Lajme Zone
Elon Musk i shpall luftë dokumentarit për jetën e tij, avokati kërcënon producentët me gjyq
BotëGazeta Tema

Elon Musk i shpall luftë dokumentarit për jetën e tij, avokati kërcënon producentët me gjyq

Elon Musk ka ndërmarrë një tjetër përplasje publike, këtë herë me producentët e dokumentarit të ri që i kushtohet jetës dhe karrierës së tij.

Elon Musk ka ndërmarrë një tjetër përplasje publike, këtë herë me producentët e dokumentarit të ri që i kushtohet jetës dhe karrierës së tij.

Avokati i miliarderit, Alex Spiro, u ka dërguar një letër paralajmëruese producentëve të filmit “Musk”, duke kërcënuar me veprime ligjore dhe duke akuzuar ekipin e filmit se ka paraqitur informacione të pasakta dhe potencialisht shpifëse.

Sipas “People”, letra e Spiros është dërguar më 3 shtator dhe i drejtohet ekipit të dokumentarit, të drejtuar nga regjisori i njohur Alex Gibney. Avokati pretendon se filmi është ndërtuar mbi një përfundim të paracaktuar dhe se ekipi nuk ka bërë verifikimet e nevojshme me Musk apo përfaqësuesit e tij.

Një prej pikave që ka shkaktuar më shumë debat lidhet me Starlink. Ekipi ligjor i Musk kundërshton mënyrën se si dokumentari e paraqet mundësinë që rrjeti i satelitëve të jetë përdorur për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2024.

Spiro argumenton se Starlink nuk është i lidhur me sistemet e numërimit të votave dhe se dokumentari krijon një përshtypje të rreme për rolin e Musk në zgjedhje. Avokati ka kërkuar gjithashtu që materialet dhe dokumentet që lidhen me prodhimin e filmit të ruhen në rast të një procesi gjyqësor.

Nga ana tjetër, kompania e prodhimit Jigsaw Productions ka mbrojtur punën e Gibney, duke e cilësuar dokumentarin si një shqyrtim faktik të një figure publike dhe duke argumentuar se ai mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.

Dokumentari, i cili zgjat rreth katër orë, u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia dhe përfshin dëshmi nga persona të afërt me Musk, mes tyre ish-bashkëshortja e tij Justine Wilson, ish-partnerja Ashley St. Clair, babai i tij Errol Musk dhe bashkëthemeluesi i Tesla-s, Martin Eberhard. Musk nuk ka marrë pjesë në dokumentar dhe e ka cilësuar më herët atë si një “hit piece”, pra një film të bërë për ta sulmuar atë.

Vetë Gibney ka thënë në Venecia se gjatë realizimit të dokumentarit disa persona kishin frikë të flisnin publikisht për Musk, për shkak të ndikimit të madh që ai ka.

Ndërkohë, Musk ka reaguar ashpër edhe publikisht ndaj regjisorit, duke e akuzuar për mungesë integriteti dhe duke e cilësuar filmin si një sulm të njëanshëm ndaj tij.

Burimi: People