra familje shqiptare ajo mbetet garancia e vetme se në tryezën e shtëpisë do të ketë diçka për të ngrënë edhe ditën e nesërme.

