E veshur shpesh me ngjyra pastel dhe pantallona të gjera që mbulojnë takat e saj të larta, kryeministrja e parë femër e Italisë nuk mund t'i shpëtojë vëmendjes së modës. Dhe kjo jo vetëm sepse Giorgia Meloni drejton vendin që konsiderohet kryeqyteti botëror i modës. "Moda është një gjuhë. Ajo na tregon çfarë dëshiron të komunikojë personi që e vesh, pa përdorur asnjë fjalë,” tha për DW Michela Bonafoni, pedagoge e modës në Unicollege në Firence. LEXO edhe...GOLAT/ Juventusi fitore me vuajtje, Milani bën detyrën në Torino! Tre pikë sigurojnë Atalanta dhe Lecce "Ndoshta ajo që vesh është shumë afër personalitetit tënd. Por nëse dëshiron të japësh një përshtypje tjetër për veten, mund ta bësh këtë edhe përmes veshjes. Kjo është pikërisht ajo që Meloni bën vazhdimisht,” shpjegon Bonafoni. Stili i veshjes së Melonit mund të lexohet si pjesë e një transformimi më të gjerë politik: nga figurë e jashtme në figurë e etabluar e sistemit. Kur mori detyrën në vitin 2022, pamja e saj ishte e lidhur ngushtë me identitetin politik që kishte ndërtuar si udhëheqëse e partisë së djathtë "Vëllezërit e Italisë”, me rrënjë post-fashiste. Pamja e saj karakterizohej nga kostume të errëta dhe çizme të rënda, duke përcjellë seriozitet dhe madje një qëndrim luftarak. Nga kostumet mashkullore te ngjyrat pastel Këtu hyn koncepti i "power dressing” (veshja e pushtetit), i cili lindi në vitet 1970 dhe u bë veçanërisht ndikues në vitet 1980, kur vala e dytë e feminizmit përkoi me hyrjen e më shumë grave në pozita profesionale dhe drejtuese. Kostumi u bë një mënyrë për gratë që të sinjalizonin autoritet në mjedise pune tradicionalisht të dominuara nga burrat. Dizajneri italian Giorgio Armani luajti një rol kyç në këtë proces. Stilimi i tij më i butë dhe më fluid ofroi një version të ri të kostumit të pushtetit, duke huazuar elemente nga moda mashkullore, por duke krijuar një gjuhë më femërore të autoritetit. Gjatë paraqitjeve të para zyrtare, Meloni shihej shpesh me kostume të errëta Armani, një referencë ndaj stilit klasik të pushtetit. Sipas Bonafonit, ky stil komunikonte thjesht: "Jam këtu në këtë qeveri dhe kaq.” Që atëherë, pamja e Melonit është zbutur. Ajo shfaqet shpesh me pantallona të gjera dhe kostume në nuanca kremi, bezhë, rozë dhe ngjyra të tjera të buta ose pastel. Ky ndryshim përkon edhe me transformimin e rolit të saj në politikën evropiane, ku është afruar më shumë me Bashkimin Evropian dhe është bërë një mbështetëse e rëndësishme e Ukrainës. Megjithatë, në politikën e brendshme ajo ka ruajtur një qasje konservatore, e cila nuk është mirëpritur nga një pjesë e madhe e publikut, përfshirë shumë figura të industrisë italiane të modës. Asnjë markë luksoze, përfshirë Armani-n, nuk ka dalë publikisht për ta veshur ose mbështetur përdorimin e produkteve të saj nga Meloni. Moda si mjet politik Kjo nuk e ka penguar Melonin ta përdorë modën për t'u afruar me publikun. "Kur Meloni e kuptoi se shumë italianë nuk i pëlqenin disa nga veprimet e qeverisë së saj, ajo filloi të vishte ngjyra pastel, të cilat krijojnë ndjenjë mirëkuptimi dhe përcjellin mesazhin: ‘Jam Giorgia, një grua e sjellshme',” thotë Bonafoni. Ajo shton se Meloni përdor shpesh dizajnerë "Made in Italy” si pjesë të markës së saj nacionaliste, duke e lidhur prestigjin e tyre me imazhin e saj politik. Në Panairin Salone del Mobile