Barcelona duket se ka ndryshuar objektiv në ditët e fundit të merkatos. Nëse nga Italia vijnë përgënjeshtrime, në Spanjë raportimet janë krejt ndryshe: Lautaro Martinez mund të ketë arritur një marrëveshje paraprake me Barcelonën. Sipas “El Chiringuito TV”, javën e kaluar është zhvilluar një takim mes drejtorit sportiv të Barcelonës, Deco, dhe agjentit të kapitenit të Interit, Alejandro Camano.
Takimi thuhet se ka përfunduar me një marrëveshje paraprake mes palëve për kushtet personale të sulmuesit argjentinas.
Lëvizja e Barcelonës lidhet drejtpërdrejt me vështirësitë për transferimin e Julián Álvarez. Sulmuesi i Atlético Madrid mbetet një prej objektivave të klubit katalanas, por qëndrimi i fortë i drejtuesve madrilenë ndaj një transferimi te Barcelona e ka komplikuar ndjeshëm operacionin.
Për këtë arsye, Lautaro Martinez po shfaqet gjithnjë e më shumë si alternativa kryesore për repartin ofensiv të skuadrës së Hansi Flick.
Sipas raportimeve që vijnë nga mediat spanjolle, Barcelona është e gatshme të bëjë një përpjekje të madhe financiare për të siguruar shërbimet e Lautaros.
Një shifër e tillë do ta vendoste Interin përballë një vendimi shumë të vështirë. Nga njëra anë, bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme në kushtet aktuale të futbollit italian; nga ana tjetër, Lautaro është kapiteni dhe një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Problemi për Interin është edhe koha. Merkatoja po shkon drejt fundit dhe një shitje e Lautaros vetëm pak ditë para mbylljes së afatit do ta linte klubin zikaltër me shumë pak mundësi për të gjetur një zëvendësues të denjë.
Për momentin, nga Italia vazhdojnë të vijnë sinjale që Interi nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtësisht nga kapiteni i tij.
Megjithatë, nëse Barcelona vendos në tavolinë një ofertë prej rreth 100 milionë eurosh dhe Lautaro shfaq dëshirën për të bërë hapin drejt “Camp Nou”, situata mund të ndryshojë shumë shpejt.
Ditët e fundit të merkatos pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit argjentinas. Top Channel

