Sipas raportimeve të fundit nga mediat britanike, Manchester City mund të përballet me një zbritje drastike pikësh që rrezikon ta dërgojë klubin në Championship.
Klubi anglez është aktualisht në pritje të vendimit përfundimtar lidhur me një proces disiplinor për shkelje të rregullave financiare të Premier League.
Sipas Daily Mail, zbritja e pikëve mund të jetë aq e madhe sa mbijetesa në elitë do të bëhej e pamundur, duke e mbajtur klubin për 2 sezone në kategorinë e dytë.
Drejtuesit e Premier League synojnë që kjo çështje të marrë një zgjidhje zyrtare përpara përfundimit të këtij sezoni. Akuzat ndaj klubit përfshijnë 130 shkelje të dyshuara të ndodhura gjatë disa viteve, të cilat lidhen me raportimin e të ardhurave, marrëveshjet e sponsorizimit dhe pagesat ndaj trajnerëve e lojtarëve.
Gjithashtu, klubi akuzohet për mosrespektim të rregullave financiare dhe mungesë bashkëpunimi të theksuar gjatë fazës së hetimit.
Nga ana e tij, Manchester City ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha akuzat dhe ka theksuar se disponon prova të mjaftueshme për të vërtetuar pafajësinë. Nëse ky dënim ekstrem do të zyrtarizohej, ai do të sillte pasoja të rënda për objektivat sportive, të ardhurat financiare dhe të ardhmen e kontratave të futbollistëve kryesorë. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