në Milano, në prill të këtij viti, Meloni zgjodhi një pamje më joformale: xhinse dhe një xhaketë bezhë të thjeshtë. Sipas Bonafonit, mesazhi ishte: "Jam e zakonshme, njësoj si ju. Por jam gjithashtu pikërisht aty ku dua të jem në këtë moment dhe në këtë qeveri.” Një stil i tillë shpreh vetëbesim dhe është më afër mënyrës më të relaksuar të veshjes që karakterizon disa politikane amerikane. Uniforma politike Por pushteti politik nuk kërkon gjithmonë ndryshime të vazhdueshme në gardërobë. Për disa lidere, qëndrueshmëria vetë bëhet një formë e veshjes së pushtetit. Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilloi një nga garderobat më të njohura në politikën moderne. Formula e saj ishte e thjeshtë: pantallona dhe xhaketë me tri kopsa. Dallimi qëndronte te ngjyrat e shumta të xhaketave. Kjo thjeshtësi u shndërrua në një lloj uniforme që e vendoste vetë Merkelin, dhe jo modën e saj, në qendër të vëmendjes. "Lëkura e saj e dytë, pra veshja, ishte shumë afër karakterit, bindjeve dhe vendimeve të saj politike,” thotë Bonafoni. Edhe ish-kryeministrja britanike Margaret Thatcher kishte "uniformën” e saj politike: kostume të qepura me kujdes, vargje me perla dhe çantat karakteristike, një simbol i menjëhershëm i autoritetit femëror në epokën e saj. Sot, presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum ofron një shembull tjetër. Ajo vesh shpesh rroba të punuara nga artizane meksikane për të treguar mbështetje dhe solidaritet me komunitetet autoktone të vendit. Nga "babai hipster” te veshja taktike Megjithëse gratë në politikë përballen me më shumë vëmendje ndaj pamjes së tyre, edhe burrat prej kohësh e kuptojnë fuqinë politike të paraqitjes. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy zgjedh shpesh veshje taktike, shumë larg kostumit tradicional me kravatë të shumicës së liderëve botërorë. Sipas gazetarit ukrainas Illia Ponomarenko, kjo është pjesë e mesazhit të tij anti-elitist. "Rrobat e tij shtrojnë pyetjen: Për çfarë jeni këtu? Për të shpëtuar jetë apo për protokolle luksoze?” Edhe kur takohet me mbretër dhe liderë botërorë, Zelenskyy vishet si një ukrainas i zakonshëm i përfshirë në përpjekjet e luftës. Mesazhi është: "Kam ardhur në qendrat e pushtetit si përfaqësues i njerëzve të mi të thjeshtë.” Në mënyrë të ngjashme, politikani britanik Andy Burnham, i quajtur shpesh "babai hipster”, preferon stilin smart-casual me bluza, polo dhe atlete. Edhe ky është një mesazh politik që synon të tregojë afërsi me qytetarët e zakonshëm. Një tjetër transformim për Melonin? Sa i përket Giorgia Melonit, Bonafoni pret që bota të shohë së shpejti një tjetër ndryshim në stilin e saj. Shkaku mund të jetë sfida që i vjen nga politikani i ekstremit të djathtë dhe ish-gjenerali Roberto Vannacci. "Meloni ka deklaruar se nuk e dëshiron Vannaccin në qeverinë e saj, por partia e saj mund të ketë nevojë për të në një koalicion për të qëndruar në pushtet,” tha Bonafoni. Ajo përfn: "Jam e sigurt se nëse dhe kur Vannacci do ta sfidojë seriozisht, Meloni do ta ndryshojë sërish stilin e saj, sepse do të duhet të paraqitet si një figurë edhe më e fuqishme.”/DW SI.E./ReportTv.al itali giorgia meloni Komento Komente Sondazhi i ditës: Si po menaxhohet situata me zjarret? Mirë 61.7% Keq 30% Nuk e di 8.3% Vota total: 1078 Sondazhi i ditës: Si po menaxhohet situata me zjarret?
