Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në Dibër, ku një 31-vjeçar ka humbur jetën në ujërat e lumit Setë. Viktima është identifikuar si Ervis Kaloshi, banues në fshatin Sinë e Poshtme.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, teksa i riu ndodhej duke peshkuar, i shoqëruar edhe nga persona të tjerë. Ka dyshime se gjatë peshkimit Kaloshi ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë, ka humbur jetën. Ervis Kaloshi ishte edhe mësues dhe prej vitesh kishte dhënë kontributin e tij në disa shkolla të Dibrës. Vitet e fundit ai punonte si mësues në shkollën 9-vjeçare “Grykë-Nokë”, ku ishte angazhuar në edukimin e brezave të rinj.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta në një moshë kaq të re ka shkaktuar dhimbje të thellë te kolegët, nxënësit, familjarët dhe të gjithë ata që e kanë njohur.
Autoritetet kanë nisur punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave që çuan në humbjen e jetës së të riut.

