Aktivisti Bledi Meti, nga Anglia, ka folur për protestën e 12 shtatorit dhe për rolin që duhet të ketë diaspora në zhvillimet politike në Shqipëri. Në një prononcim për News24, ai tha se protesta ka nevojë për një drejtim të qartë, pa e përjashtuar krijimin e një strukture që do t’i bëjë sfidë qeverisë. “Besoj se protesta mbase ka nevojë për një drejtim, jo domosdoshmërisht të krijojë forcë politike, por të ketë kryesi që t’i krijojë sfidë kryeministrit. Edhe kushtrimi që dha Kardinali Ernest Troshani, ku tha se gjysma e popullit jetojnë jashtë, ajka e kombit. Si ka mundësi që kjo elitë të mos bashkohet dhe më pas të krijojë një kohezion ndryshe dhe t’i krijojë sfidë Ramës dhe frymëzim për protestën? Më pas, kjo kryesi e protestës do të hynte në negociata me selitë e diplomacisë, me atë të SHBA-ve dhe BE-së. Nuk e kemi synim medoemos krijimin e partisë politike. Me këtë Kod Zgjedhor, kjo do të ishte vetëvrasja, pasi Rama jo vetëm do të merrte 83 mandate, por 100 dhe do na i plaste në sy ato kartonat jeshilë. Berisha dhe partitë e tjera kanë thënë se janë pro një qeverie tranzitore dhe që na sjell procese të mirëfillta demokratizuese, pra kërkesa që sheshi i ka thënë.”, tha ai. Duke folur për ardhjen e diasporës në Shqipëri më 12 shtator, Meti tha se lëvizja ka nisur nga Britania e Madhe dhe shprehu bindjen se rikthimi i shqiptarëve në shesh do të jetë shumë më i madh. “Itinerari i diasporës për të ardhur në Shqipëri? Marshimi i parë ka nisur nga Britania. Besoj se, duke pasur luksin dhe eksperiencën e kthimit të parë dhe të dytë, besoj se kthimi më 12 shtator nuk do të jetë dallgë, por cunam për Edi Ramën. I referohem fakteve dhe kontakteve me diasporën.”, theksoi ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
