Kur shteti vendos të shesë pasuritë e sekuestruara nga krimi, pritshmëria është se arka e tij do të përfitojë vlerën e plotë të tregut për t'ia kthyer shoqërisë. Por rasti më i fundit i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Konfiskuara (AAPSK) ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si asetet luksoze po zhvlerësohen para se të dalin në ankand.
Më 12 gusht 2026, nën drejtimin e Risena Xhajës dhe nën monitorimin e Ministrisë së Brendshme, AAPSK do të nxjerrë në shitje një Rolls-Royce Phantom të vitit 2018. Çmimi fillestar i vendosur për këtë mjet është 80.000€.
Në tregun ndërkombëtar dhe në sallonet zyrtare të prodhuesit në Goodwood, një model i tillë nuk blihet dot pa shpenzuar gjysmë milioni dollarë, ndërsa në tregun gjerman të mjeteve të përdorura, automjete identike listohen mbi 300.000€.
Çmimi i vendosur nga ankandi shqiptar është më pak se një e katërta e vlerës reale, duke u sjellë më shumë si një favor i heshtur sesa si një procedurë transparente garash.
Njoftimi zyrtar është fshehur në faqen 1013 të regjistrave të Agjencisë së Prokurimit Publik, një cep i errët burokratik ku vetëm një rreth i ngushtë njerëzish të informuar mund ta dallojë në kulmin e pushimeve të verës. Një mjet i tillë mund të blihet vetëm nga oligarkët shqiptarë, teksa populli i thjeshtë do ndjekë ankandin nga xhamat.
Ekspertët e tregut vlerësojnë se ankande të tilla zakonisht tërheqin një numër të kufizuar pjesëmarrësish, pasi kërkojnë kapital të konsiderueshëm dhe ndiqen kryesisht nga persona apo kompani të specializuara në blerjen e aseteve të konfiskuara.
Në një vend ku makinat e këtij niveli nuk janë thjesht mjete transporti, por dëshmi statusi, mbetet për t'u zbuluar se cili "fatlum" do të përfitojë një pasuri marramendëse me çmimin e një automjeti të zakonshëm familjar, ndërsa institucionet përgjegjëse mbyllin sytë para këtij zhvlerësimi flagrant të pasurisë publike.

