Një 35-vjeçar shqiptar është identifikuar si viktima e vrasjes së rëndë në San Giorgio delle Pertiche, në Itali. Bëhet fjalë për Ferdinant Hotin, banues në Mirano, trupi i të cilit u gjet në një Fiat Bravo të zhytur në lumin Tergola. Identifikimi u bë përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe provave të tjera të mbledhura nga hetuesit. Sipas autopsisë, 35-vjeçari është qëlluar me armë zjarri nga një distancë e afërt, ndërsa në momentin e ekzekutimit i kishte duart të lidhura. Ekspertiza mjeko-ligjore ka përcaktuar se viktima kishte ndërruar jetë para se trupi të hidhej në ujë, pasi nuk u gjetën shenja uji në mushkëri. Karabinierët po rindërtojnë lëvizjet e shqiptarit gjatë mbrëmjes së 7 shtatorit, ndërsa po analizohen kamerat e sigurisë në zonë për të identifikuar personat me të cilët ai është takuar. Ndërkohë, përmes numrit të shasisë është identifikuar edhe pronari i Fiat Bravo-s, një banor i provincës së Venecias, i cili nuk kishte raportuar vjedhjen e automjetit. Hetuesit po e marrin në pyetje për të sqaruar rolin e tij në ngjarje. Gjetja e trupit në një thes të zi, i mbuluar me goma automjetesh, si dhe zhytja e makinës në lumë, kanë përforcuar dyshimet se bëhet fjalë për një vrasje të planifikuar dhe një përpjekje për të fshehur gjurmët. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Italia shqiptar vritet

