Një pjesë e aksit rrugor Elbasan–Cërrik do të jetë e bllokuar gjatë ditës së sotme, për shkak të punimeve për riparimin e Kanalit “Naum Panxhi”. Bëhet fjalë për segmentin Mjekës–Kuqan, në Njësinë Administrative Shirgjan, ku kanali pësoi dëmtime disa javë më parë. Gjatë kohës së punimeve, qarkullimi i mjeteve do të devijohet në itinerarin Kanali me Kama–Bugjes–Kuqan. Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake do të jenë në terren për menaxhimin e trafikut dhe orientimin e drejtuesve të mjeteve. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të tregojnë kujdes, të respektojnë sinjalistikën dhe të ndjekin udhëzimet e policisë deri në përfundimin e punimeve.
