Lajme Zone
Edi Rama është buzë greminës!
PolitikëPamfleti

Edi Rama është buzë greminës!

Instituti amerikan American Enterprise Institute e ka përshkruar atë si një përzierje mes Manuel Noriegës dhe Rexhep Taip Erdoganit. Protesta nisi me tone dhe forma krejtësisht paqësore, e nxitur nga pakënaqësia e thellë për koston e papërballueshme të arsimit, kushtet e këqija në universitetet shqiptare dhe mungesën kronike të vendeve të punës.

Edi Rama / Protestat e të rinjve, të nisura për shkak të kostos së lartë të arsimit, kushteve në universitete dhe mungesës së vendeve të punës, janë shndërruar në një revoltë më të gjerë kundër institucioneve. Projekti i resortit luksoz i lidhur me Jared Kushner, akuzat për ndërhyrje të huaja dhe pakënaqësitë brenda Partisë Socialiste po shtojnë presionin mbi kryeministrin... Për mijëra të rinj, nxënës të shkollave të mesme dhe studentë, durimi ka marrë fund. Prej muajsh, ata po ushtrojnë presion mbi qeverinë e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, një politikan socialist në letër, por me prirje autoritare të evidentuara nga kritikët e tij.

Instituti amerikan American Enterprise Institute e ka përshkruar atë si një përzierje mes Manuel Noriegës dhe Rexhep Taip Erdoganit. Protesta nisi me tone dhe forma krejtësisht paqësore, e nxitur nga pakënaqësia e thellë për koston e papërballueshme të arsimit, kushtet e këqija në universitetet shqiptare dhe mungesën kronike të vendeve të punës.

Por mbi të gjitha, të rinjtë ndiheshin të shpërfillur.. Askush nuk ishte kujdesur t’i dëgjonte.

Kështu vendosën të kalonin në revoltë dhe në protesta publike. Por gjatë ditëve të fundit, lëvizja ka marrë një tjetër përmasë.

Ajo është shndërruar në një kryengritje më të gjerë kundër institucioneve dhe mënyrës shpesh të errët se si qeveria ushtron pushtetin. Zemërimi, në vend që të zbehej, është shtuar nga dita në ditë.

Përplasjet janë zgjeruar dhe janë bërë më të dhunshme, ndërsa në rrugë dëgjohen slogane kundër “gjithë klasës politike të korruptuar”, duke vënë në shënjestër si qeverinë, ashtu edhe kreun kryesor të opozitës, Sali Berishën.Më 14 tetor, Tirana përjetoi skena që i ngjanin një beteje urbane.

Për më shumë se tetë orë, protestuesit, shumë prej tyre me kapuçë, sulmuan ndërtesa shtetërore, përfshirë zyrën e kryeministrit, degë bankash dhe biznese të ndryshme, duke shkaktuar dëme materiale. Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën.

Protestat, ku pjesëmarrja dhe intensiteti i përplasjeve janë rritur, vijuan edhe në ditët pasuese. Ato u përhapën përtej kryeqytetit, duke mbërritur në Durrës, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër. Një përhapje e pakënaqësisë dhe e përplasjeve që të kujton zhvillimet e ditëve të fundit edhe në vende të tjera evropiane, nga Franca dhe Italia te Portugalia e Belgjika.

Megjithatë, Tirana mbetet epiqendra e protestave, edhe për shkak të institucioneve simbolike që janë vënë në shënjestër. Të shtunën e kaluar, protestuesit i vunë zjarrin një ndërtese ku ndodhen disa zyra të Gjykatës së Lartë.

Të dielën, më 18 tetor, protesta u përqendrua përpara Ministrisë së Arsimit. Edhe aty u përsëritën skenat e përplasjes urbane. Protestuesit, duke kërkuar me zë të lartë dorëheqjen e kryeministrit Rama, hodhën gurë, fishekzjarrë dhe bomba molotov drejt forcave të policisë. Efektivët u përgjigjën me gaz lotsjellës, plumba gome dhe topa uji.

Në Tiranë u sulmua edhe komisariati numër 3, brenda zyrave të të cilit u hodhën shishe me lëndë djegëse. “Sulmi ndaj një komisariati nuk është më protestë”, deklaroi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Bilanci është i rëndë: mbi 1.100 protestues të arrestuar, rreth 400 prej të cilëve janë vënë nën procedim penal, si dhe 186 efektivë policie të plagosur. Numri zyrtar i protestuesve të lënduar është pak më shumë se 100, por mund të jetë ndjeshëm më i lartë.

Shumë prej tyre kanë zgjedhur të mos marrin trajtim në spitale, nga frika se mund të arrestohen, duke iu drejtuar një rrjeti mjekësh dhe infermierësh vullnetarë që po e mbështet në heshtje lëvizjen.Shtatë efektivë policie janë pezulluar nga detyra, pasi dyshohet se kanë përdorur forcë të tepruar.

