Një operacion policor në Ekuador, i zhvilluar në bashkëpunim me Europol dhe Gardën Civile të Spanjës, çoi të enjten në arrestimin e 21 personave, të dyshuar si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës. Mes të arrestuarve është edhe një nga financuesit e kreut të organizatës kriminale “Los Lobos”, sipas autoriteteve ekuadoriane. “Arrestuam Jackson Felipe Zambrano, një nga financuesit kryesorë të personit të njohur me pseudonimin ‘Pipo’”, njoftoi presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, përmes një postimi në rrjetin social X. LEXO edhe...'Do donim ta merrnim me qira pronën', karabinierët zbulojnë 2.4 kg kokainë në një ndërtesë në Itali, prangoset 36-vjeçari shqiptar Presidenti theksoi se rrjeti kriminal, i goditur në bashkëpunim me Gardën Civile spanjolle dhe Europol, agjencinë e Bashkimit Europian që mbështet hetimet e nisura nga shtetet anëtare, fshihte ngarkesa droge me një vlerë prej 1 miliard e 765 milionë dollarësh. Personi i njohur me pseudonimin “Pipo”, emri i vërtetë i të cilit është Wilmer Chavarría, është drejtuesi kryesor i “Los Lobos”, një prej organizatave kriminale më të mëdha në Ekuador, e shpallur nga Shtetet e Bashkuara si organizatë e huaj terroriste në vitin 2025. Ekuadori ka kërkuar ekstradimin e tij nga Spanja, ku ai ndodhet që prej vitit 2022. Rrjeti kriminal i goditur dyshohet se ka trafikuar më shumë se 42 tonë kokainë që nga viti 2019, deklaroi për mediat ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg. Ngarkesat e drogës dërgoheshin drejt Spanjës, Belgjikës, Portugalisë dhe Holandës. Gjatë operacionit, autoritetet kryen 23 kontrolle në provincat bregdetare Guayas dhe Los Ríos të Ekuadorit. Mes personave të arrestuar janë edhe dy efektivë policie në detyrë. Kjo nuk është hera e parë që operacionet e zhvilluara në bashkëpunim me forcat europiane të sigurisë zbulojnë përfshirjen e punonjësve aktivë të policisë në veprimtari kriminale. Sipas ministrit Reimberg, hetimet kanë zbuluar gjithashtu lidhje të dyshuara të 15 kompanive që eksportojnë fruta, kakao, produkte deti dhe lëndë drusore me mafian ballkanike. Rrjeti kriminal e siguronte drogën në Kolumbi dhe më pas e transportonte drejt Ekuadorit, prej nga ku ngarkesat dërgoheshin përmes rrugëve detare drejt Europës, sqaroi policia në një deklaratë zyrtare. Prokuroria e Ekuadorit njoftoi në rrjetin social X se masa ligjore ndaj personave të arrestuar do të përcaktohet nga një gjykatës gjatë orëve në vijim. Ekuadori ndodhet mes Kolumbisë dhe Perusë, dy vende që, sipas Kombeve të Bashkuara, renditen ndër prodhuesit më të mëdhenj të drogës në botë. Paralelisht me zgjerimin e organizatave kriminale, vendi është shndërruar në një qendër të rëndësishme logjistike për grumbullimin dhe shpërndarjen e drogës drejt tregjeve ndërkombëtare, sipas autoriteteve. Gjatë vitit 2025, autoritetet ekuadoriane sekuestruan më shumë se 214 tonë drogë, ndërsa nga fillimi i vitit 2026 deri më tani janë sekuestruar rreth 170 tonë, sipas të dhënave të bëra publike nga ministri i Brendshëm, John Reimberg. SI.E./E.H/ReportTv.al trafik droge ekuador Komento Komente Sondazhi i ditës: PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 60.7% Jo 33% Nuk e di 6.3% Vota total: 1858 Sondazhi i ditës: PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?
