Protesta në Tiranë Prej katër ditësh, protestat studentore kundër qeverisë së Edi Ramës po shoqërohen me përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës. Reuters raporton se të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, duke akuzuar qeverinë për korrupsion, braktisje të arsimit dhe favorizim të interesave private në bregdet... Mijëra të rinj shqiptarë kanë marshuar të premten në rrugët e Tiranës, në ditën e katërt të një vale protestash kundër kryeministrit Edi Rama, të cilat kanë marrë përmasa gjithnjë e më të dhunshme.
Agjencia ndërkombëtare Reuters raporton se demonstruesit kanë thyer xhama, kanë dëmtuar semaforë dhe janë përplasur me policinë, ndërsa lëvizja studentore po përhapet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Protestat vijnë pas disa muajsh demonstratash kryesisht paqësore, gjatë të cilave, sipas studentëve, qeveria nuk ka reaguar ndaj kërkesave të tyre.
Të enjten, situata në kryeqytet u përshkallëzua, kur protestuesit thyen vitrina, hynë me forcë në një bankë dhe u përplasën me forcat e rendit.
"Ata po na çojnë në kufijtë e durimit", deklaroi për Reuters një protestues 19-vjeçar, i identifikuar vetëm me emrin Enea, i cili nuk pranoi të jepte mbiemrin nga frika e arrestimit.
Mesazhi i tij për kryeministrin ishte i drejtpërdrejtë: "Të japë dorëheqjen sa më shpejt, përpara se gjithçka të marrë flakë".
Nga arsimi te bregdeti, akuzat që kanë nxjerrë studentët në rrugë
Sipas Reuters, studentët akuzojnë zyrtarët qeveritarë për korrupsion dhe neglizhencë ndaj arsimit. Por një nga çështjet që ka nxitur protestat lidhet me planet për ndërtimin e një kompleksi luksoz turistik në bregdetin shqiptar.
Projekti mbështetet nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, dhe ka shkaktuar kundërshtime për mënyrën e kalimit të pronësisë së tokave që parashikohen për zhvillim.
Reuters raporton se banorë të zonës i kanë deklaruar agjencisë në muajin korrik se tokat e tyre ishin shitur në mënyrë të padrejtë për t'i hapur rrugë investimit.
Në një investigim të mëvonshëm, Reuters zbuloi se personi që kishte shitur tokën kërkohej nga prokurorët për trafik droge, akuza që avokati i tij i ka mohuar.
Megjithatë, agjencia thekson se nuk ka gjetur prova për shkelje nga Jared Kushner, i cili nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin e pronësisë me banorët.
Kjo çështje ka marrë një dimension politik, pasi studentët e lidhin projektin me mënyrën se si qeveria administron pasuritë publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
140 ditë protesta paqësore dhe përshkallëzimi i përplasjeve
Një tjetër protestuese 19-vjeçare, e identifikuar nga Reuters vetëm me emrin Klea, shpjegoi arsyet e ndryshimit të formës së protestës.
"Kemi protestuar paqësisht për 140 ditë dhe askush nuk na dëgjoi. Prandaj kjo është mundësia jonë e vetme që të na dëgjojnë dhe të marrim të drejtat që meritojmë", deklaroi ajo.
Në Tiranë, shumë studentë, një pjesë me maska, u vendosën përballë kordonëve të policisë pranë Ministrisë së Arsimit.
Përplasjet kanë prekur edhe bizneset e vogla. Disa tregtarë kanë mbyllur qepenat dhe kanë vendosur mesazhe në fasadat e dyqaneve, duke kërkuar që protestuesit të mos dëmtojnë aktivitetet e tyre.
"Jemi me ju. Mos na dëmtoni biznesin", shkruhej në disa prej mesazheve që Reuters evidentoi në kryeqytet.
Ndërkohë, protesta nuk është kufizuar vetëm në Tiranë.
