Avokati Gylsen Zhllima, në një intervistë për News24, deklaroi se protestat po përcjellin një mesazh të qartë kundër mënyrës së qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se qytetarët kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre dhe jo përshkallëzim të konflikteve. Sipas Zhllimës, protestat janë zhvilluar në mënyrë paqësore, ndërsa organizimi i emigrantëve shqiptarë është në rritje. “Mesazhi është i qartë. Qytetarët nuk pranojnë një kryeministër që nuk zgjidh hallet e shqiptarëve, por shkakton mosmarrëveshje, shpopullim dhe konflikt. Kemi parë që protestohet në mënyrë paqësore dhe sa më shumë organizohen emigrantët, aq më i madh bëhet reagimi kundër zotit Rama dhe Partisë Socialiste,” u shpreh ai. Avokati kritikoi gjithashtu qeverinë për mungesë reflektimi, duke deklaruar se disa ministra janë përballur me drejtësinë dhe se klima e biznesit është përkeqësuar.
Zhllima tha se investitorët shqiptarë, sipas tij, mbeten pa mbështetje, ndërsa investitorët e huaj përfitojnë projekte të mëdha përmes partneriteteve publike-private (PPP). Ai përmendi edhe projektin e Portit të Durrësit, duke pretenduar se mënyra e menaxhimit të investimeve ka krijuar pasiguri në treg. Ai akuzoi kryeministrin Rama për arrogancë në raport me biznesin shqiptar dhe pronën private.
“Mesazhi është i qartë, qytetarët nuk pranojnë një kryeministër që nuk zgjidh hallet e shqiptarëve por shkakton mosmarrëveshje, shpopullim dhe konflikt. Kemi parë që protestohet në mënyrë paqësore. Dhe sa më shumë emigrantët janë të organizuar aq më shumë rritet urrejtja ndaj zotit Rama dhe partisë së Punë. Nëse Rama nuk pranon të marrë mesazhin e reflektimit, që duket se nuk e marrë por shpik gjithmonë një artificë. Ne kemi parë që ministrat e tij janë kapur nga drejtësia…Investitorët shqiptarë mbeten pa investime e pa përkrahje kurse të huajt me një ardhje në Shqipëri marrin me PPP, si puna e Portit të Durrësit, e pamë se si tha një biznesmen që jam penduar se kam vepruar shpejt për Shqipërinë…E kemi parë se si keqpërdoret. Pra kjo pasiguri ka lindur sepse zoti Rama nuk ka reflektuar. Siç e ka mbajtur karrigen nga 2013 deri sot, ashtu do e mbajë. Kemi parë se si ka abuzuar me biznesmenë të ndryshme, duke u prishur prona dhe duke shkatërruar prona dhe ka treguar një arrogancë”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: edi rama protesta
