Dy milionë euro është dëmshpërblimi i dhënë për familjarët e dy punëtorëve të rinj, të cilët humbën jetën në një aksident tragjik rrugor më 30 maj 2025, teksa po udhëtonin drejt vendit të punës me furgonin e kompanisë ku punonin.
Dëmshpërblimi do të paguhet nga kompania e sigurimit të automjetit, i cili ishte në pronësi të firmës ku dy të rinjtë kishin punuar prej disa vitesh.
Pas rreth një viti e gjysmë, kështu përmbyllet pjesa që lidhet me dëmshpërblimin për humbjen e marrëdhënies familjare, pas vdekjes së Valdrin Xhyliqit, banues në Bronzolo, dhe Driton Sadikajt, nga Bolzano. Dy të rinjtë, përkatësisht 21 dhe 23 vjeç, ishin me origjinë nga Kosova, por prej kohësh jetonin në Itali.
Aksidenti tragjik ndodhi në orët e mëngjesit të 30 majit 2025, rreth orës 06:30, kur dy punëtorët po shkonin në një kantier pune. Ata udhëtonin me furgonin e kompanisë me seli në kryeqendrën e Tirolit të Jugut.
Ngjarja ndodhi në autostradën A22, në segmentin mes Bressanones dhe Chiusa-s. Furgoni, i drejtuar nga një koleg i tyre, doli nga kontrolli dhe u përplas me disa kamionë.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, në furgon ndodheshin katër punëtorë. Dy prej tyre, përfshirë drejtuesin e automjetit, mbetën të plagosur, por jo në gjendje të rëndë.
Dyshohet se drejtuesi po parakalonte disa mjete të rënda dhe, gjatë rikthimit në korsinë e tij, nuk e kishte kuptuar se përpara ndodhej një varg kamionësh që lëviznin ngadalë. Megjithëse tentoi të shmangte përplasjen duke devijuar drejtimin, nuk arriti të evitojë përplasjen.
Goditja ishte fatale për dy të rinjtë, të cilët ndodheshin në anën e djathtë të furgonit: njëri në sediljen e pasagjerit dhe tjetri në sediljen e pasme.
Ata mbetën të bllokuar brenda automjetit të dëmtuar rëndë. Ekipet e shpëtimit, pasi arritën në vendngjarje, nuk mundën të bënin asgjë për t'u shpëtuar jetën dhe vetëm konstatuan vdekjen e tyre.
Familjarët e dy viktimave tashmë do të përfitojnë një dëmshpërblim total prej 2 milionë eurosh për humbjen e të afërmve të tyre.

