Lajme Zone
Ekonomia shqiptare peng i parasë së pistë: Çfarë fshihet pas bumit të pronave dhe Lekut të fortë?!
PolitikëPolitiko
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Ekonomia shqiptare peng i parasë së pistë: Çfarë fshihet pas bumit të pronave dhe Lekut të fortë?!

Sekuestrimi nga SPAK i rreth 150 milionë eurove pasuri të paluajtshme të krijuara nga tregtimi i drogës riktheu debatin mbi varësinë e ekonomisë nga kapitali me burim të paligjshëm. Ekspertët parashikojnë dy vite të vështira dhe stabilizim gradual brenda pesë vjetësh, me përfitime më të mëdha për eksportet dhe prodhimin pas pesë deri në shtatë vjetësh. Teorikisht, nëse flukset e paligjshme do të z

Sekuestrimi nga SPAK i rreth 150 milionë eurove pasuri të paluajtshme të krijuara nga tregtimi i drogës riktheu debatin mbi varësinë e ekonomisë nga kapitali me burim të paligjshëm. Ekspertët parashikojnë dy vite të vështira dhe stabilizim gradual brenda pesë vjetësh, me përfitime më të mëdha për eksportet dhe prodhimin pas pesë deri në shtatë vjetësh. Teorikisht, nëse flukset e paligjshme do të zeroheshin llogaria e përgjithshme e ekspertëve do të ishte një shuarje që do të shkonte në rendin e 10 miliardë eurove për të gjithë ekonominë. Humbjet do të vinin nga ulja e çmimeve të banesave, duke shkaktuar presion financiar mbi ndërtuesit dhe bankat. Rikthimi i kursit të këmbimit në normalitet do të ulte fuqinë blerëse dhe do të rriste inflacionin e importuar.

Por, nga ana tjetër, banesat do të bëheshin më të arritshme për familjet që mbështeten te të ardhurat nga puna. Bizneset e ligjshme do të përfitonin nga një treg me rregulla më të barabarta, ndërsa kapitali mund të zhvendosej drejt aktiviteteve me produktivitet më të lartë si bujqësia dhe industri që në afat të gjatë do t’i siguronte vendit zhvillim të qëndrueshëm.

Kur në mesin e qershorit 2026, SPAK sekuestroi rreth 150 milionë euro pasuri të paluajtshme, të investuara nga vetëm një grup kriminal gjatë viteve 2019–2021, u bë edhe më e dukshme pesha që kapitali me burim të paligjshëm ka fituar në ekonomi.

Rasti ngriti shqetësimin në opinionin publik dhe në qarqet e ekonomistëve se çfarë do t’i ndodhte ekonomisë shqiptare nëse flukset e parave të pista do të ndërpriteshin, ose do të kufizoheshin ndjeshëm.

Shqetësimi lidhet veçanërisht me sektorët ku këto para dyshohet se kanë gjetur më shumë hapësirë, si ndërtimi dhe tregu i pasurive të paluajtshme.

Një frenim i menjëhershëm mund të sillte rënie të transaksioneve, ngadalësim të ndërtimeve dhe ulje të konsumit të luksit. Pasojat mund të preknin edhe kompanitë e varura nga kapitali kriminal, ndërsa zhvlerësimi i mundshëm i Lekut do të ushtronte presion mbi çmimet.Rreziqe mund të shfaqeshin gjithashtu në sistemin financiar, sidomos aty ku huatë janë mbështetur në prona me vlera të fryra.

Megjithatë, ekonomistët vlerësojnë se goditja e parë nuk duhet ngatërruar me efektin afatgjatë. Profesori i ekonomisë, Oltion Rrumbullaku, argumenton se ndërprerja e këtij modeli mund të ketë pasoja pozitive brenda dy ose tre vjetësh, duke ndihmuar stabilizimin e kursit të këmbimit dhe duke e bërë tregun e banesave më të arritshëm për qytetarët që sigurojnë të ardhura nga puna formale.