Në Lezhë, policia është përplasur me demonstrues që kanë hedhur gurë, ndërsa në Elbasan, Shkodër dhe Korçë, sipas mediave vendase të cituara nga Reuters, protestuesit kanë thyer xhama dhe u kanë vënë zjarrin kazanëve të mbeturinave.
Të rinjtë e shohin ekonominë dhe politikën në duart e oligarkëve
Përtej kërkesës për dorëheqjen e Edi Ramës, protestat kanë nxjerrë në sipërfaqe edhe pakënaqësinë e një pjese të brezit të ri me perspektivën ekonomike dhe politike në Shqipëri.
Analisti politik Afrim Krasniqi i deklaroi Reuters se brezat e rinj nuk shohin të ardhme në vend. "Ata shohin se të gjitha burimet e vendit, burimet politike, ekonomike, gjithçka, janë në duart e oligarkëve", u shpreh Krasniqi.
Agjencia ndërkombëtare ndalet edhe te skandalet e korrupsionit që kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë ndër vite.
Reuters citon vlerësimet e analistëve, sipas të cilëve Shqipëria shërben si një qendër për grupe kriminale që kërkojnë të pastrojnë para nga trafiku i drogës dhe armëve, një problem që ndërlikon përpjekjet e vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kjo situatë krijon një kontrast me objektivin politik të Edi Ramës, i cili fitoi mandatin e katërt në vitin 2025 me premtimin për ta çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, me synimin që ky proces të përfjë që në vitin 2028. Shqipëria dhe Mali i Zi kryesojnë aktualisht procesin e negociatave të anëtarësimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Rama refuzon dorëheqjen, protestat vazhdojnë
Përballë kërkesave të studentëve dhe përshkallëzimit të protestave, kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes.
"Nuk do t'i nënshtrohemi dhunës", deklaroi ai në një reagim në Facebook, të cituar nga Reuters.
Agjencia e vendos zhvillimin në Shqipëri edhe në kontekstin e një vale më të gjerë aktivizimi studentor në Europë.
Në Francë, nxënësit e shkollave të mesme kanë organizuar prej javësh protesta dhe bllokime të institucioneve arsimore, duke kërkuar më shumë mësues dhe kushte më të mira në shkolla.
Megjithatë, në Shqipëri kërkesat e studentëve kanë kaluar përtej problemeve të arsimit dhe janë përqendruar te dorëheqja e kryeministrit.
Pas 140 ditësh protestash që studentët i përshkruajnë si paqësore, përplasjet e katër ditëve të fundit kanë ndryshuar natyrën e demonstratave. Qeveria refuzon dorëheqjen, ndërsa studentët vazhdojnë mobilizimin në Tiranë dhe në qytete të tjera.
Kjo është situata që përshkruan Reuters në raportimin e 16 tetorit, ku konflikti për projektin turistik, akuzat për korrupsion dhe pakënaqësia e të rinjve ndaj qeverisjes bashkohen në një kërkesë të vetme politike: largimin e Edi Ramës. /Përshtati Pamfleti/ revolta studente rama doreheqje Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Revolta kundër Ramës/ Nga studentët te pensionistët, çfarë i bashkon protestuesit në Tiranë? 16 Tetor 2026, 19:3119:31Politike 156 të lënduar nga protestat, ministri Demo apel prindërve: Mbajini fëmijët larg dhunës politike 16 Tetor 2026, 18:3618:36Politike Berisha thirrje qytetarëve: Mbështesni protestën, gjimnazistët dhe studentët kanë nevojë për çdo shqiptar 16 Tetor 2026, 18:1518:15Politike Elisa Spiropali letër Edi Ramës: Mos u fshih më, çoje vendin në zgjedhje! 16 Tetor 2026, 17:5217:52Politike “Non grata” në Uashington, VIP në Dallas/ Kush ia hapi dyert Berishës te njerëzit e Trumpit? 16 Tetor 2026, 17:2217:22Politike Shehaj nga Blloku i Sigurisë: Rreth 200 protestues të ndaluar, mes tyre 15 të mitur! 16 Tetor 2026, 16:5516:55Politike