Kjo është fotografia e situatës, e cila vazhdon të ndryshojë nga ora në orë. Disa zona në qendër të Tiranës janë shndërruar brenda pak kohësh në skena që ngjajnë me një zonë lufte, me ndërtesa të dëmtuara, zjarre dhe rrugë të mbuluara nga tymi i gazit lotsjellës.

Por mes arsyeve që i kanë shtyrë të rinjtë të dalin në rrugë dhe të përballen me autoritetet është edhe zemërimi për planet e qeverisë për t'i dhënë leje ndërtimi një kompanie investimesh të themeluar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Projekti parashikon ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë, në ishullin e pabanuar të Sazanit dhe në gadishullin e Zvërnecit, brenda deltës së Vjosë-Nartës. Kjo zonë njihet si një nga ekosistemet bregdetare më të rëndësishme të Evropës dhe strehon aktualisht 70 lloje në rrezik zhdukjeje, mes tyre foka e Mesdheut dhe breshka detare Caretta caretta, si dhe flamingo, pelikanë kaçurrelë e shumë shpendë të tjerë shtegtarë.

Plani parashikon një kompleks gjigant turistik, me vila, 10.000 dhoma, porte dhe infrastruktura të tjera turistike, duke rrezikuar të shkatërrojë një pjesë të rëndësishme të pasurisë natyrore që ka mbetur e paprekur.

Organizatat mjedisore reaguan menjëherë për ta denoncuar projektin. Kryeministri shqiptar, e ka mbrojtur atë, duke e cilësuar “thelbësor” për zhvillimin e turizmit. “Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në një vend armiqësor ndaj investitorëve”, ka deklaruar Rama.

Për ta bërë projektin të mundur, qeveria ka lejuar edhe ndryshimin e statusit ligjor të disa prej sipërfaqeve të mbrojtura. Ky lloj përjashtimi nga rregullat, siç mund të quhet, ka tërhequr vëmendjen edhe të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, e cila ka hapur një hetim.

Organizatat mjedisore kanë denoncuar gjithashtu se buldozerët kanë mbërritur në gadishullin e Zvërnecit përpara se të lëshoheshin lejet përkatëse. Aktivisti mjedisor Grigor Malo, i intervistuar nga gazeta britanike The Independent, e ka shpjeguar kështu shqetësimin e tij: “Ne i kemi parë tashmë pasojat e zhvillimit të vrullshëm dhe të pakontrolluar në pjesë të tjera të bregdetit, si Durrësi dhe Saranda, ku është shkatërruar bukuria e vendeve që dikur ishin destinacione të preferuara. Njerëzit janë mosbesues ndaj alternativës së turizmit luksoz që propozon qeveria, sepse shohin se përfitimet përfjnë te një pakicë e vogël investitorësh dhe pronarësh të mëdhenj tokash”.

Nga kjo indinjatë lindi “Revolucioni i Flamingove”, i cili ka zgjedhur flamingon si simbol të protestës. Lëvizja nisi me forma krejtësisht paqësore, por simboli i saj është shndërruar tashmë në një emblemë të asaj që protestuesit e shohin si korrupsionin e përhapur të politikës, favorizimin e njerëzve të afërt dhe spekulimin ekonomik me çdo kusht.

Në këtë këndvështrim, pushtetarët dhe përfituesit e projekteve të mëdha shpërfillin problemet e përditshme të qytetarëve: çmimet në rritje, mungesën e punës dhe emigracionin që detyron mijëra njerëz të largohen çdo vit nga vendi.

Sipas një raporti të publikuar në korrik, 67 për qind e fuqisë punëtore shqiptare po mendon të largohet jashtë vendit në kërkim të mundësive më të mira. Nga pakënaqësia për këto probleme te protestat kundër qeverisë, kalimi ka qenë i shpejtë.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama nuk duket i gatshëm të tërhiqet, as për çështjen e dorëheqjes dhe as për projektin e resortit. “Kjo nuk është një sfidë ndaj meje dhe as nuk është qeveria që po vihet në pikëpyetje. Është një sfidë ndaj rrugëtimit tonë drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ai.

Objektivi i shpallur i Ramës është anëtarësimi i Shqipërisë në BE deri në vitin 2030. Sipas tij, protestat po nxiten nga “aktorë të huaj që synojnë të ndalin përparimin tonë”. Të dielën e kaluar, kryeministri publikoi në rrjetet sociale një video, ku deklaroi se dy ditë më parë ishte neutralizuar një dron i ngarkuar me eksploziv, i cili dyshohej se do të përdorej për të goditur zyrën e kryeministrit.

“Një plan i tillë nuk mund të jetë vepër e të rinjve, studentëve apo të miturve. Frymëzimi është pa dyshim i huaj”, pretendoi Rama. Ndërsa të hënën, ai akuzoi drejtpërdrejt Rusinë dhe Iranin se kishin nxitur trazirat.