Pano Soko, analist i çështjeve ekonomike, vlerëson se Shqipërisë do t’i duheshin të paktën pesë vjet për të ulur gradualisht varësinë nga kapitali informal.

Dy vitet e para do të sillnin goditjen më të fortë, ndërsa nga viti i tretë deri në të pestin, mund të niste stabilizimi i tregut të banesave, zgjerimi i aktiviteteve të ligjshme dhe rritja e të ardhurave nga formalizimi.

Vetëm më pas do të bëhej më i dukshëm kalimi i investimeve nga prona drejt prodhimit, teknologjisë dhe eksporteve.

Hipotetikisht, nëse rubineti i parave të pista do të mbyllej menjëherë, ekspertët parashikojnë shuarje gati të 10 miliardë eurove në ekonomi që do të vinin nga flluska e pronave dhe kthimi i kursit të këmbimit në realitet.

Por përvoja ndërkombëtare, veçanërisht ajo e Italisë, tregon se pastrimi i ekonomisë nga ndikimi kriminal nuk është një proces i shpejtë. Largimi i kapitalit të paligjshëm mund të përmirësojë përdorimin e burimeve dhe të riorientojë shpenzimet drejt investimeve më të dobishme, por rezultatet kërkojnë reforma të qëndrueshme dhe institucione funksionale për shumë vite.

Çfarë ndodh nëse mbyllet rubineti Pikërisht në vitin 2016, kur kanabisi u kultivua masivisht në të gjithë vendin, filluan zhvillimet në kursin e këmbimit dhe në ndërtim. Leku, nga 140 lekë që këmbehej me Euron 10 vite më parë, vazhdoi forcimin e shpejtë dhe aktualisht këmbehet rreth kuotës 94 lekë, me forcim 33%. Lejet e ndërtimit vërshuan, sidomos në Tiranë dhe në bregdet. Për shembull, në vitin 2016, sipërfaqja e lejeve ishte vetëm 209 mijë metra katrorë; një vit më vonë, në 2017, u rrit me më shumë se dyfish. Kur grupet kriminale u fuqizuan dhe, nga kanabisi, hynë në tregun e kokainës dhe në tregtinë me shumicë të drogave të forta nga Amerika Latine drejt Europës, lejet e ndërtimit u shumëfishuan, për të arritur në 1.4 milionë metra katrorë në vitin 2019, teksa kulmi arriti në vitin 2024, me 2.5 milionë metra katrorë. Tregu i ndërtimit shpërtheu në një moment kur popullsia e vendit përjetoi emigrim masiv, me 600 mijë persona të larguar ndërmjet viteve 2016–2026, dhe kjo është pasoja më e rëndë që solli kriminalizimi i ekonomisë.

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, thotë se, në rast të një ndërprerjeje të menjëhershme të parave që vijnë nga jashtë ekonomisë së ligjshme, goditjen e parë do ta pësonte kërkesa për apartamente të shtrenjta, prona të dyta dhe njësi të blera kryesisht për investim. Kompanitë me shumë apartamente të pashitura do të detyroheshin të ulnin çmimet, të shtynin projektet e reja dhe të ngadalësonin punimet.

1. Soko e përshkruan një skenar të tillë traumatik për ekonominë. Sipas tij, rënia e kërkesës deri në 70% do të krijonte spirale uljeje çmimesh dhe daljeje në treg të apartamenteve që sot mbahen bosh. Kur shitjet bien, ndërtuesit kanë nevojë për likuiditet dhe ulin çmimet.

Për Shqipërinë mbetet i vështirë zëvendësimi i këtij kapitali me një model tjetër rritjeje, të mbështetur te prodhimi, eksportet, teknologjia dhe kapitali formal. Pa këtë alternativë, pastrimi i ekonomisë mund të krijojë boshllëk./Monitor Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm