Aktorë të huaj po përpiqen të manipulojnë informacionin dhe debatin publik në Shqipëri, me synimin për të penguar procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Paralajmërimi vjen nga eksperti i njohur francez David Colon, pedagog dhe studiues në Sciences Po, i specializuar në luftën kundër manipulimit të informacionit. Në një video të publikuar nga Instituti Francez në Tiranë, ai ngre shqetësimin për ndërhyrjet e shteteve të huaja që synojnë të shtrembërojnë perceptimin e realitetit në Shqipëri dhe të dobësojnë perspektivën e saj europiane. Ai e cilëson Shqipërinë si një nga vendet në vijën e parë të luftës globale të informacionit. LEXO edhe...Buxheti 2027, Hoxha tregon prioritetet e Ministrisë së Jashtme: Investim në kapacitetin e Shqipërisë si vend i ardhshëm anëtar i BE, forcojmë partneritetet strategjike “Kjo është arsyeja pse Shqipëria ndodhet sot në vijën e parë të frontit të kësaj lufte globale të informacionit. Aktorë shtetërorë përpiqen të ndërhyjnë në debatin publik shqiptar dhe të shtrembërojnë perceptimin e realitetit të këtij debati në nivel global, me qëllim dobësimin e mundësive të Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian gjatë viteve të ardhshme”, shprehet ai. Eksperti francez shpjegon se këto ndërhyrje realizohen përmes llogarive të rreme në rrjetet sociale dhe influencerave të paguar. Sipas tij, inteligjenca artificiale e ka shtuar rrezikun e manipulimit të informacionit. “Këto manipulime të informacionit dhe ndërhyrje të huaja karakterizohen, për shembull, nga përdorimi i llogarive të rreme në rrjetet sociale, përdorimi i influencuesve që paguhen në mënyrë të fshehtë, si dhe nga përdorimi i agjentëve të ndikimit”, thekson ai. Duke thënë se lufta kundër manipulimit të informacionit është një çështje që na përket të gjithëve, eksperti francez kërkon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimin e Bashkimit Europian për të luftuar manipulimin e informacionit dhe për të mbrojtur Shqipërinë, por jo vetëm, nga ndërhyrjet e huaja. Deklarata e plotë e ekspertit francez David Colomb Unë quhem David Colomb dhe jam pedagog dhe studiues i historisë në Sciences Po, autor i disa librave mbi historinë e informacionit dhe specialist në luftën kundër manipulimit të informacionit. Ajo që ne e quajmë manipulim të informacionit dhe ndërhyrje të huaj përfshin operacione përmes të cilave një shtet i huaj ndërhyn në debatin publik të një shteti tjetër, me qëllim manipulimin e perceptimeve ose, në disa raste, ndërhyrjen në proceset zgjedhore. Këto manipulime të informacionit dhe ndërhyrje të huaja karakterizohen, për shembull, nga përdorimi i llogarive të rreme në rrjetet sociale, përdorimi i influencuesve që paguhen në mënyrë të fshehtë, si dhe nga përdorimi i agjentëve të ndikimit, të cilët përhapin në mënyrë të fshehtë narrativa të caktuara në debatin publik, me qëllim shtrembërimin e tij. Sot, për shoqëritë civile, ndërhyrjet dhe manipulimet e huaja përbëjnë një sfidë madhore, për shkak të përdorimit të inteligjencës artificiale. Kjo është arsyeja pse Shqipëria ndodhet sot në vijën e parë të frontit të kësaj lufte globale të informacionit. Aktorë shtetërorë përpiqen të ndërhyjnë në debatin publik shqiptar dhe të shtrembërojnë perceptimin e realitetit të këtij debati në nivel global, me qëllim dobësimin e mundësive të Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian gjatë viteve të ardhshme. Pikërisht për këtë arsye, sot bashkëpunimi ndërkombëtar dhe angazhimi i Bashkimit Europian janë më të domosdoshëm se kurrë për të luftuar këto operacione, për t'i denoncuar publikisht sa herë që është e mundur, por edhe për të forcuar qëndrueshmërinë e shoqërisë shqiptare përballë këtyre ndërhyrjeve të huaja. Lufta kundër manipulimit të informacionit është, pra një çështje që na përket të gjithëve. SI.E./ReportTv.al dezinformimi David Colomb integrimi ne be Komento Komente Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve? Po 50.1% Jo 41.7% Nuk e di 8.3% Vota total: 653 Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve?

