Donald Trump po ndryshon fushën e betejës me Iranin, por jo objektivin. Pas bombardimeve, kërcënimeve për përshkallëzim ushtarak dhe ngërçit në negociata, presidenti amerikan po vendos bastin te një prej armëve më të fuqishme që ka Uashingtoni: presioni ekonomik.
Me një postim në Truth Social, Trump njoftoi atë që e cilësoi si “luftën më të madhe ekonomike të zhvilluar ndonjëherë kundër ndonjë vendi”, duke synuar t’i shndërrojë sanksionet në një mjet të ri presioni ndaj Teheranit. Megjithatë, siç thekson CNN në analizën e saj, mbetet për t’u parë nëse presidenti amerikan do t’i qëndrojë besnik kësaj strategjie apo do të tërhiqet kur kostoja politike të bëhet e papërballueshme.
Qasja e re e presidentit amerikan mund të shihet edhe si një përpjekje për të rikuperuar terren pas dështimit për ta detyruar Republikën Islamike të dorëzohej përmes bombardimeve apo për ta bindur të rikthehej në negociatat bërthamore, përmes ofrimit të stimujve në kuadër të një memorandumi mirëkuptimi.
Është kthesa e fundit taktike në një konflikt që ka prodhuar ndryshime dhe përmbysje të shumta të strategjisë amerikane.
Presidenti ka ndërprerë dialogun me Iranin, ndërsa CNN raporton se ekipi i tij ka informuar aleatët politikë se po përgatitet për një luftë rraskapitëse, për të cilën Trump beson se do të shkatërrojë ekonominë iraniane dhe do ta detyrojë Teheranin të dorëzohet.
“Për momentin, mendoj se situata është shumë e mirë”, është shprehur Trump për një konflikt që ai e kishte shpallur të fituar vetëm disa ditë pas nisjes së tij, por që tashmë ka hyrë në muajin e gjashtë.
Në një tjetër postim në rrjetet sociale, Trump u zotua të ndërmarrë masa të ashpra ndaj çdo vendi që lejon institucionet financiare, bizneset, aeroportet apo agjencitë qeveritare të ofrojnë çfarëdo forme mbështetjeje për Iranin.
“Kontrabanda e naftës, linjat e këmbimit, transfertat e parave të gatshme, shkëmbimet valutore, regjistrat, kompanitë fiktive, të gjitha këto duhet të ndalen TANI. Ju e dini kush jeni”, shkroi ai.
Skepticizëm për strategjinë e Trump
Shumë analistë janë skeptikë se regjimi në Teheran, i njohur për represionin e fortë dhe presionin ekonomik ndaj qytetarëve të tij, do të tërhiqet përballë SHBA-së. Irani ka përballuar prej dekadash disa prej sanksioneve më të ashpra ekonomike në botë.
“Ata që besojnë se Irani do të shembet nën presion, mendoj se gabohen, pavarësisht situatës ekonomike”, tha Daniel Sitrinowicz, ish-punonjës i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së Izraelit dhe ish-drejtues i seksionit për Iranin në Drejtorinë e Kërkimit dhe Analizës.
Sipas tij, nuk ka shenja se Irani po zbut strategjinë e presionit ndaj Trumpit përmes tregjeve ndërkombëtare. Edhe pse presioni ekonomik mund t’i shkaktojë kosto të konsiderueshme Teheranit, Sitrinowicz vlerëson se kjo nuk do të ndryshojë domosdoshmërisht llogaritjet strategjike të Iranit.
Çfarë duhet të ndryshojë Trump?
Për të bërë përparim, Trump nuk duhet vetëm të ndryshojë llogaritjet e Teheranit. Sipas analizës së CNN, ai duhet së pari të ndryshojë mënyrën e veprimit të administratës së tij.
Shkatërrimi i ekonomisë iraniane do të kërkonte muaj ose edhe vite. Kjo do të kërkonte një nivel durimi strategjik që Trump rrallë e ka treguar. Irani nuk do të ishte i vetmi që do të vinte në dyshim nëse presidenti amerikan do të lodhej nga strategjia e re përpara se ajo të jepte rezultat.
