Çdo shtator, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u jep udhëheqësve të vendeve të vogla një mundësi të rrallë: për disa ditë, pothuajse të gjithë njerëzit që kanë rëndësi janë në të njëjtin qytet. Edhe këtë vit, kryeministra dhe presidentë nga e gjithë bota u mblodhën, si zakonisht, në New York. Midis tyre edhe dy kryeministra ballkanikë që po i marr si shembull në këtë shkrim: kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickovski, dhe i Shqipërisë, Edi Rama. Hristijan Mickoski, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, e përdori vizitën për të trokitur në sa më shumë dyer. Në Nju Jork u takua me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio. Të nesërmen u ul me zëvendëssekretarin Christopher Landau, së bashku me dy zyrtarët kryesorë të Departamentit të Shtetit për Evropën dhe Ballkanin, Brendan Hanrahan dhe Daniel Lawton. Në Uashington u takua me drejtuesen e zhvillimit në Korporatën Amerikane për Financimin e Zhvillimit (DFC), Caroline Vik, dhe me dy ligjvënës që kanë peshë për rajonin: kongresisten Claudia Tenney, bashkëkryetare e grupit të miqësisë me Maqedoninë, dhe kongresmenin Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën. Gjithashtu u takua me drejtues të industrisë ushtarake amerikane dhe diskutoi për shtrirjen e investimeve amerikane në fushën e armatimeve në Maqedoninë e Veriut. Temat ishin konkrete: investime, energji, teknologji, mbrojtje dhe minerale kritike, përfshirë antimonin. LEXO EDHE:LIVE TV- Konferenca Ndërparlamentare, Rama: E dashurojmë BE, shpresojmë mos të na lini në baltë! Do të ishte dështimi më i madh i Evropës Ai pati edhe takime dypalëshe me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe mori pjesë në takimin e drejtuesve të Ballkanit Perëndimor me shefen e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas. Mickovski zhvilloi edhe një takim të veçantë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Guterres. Jo çdo takim solli një marrëveshje të re. Disa projekte kishin nisur më herët. Por mesazhi ishte i qartë: Mickoski shkoi në SHBA për të punuar. Edhe fjalimi i tij në OKB ndoqi të njëjtën linjë. Foli për ekonominë, energjinë, arsimin, emigracionin dhe vendin e Maqedonisë së Veriut në Evropë dhe në NATO. Edi Rama zgjodhi një rrugë tjetër. Pjesa më e madhe e fjalimit të tij në OKB iu kushtua inteligjencës artificiale dhe “Diellës”, projektit të qeverisë për përdorimin e saj në administratë. Këshilloi botën se si të mbrohet nga deformimet, sqaroi se protestat në Tiranë ishin si pasojë e përdorimit të algoritmeve dhe lajmeve të rreme, dha edhe katër drejtime se si duhet të sillet njeriu me zhvillimet e ardhshme për t’u mbrojtur. Por fjalimi ishte, në fund të fundit, vetëm një fjalim. Sipas informacionit publik, gjatë qëndrimit në SHBA Rama nuk pati asnjë takim me ndonjë zyrtar të administratës amerikane. As me ndonjë president apo kryeministër tjetër. Koha e tij u nda mes takimeve me diasporën në Michigan dhe Nju Jork, një gala shqiptaro-amerikane dhe podiumit të OKB-së. Takimet me diasporën janë të rëndësishme dhe të natyrshme për çdo kryeministër shqiptar në Amerikë. Por ato nuk janë diplomaci shtetërore. Nuk mund të zëvendësojnë një takim me Departamentin e Shtetit, me Kongresin apo me një homolog të huaj. Kjo ka rëndësi të veçantë për Shqipërinë. Prej vitesh, qeveria e paraqet marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara si një nga arritjet e saj më të mëdha. Por një marrëdhënie e tillë nuk matet me deklarata miqësie. Matet me takime, me marrëveshje, me rezultate. Jo çdo vizitë mund të prodhojë marrëveshje. Një pjesë e diplomacisë bëhet larg kamerave. Por kur një qeveri e quan vazhdimisht marrëdhënien me Uashingtonin sukses kryesor, publiku ka të drejtë të pyesë: çfarë përmbajtjeje ka ky sukses? Dallimi mes dy kryeministrave nuk ishte te fotografitë apo te stili në podium. Ishte te mënyra si e përdorën mundësinë. Mickoski u ul me Sekretarin e Shtetit, me drejtuesit amerikanë për Evropën, me Kongresin, me homologë dhe me Bashkimin Evropian. Rama u takua me diasporën. Bile, me diasporën shqiptare në New York u takua edhe vetë Mickovski. P.J/Shqiptarja.com TAG: Thoma Gëllçi edi rama Asambleja e OKB Hristijan Mickoski Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 4.4 / 5 (7 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Mara emigrante ne Itali: 28/09/2026 10:26 Jepni opinione sa te doni , nuk mund te hidhet posht ngritja e dinjitetit te Shqiperise .Rama tha se Shqiperia tani nuk ka nevoj per ndihma , kush e kupton le ta interpretoj si te doje .Shqiperia tani ka nevoj per besen e dhene .Rama e beri te qarte por antishqiptaret berishist dhe tv qe ushqehen nga parate e krimit nuk kane per tja aritur qellimit te tyre , Rama ka popullin e ndershem , shumicen qe e perkrah . Përgjigju Sondazhi i ditës:
26 Shtator, 18:15
Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik? Po 54.5% Jo 38.4% Disi 7.1% Vota total: 2227 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 26 Shtator, 18:15 Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik?

