Lajme Zone
Të tjeraEuronews Albania

Eklipsi i diellit i dukshëm në disa zona të Evropës pjesërisht dhe në Shqipëri


Qielli do të ofrojë një spektakël të rrallë mbrëmjen e së mërkurës, kur një eklips total diellor do të jetë i dukshëm në disa zona të Evropës dhe hemisferës veriore.

Qielli do të ofrojë një spektakël të rrallë mbrëmjen e së mërkurës, kur një eklips total diellor do të jetë i dukshëm në disa zona të Evropës dhe hemisferës veriore. Një nga fenomenet më spektakolare astronomike të viteve të fundit, gjatë të cilit për disa minuta, Hëna do të kalojë drejtpërdrejt midis Tokës dhe Diellit, duke mbuluar plotësisht diskun diellor për vëzhguesit që ndodhen brenda brezit të ngushtë ku do të kalojë hija e saj. Eklipsi i plotë do të kalojë përmes Rusisë veriore, Groenlandës dhe Islandës, më pas do të përshkojë Atlantikun dhe do të mbërrijë në Gadishullin Iberik. Spanja do të ketë pozicionin më të favorshëm në Evropë, ndërsa fenomeni do të shihet në formë të pjesshme në pjesën më të madhe të kontinentit, përfshirë edhe Shqipërinë. Fenomeni pritet të jetë i dukshëm në vendin tonë në minutat para perëndimit të Diellit, afërsisht nga ora 19:29 deri rreth 19:47, në varësi të zonës. Pamjen më të fortë pritet ta ketë Shkodra, ku mbulimi maksimal llogaritet rreth 15.65% në orën 19:43. Në Tiranë kulmi pritet rreth orës 19:41, me mbulim rreth 9.83%. Më në jug, fenomeni do të jetë më i dobët. Kohëzgjatja maksimale e fazës së totalitetit përgjatë gjithë rrugës së eklipsit do të jetë rreth 2 minuta e 18 sekonda. Ky fenomen ka një rëndësi të veçantë për Evropën, pasi do të jetë eklipsi i parë total diellor i dukshëm nga Evropa kontinentale që prej vitit 1999. Gjatë eklipsit, drita e ditës do të zbehet, qielli do të marrë pamjen e muzgut dhe rreth Hënës do të bëhet e dukshme kurora diellore. Dielli nuk duhet parë drejtpërdrejt pa syze për eklipse. Syzet e zakonshme të diellit nuk ofrojnë mbrojtjen e nevojshme.