Qasja e re mund të kërkojë gjithashtu një ndryshim diplomatik. Shtëpia e Bardhë po mbështetet ndjeshëm te forca ushtarake për të zbatuar një bllokadë ndaj anijeve dhe porteve iraniane. Por një përpjekje vërtet efektive për izolimin e Iranit do të kërkonte një angazhim të gjerë ndërkombëtar, duke përfshirë vendet e Gjirit Persik, Evropën dhe Azinë.
Ka mënyra për t’i shkaktuar dëme të konsiderueshme regjimit iranian.
Ludovic Hood, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Hudson, mbështet rritjen e presionit rajonal dhe ndërkombëtar ndaj të ardhurave të Gardës Revolucionare Islamike, si dhe goditjen e rrjetit të aleatëve dhe grupeve të saj të mbështetura në rajon.
Në një artikull të botuar së fundmi në Wall Street Journal, ai bëri thirrje për forcimin e marrëdhënieve të SHBA-së me qeveritë në Bagdad dhe Bejrut, me synim kufizimin e ndikimit të Teheranit në Lindjen e Mesme. Ai gjithashtu i rekomandoi sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, të shtojë presionin ekonomik ndaj Kinës, një prej blerësve kryesorë të naftës iraniane.
Një bllokadë do të ishte edhe më efektive nëse SHBA-ja do të mobilizonte aleatët për të çmontuar rrjetin e marrëveshjeve të fshehta ekonomike dhe rrugëve tregtare që Teherani ka krijuar për t’iu shmangur sanksioneve.
Por një bashkëpunim i tillë nuk duket të jetë prioritet i administratës amerikane. Diplomacia e Uashingtonit ndaj Iranit, e udhëhequr nga të dërguarit e Trumpit, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, është kritikuar shpesh si naive.
Presidenti amerikan ka acaruar aleatët e tij duke nisur një luftë që kërcënoi interesat e tyre kombëtare dhe ekonomike dhe më pas i kritikoi ata që nuk u bashkuan me të.
Këtë javë, Trump kërcënoi gjithashtu se do të bombardonte Omanin për qëndrimin e tij lidhur me bisedimet me Iranin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
A do të qëndrojë Trump i palëkundur apo do të tërhiqet?
Një bllokadë e plotë e ekonomisë iraniane do të përballej me dilema serioze për Trumpin. Një prej masave me ndikimin më të madh do të ishte vendosja e sanksioneve ndaj bankave kineze të përfshira në transaksione që lidhen me shitjet e paligjshme të naftës iraniane.
Megjithatë, Trump pritet të presë Presidentin kinez Xi Jinping për një vizitë zyrtare në shtator, një prej ngjarjeve më të rëndësishme diplomatike të vitit. Për këtë arsye, do të ishte e befasishme nëse presidenti amerikan do të ndërmerrte një hap që do të dëmtonte marrëdhëniet me Pekinin përpara këtij takimi.
Edhe nëse Trump është i gatshëm të presë derisa lufta ekonomike të japë rezultat, ekziston edhe një faktor tjetër: kundërpërgjigjja e Iranit.
Teherani e di se Trump është politikisht i cenueshëm, me zgjedhjet e mesmandatit që po afrohen. Sipas analizës së CNN, Irani mund të ketë interes ta përshkallëzojë situatën për të rritur koston politike dhe ekonomike të konfliktit për presidentin amerikan.
Një prej avantazheve kryesore të Iranit është aftësia për të penguar trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit. Sulme të reja me dronë ose raketa ndaj anijeve do të rrisnin kostot ekonomike për amerikanët dhe do t’u kujtonin votuesve pasojat e luftës.
Nëse Trump do të përgjigjej me forcë, kriza do të përshkallëzohej më tej. Nëse do të përmbahej, mund të dukej i dobët politikisht.
Një luftë e drejtpërdrejtë apo një luftë ekonomike mund t’u krijojë gjithashtu demokratëve hapësirë për të sulmuar administratën Top Channel

