Anëtarë të Kongresit Amerikan i kanë bërë thirrje Departamentit të Drejtësisë të hetojë imazhet e papublikuara më parë nga autopsia e Jeffrey Epstein. Kërkesa vjen pas një analize të re mjeko-ligjore të prezantuar në 16 nëntor, rezultatet e së cilës kundërshtojnë gjetjet zyrtare se ai u vetëvra në 2019. Eksperti i mjekësisë ligjore, Dr. Michael Freeman, njëkohësisht kryeredaktor i revistës ‘Journal of Forensic and Legal Medicine’, prezantoi gjetjet e tij në Londër ku deklaroi se dëmtimet e dokumentuara në autopsi përputhen më shumë me mbytjen me duar ose litar sesa me vetëvarjen. LEXO edhe... Vdekja e Jeffrey Epstein në vitin 2019 rikthehet në vëmendje, eksperti mjeko-ligjor kundërshton autopsinë: Nuk kreu vetëvrasje, por u vra në burg Sipas raportimeve nga media si BBC dhe CBS, Freeman analizoi dosjet mjekësore të siguruara nga vëllai i tij, Mark Epstein. Ai evidentoi shenja në qafë dhe gërvishtje të mundshme thonjsh mbi shenjën e litarit, gjakderdhje të thellë në shpatullën e majtë dhe dëmtime në fytyrë që sugjerojnë një përleshje fizike. Eksperti dhe ligjvënësit kanë ngritur shqetësime për faktin se trupi i Epstein u lëviz nga qelia para se të fotografohej pozicioni fillestar. Po ashtu, rripi i pëlhurës i përdorur nuk u ruajt për analiza dhe kamerat e sigurisë jashtë qelisë nuk funksiononin ditën e vdekjes. Pas publikimit të këtyre pamjeve grafike në media amerikane, disa ligjvënës në Uashington po kërkojnë që Departamenti i Drejtësisë t’i rishikojë këto prova në kuadër të transparencës mbi dosjet e çështjes Epstein. Robert Garcia, anëtar demokrat në dhomën e përfaqësuesve në kongres ka kërkuar gjithashtu në 18 nëntor përgjegjësi për mënyrën se si Departamenti i Drejtësisë ka trajtuar dosjet Epstein, zbatimi i plotë i ligjit për transparencën dhe ruajtja e të gjitha dokumenteve e komunikimeve. Zyra e Kryemjekut Ligjor të Nju Jorkut rikonfirmoi se qëndron pas vendimit të saj të vitit 2019, i cili e cilësoi vdekjen e Epstein si vetëvrasje pasi ai kishte varur veten. Deri më tani, autoritetet federale amerikane nuk kanë njoftuar hapjen e një hetimi të ri penal për shkakun e vdekjes. Publikimi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë i miliona dokumenteve, fotografive dhe videove nga dosja Jeffrey Epstein riktheu vëmendjen tek rrjeti i tij i lidhjeve me figura të fuqishme ndërkombëtare, por mbi të gjitha mbi abuzimet e kryera mbi viktimat. P.J/ReportTv.al kongresi amerikan Jeffrey Epstein dosja epstein Michael Freeman Komento Komente Sondazhi i ditës: A i reflekton shqetësimet e qytetarëve pr.buxheti 2027? Po 61.4% Jo 29.5% Nuk e di 9.1% Vota total: 2044 Sondazhi i ditës: A i reflekton shqetësimet e qytetarëve pr.buxheti 2027?