“Janë krijuar dhjetëra mijëra profile të rreme, posaçërisht për t’u paraqitur si shqiptarë që kërkojnë të mbrojnë natyrën. Ato ishin të përfshira, ashtu si mijëra profile të tjera që vinin nga Republika terroriste e Iranit”, shtoi ai. Kremlini i hodhi poshtë akuzat përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

“Jo, Rama. Janë qytetarët e vendit tënd ata që kanë dalë në rrugë për të protestuar dhe nuk duhet të fajësosh të tjerët. Mësoni t’i zgjidhni problemet tuaja të brendshme’, u shpreh ajo.

Ndërkohë, nga Brukseli erdhi një thirrje për qetësi. Komisioni Evropian dënoi përdorimin e dhunës në Tiranë dhe në qytetet e tjera shqiptare, por theksoi njëkohësisht se duhet të vazhdojë të garantohet e drejta për të protestuar.

Edi Rama po përballet me vështirësi të dukshme politike, në një moment që mund të jetë ndër më të vështirët e karrierës së tij. Protestuesit kanë deklaruar se nuk do të ndalen dhe se do të vazhdojnë të dalin në rrugë derisa kryeministri të japë dorëheqjen.

Gjatë viteve të tij në pushtet, Rama është përpjekur të ndërtojë imazhin e një drejtuesi të fortë dhe me autoritet, të aftë për të krijuar marrëdhënie të qëndrueshme ndërkombëtare. “Italia është alter egoja e Shqipërisë në Evropë”, deklaroi ai së fundmi, duke nënvizuar afërsinë mes dy vendeve.

Kryeministri e ka paraqitur veten si figurën që mund t’i garantojë vendit zhvillim dhe ta udhëheqë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për të përballuar trazirat, ai ka njoftuar një bonus prej 2.500 eurosh për efektivët e policisë të angazhuar në përballimin e protestave, si dhe rritje pagash duke nisur nga janari.

Në të njëjtën kohë, ka kërcënuar me heqjen e bursave dhe të mbështetjes arsimore për studentët që kanë marrë pjesë në sulme kundër forcave të rendit. Megjithatë, këto masa mund të mos mjaftojnë për të frenuar pakënaqësinë e qytetarëve apo për të qetësuar opozitën.

Pas 13 vitesh qeverisjeje socialiste, kundërshtarët e Ramës shohin një çarje në pushtetin e tij, të cilën mund ta shfrytëzojnë politikisht. Ndërkohë, po shfaqen edhe shenja pakënaqësie brenda vetë Partisë Socialiste. Rama akuzohet se e ka personalizuar së tepërmi pushtetin dhe rolin e tij politik.

Ish-ministri i Financave Arben Malaj dhe figura të tjera të njohura të së majtës kanë shkuar deri aty sa të kërkojnë publikisht dorëheqjen e kryeministrit, duke u bërë thirrje deputetëve socialistë të zgjedhin mes besnikërisë ndaj Ramës dhe përgjegjësisë ndaj Shqipërisë.

“Edi Rama ndodhet mes çekanit dhe kudhrës”, komentoi për BBC-në Lutfi Dervishi, analist politik, pedagog në Universitetin e Tiranës dhe drejtor ekzekutiv i degës shqiptare të Transparency International.

“Ai është viktimë e suksesit të vet. Duke përqendruar kaq shumë pushtet në duart e tij, ka tërhequr mbi vete edhe gjithë zemërimin dhe pakënaqësinë e atyre që protestojnë”, u shpreh Dervishi.

Ndërsa politologu shqiptar Ermal Hasimja vlerëson se Rama do të përpiqet ta përdorë dhunën në favorin e tij, por se vetëm dorëheqja e kryeministrit mund të krijojë kushtet për rikthimin e qetësisë./Përgatiti: Pamfletiedi rama është buzë greminës Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë Ku ka humbur Ron Yeffet? 20 Tetor 2026, 14:5514:55Dosja e zezë Tirana në rrugë: Kriza e Edi Ramës dhe dështimi i opozitës 20 Tetor 2026, 10:2610:26Dosja e zezë Rinia e ka vrarë frikën, nuk i druhet regjimit autokratik të Ramës 19 Tetor 2026, 13:5213:52Dosja e zezë Revolta shqiptare: Tre skenarët e mundshëm dhe pse faktori ndërkombëtar është vendimtar 19 Tetor 2026, 10:1510:15Dosja e zezë Pse e sulmoi Ben Blushin, lakeu i Edi Ramës Gjergj Luca? 18 Tetor 2026, 15:4915:49Dosja e zezë Edi Rama, SPAK dhe Brukseli: Çfarë fshihet pas paradoksit të integrimit europian? 16 Tetor 2026, 14:4414:44Dosja e zezë