Foto Ilustruese / Krimi i organizuar po depërton gjithnjë e më thellë në ekonominë e ligjshme, financat dhe bizneset evropiane. Dallimet mes sistemeve juridike të shteteve kombëtare, u krijojnë mafieve hapësirë për të lëvizur kapitalet, fshehur përfituesit realë dhe shmangur ndjekjen e strukturave drejtuese. Në Bashkimin Evropian veprojnë sot rreth 4 mijë organizata kriminale me tipare mafioze. Është një shifër alarmante, e cila bëhet edhe më shqetësuese për shkak se këto struktura shfrytëzojnë në favorin e tyre dallimet e thella mes legjislacioneve të shteteve anëtare. Studimi ynë mbi këtë fenomen tregon se Evropa mbetet ende tepër e cenueshme, ndërsa krimi transnacional lëviz me lehtësi nga tregjet ilegale drejt ekonomisë së ligjshme.
Shumë shtete anëtare, mes tyre Gjermania, Holanda, Belgjika dhe Suedia, vazhdojnë ta konsiderojnë mafien si një problem të kufizuar ose si një fenomen që nuk përbën kërcënim serioz, të lidhur kryesisht me Italinë ose, në rastin më të gjerë, me Evropën Lindore.
Ky këndvështrim i gabuar, e pengon kuptimin e natyrës së vërtetë të mafieve bashkëkohore. Sot, organizatat kriminale nuk kufizohen më te kontrolli i dhunshëm i territorit. Ato janë integruar në mënyrë të përsosur në ekonominë e ligjshme dhe në sistemin financiar, korruptojnë dhe riinvestojnë fitimet e paligjshme në pasuri të paluajtshme dhe kompani që në pamje të parë duken krejtësisht të ligjshme.
Në këtë mënyrë, mafiet jo vetëm shfrytëzojnë dobësitë e tregut, por shtrembërojnë konkurrencën e lirë, depërtojnë në kontratat dhe tenderët publikë dhe dëmtojnë besimin te institucionet evropiane.
Krimi i organizuar nuk është më thjesht një çështje e rendit publik apo e sigurisë. Ai është shndërruar në një kërcënim ekonomik dhe institucional që mund të depërtojë në zemër të tregut të përbashkët evropian.
Rreziku kryesor, qëndron te mungesa e një legjislacioni të unifikuar antimafia. Në vendet ku nuk ekziston një vepër penale specifike e krahasueshme me nenin 416-bis të Kodit Penal italian, autoritetet mund të ndjekin penalisht vetëm veprat individuale, si trafikimi i drogës, zhvatja apo pastrimi i parave, duke lënë në hije strukturën e organizuar që i bën të mundshme këto krime.
Pasojat praktike të kësaj mangësie janë serioze. Goditet vepra konkrete penale, por bëhet jashtëzakonisht e vështirë të rindërtohet e gjithë rrjeta kriminale dhe të përcaktohen përgjegjësitë e drejtuesve të saj.
Shpeshherë ndërhyrja ndodh vetëm pasi krimet bëhen të dukshme, ndërsa më pak vëmendje i kushtohet proceseve të akumulimit të pasurisë dhe blerjes së heshtur të kompanive në vështirësi financiare.
Legjislacionet jo mjaftueshëm transparente për shoqëritë tregtare, së bashku me dallimet mes juridiksioneve, u japin mundësi organizatave kriminale të transferojnë me lehtësi kapitalet e paligjshme nga një shtet në tjetrin dhe të fshehin përfituesit e tyre realë.
Në shumë juridiksione evropiane, mungesa e mjeteve hetimore të specializuara për gjurmimin e flukseve financiare u krijon mafieve mundësinë të lulëzojnë të pashqetësuara pas fasadës së bizneseve të ligjshme, nga restorantet te kompanitë e logjistikës.
Përballë kësaj situate, përgjigjja nuk mund të kufizohet vetëm në ashpërsimin e dënimeve. Nevojitet një strategji evropiane parandaluese dhe e koordinuar, e mbështetur në disa ndërhyrje që nuk mund të shtyhen më tej.
Së pari, në të gjitha shtetet anëtare duhet të vendoset një përkufizim i përbashkët ligjor që mundëson ndjekjen penale të organizatave të ndërtuara mbi metodën mafioze.
Së dyti, kompetencat e Prokurorisë Publike Evropiane (EPPO) duhet të zgjerohen edhe te veprat penale me karakter mafioz që kanë dimension transnacional ose që prekin interesat financiare të Bashkimit Evropian.
Në të gjithë BE-në duhet të harmonizohen edhe rregullat për konfiskimin e pasurive të paligjshme, duke përfshirë konfiskimin parandalues dhe konfiskimin e zgjeruar, në mënyrë që fitimet kriminale të mos shndërrohen në fuqi ekonomike.
Po aq i rëndësishëm është forcimi i ndjeshëm i mekanizmave për identifikimin e pronarëve dhe përfituesve realë të kompanive, si dhe mbikëqyrja e transaksioneve të dyshimta. Një tjetër hap i domosdoshëm, është përmirësimi i shkëmbimit në kohë të informacionit mes autoriteteve hetimore, gjyqësore dhe financiare.
Kjo duhet të shoqërohet me trajnime të specializuara për prokurorët, gjyqtarët dhe forcat e policisë, veçanërisht në analizimin e rrjeteve të kompanive dhe gjurmimin e lëvizjeve të kapitalit.
Pa këto reforma minimale strukturore, dallimet ligjore dhe administrative do të vazhdojnë të jenë një avantazh i madh për mafiet bashkëkohore. Organizatat kriminale mendojnë dhe veprojnë tashmë përtej kufijve kombëtarë, ndërsa institucionet shpesh vazhdojnë t’i përgjigjen krimit brenda kufijve të juridiksioneve të tyre.
Një veprim i bashkërenduar ligjor në nivel evropian, mbetet rruga për të mbrojtur tregun e ligjshëm dhe për të parandaluar që krimi i organizuar të vazhdojë të bëjë biznes duke kapërcyer pa pengesa kufijtë e Evropës./Pamfleti nga “Huffington Post Italia”evropa nën kthetrat e mafias 4 mijë organizata kriminale Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Horror në një shkollë të mesme në Stamboll, plagosen me thikë 7 nxënës; 3 prej tyre në gjendje kritike 6 Tetor 2026, 09:5109:51Rajoni dhe Bota Serbia para zgjedhjeve vendimtare, a e pret Vuçiçin fati i Millosheviçit? 6 Tetor 2026, 08:4108:41Rajoni dhe Bota Video/ Gruaja e Vance rrezikoi të binte nga shkallët e avionit me foshnjën, reagimi i ushtarëve bën xhiron e rrjetit 6 Tetor 2026, 08:3708:37Rajoni dhe Bota Vijon ofensiva kundër Houthi-ve, Jemeni merr kontrollin e Ngushticës së Bab al-Mandab 6 Tetor 2026, 08:2908:29Rajoni dhe Bota Sulm i gjerë ukrainas me dronë në Moskë, një i vrarë dhe gjashtë të plagosur 6 Tetor 2026, 08:1708:17Rajoni dhe Bota Nga Brexit-i te Europa: Pse kthesa e Burnhamit mund të jetë shpëtimi i heshtur i konservatorëve 6 Tetor 2026, 07:4007:40Rajoni dhe Bota

