Lajme Zone
Drama e 21-vjeçares që jeton në mjerim: Pa baba, me nënën e sëmurë dhe me 50 mijë lekë të vjetra në muaj
EkonomiJOQ Albania

Drama e 21-vjeçares që jeton në mjerim: Pa baba, me nënën e sëmurë dhe me 50 mijë lekë të vjetra në muaj

Në Vithkuq të Korçës, larg dritave të qytetit dhe vëmendjes së përditshme, jeton një familje që ka nevojë për ndihmën tonë. Kjo është shtëpia e Odetës, vetëm 21-vjeçe, e cila pas humbjes së babait i është përkushtuar kujdesit për nënën e saj të sëmurë.

Në Vithkuq të Korçës, larg dritave të qytetit dhe vëmendjes së përditshme, jeton një familje që ka nevojë për ndihmën tonë. Kjo është shtëpia e Odetës, vetëm 21-vjeçe, e cila pas humbjes së babait i është përkushtuar kujdesit për nënën e saj të sëmurë.

Të dyja jetojnë në kushte tejet të vështira, në një banesë ku mungojnë kushtet minimale të sigurisë dhe ngrohjes. E ndërsa temperaturat kanë nisur të bien, mendimi se si do ta përballojnë dimrin në një shtëpi të tillë bëhet edhe më shqetësues. Në Korçë, ku muajt e ftohtë sjellin shpesh temperatura nën zero, mungesa e ngrohjes nuk është thjesht një vështirësi, por një problem serioz për jetesën e tyre.

E vetmja e ardhur që kanë në dispozicion është ndihma ekonomike prej vetëm 50 mijë lekësh të vjetra në muaj, me të cilën duhet të përballojnë nevojat e përditshme dhe kujdesin për nënën.

Rasti është bërë publik nga gazetari Xhensil Shkëmbi, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë mundësi të kontribuojnë për t'ua lehtësuar sadopak jetën, si dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë për të ofruar mbështetjen e nevojshme sociale dhe për të përmirësuar kushtet e banimit.

Familja ndodhet në lagjen Grekas të Vithkuqit dhe mund të gjendet lehtësisht. Ato nuk kanë telefon, ndaj personat që dëshirojnë të ndihmojnë mund të kontaktojnë administratorin e zonës, Altinin, i cili i njeh nga afër dhe, sipas gazetarit, u qëndron pranë vazhdimisht.

Ndoshta për shumëkënd një ndihmë mund të duket e vogël, por për Odetën dhe nënën e saj mund të bëjë ndryshimin mes një dimri të papërballueshëm dhe një dimri pak më të ngrohtë e më të sigurt.

Në këtë fundvit, le të mos i harrojmë familjet që kanë nevojë për ne. Një dorë e zgjatur sot mund të jetë shpresa që kjo nënë dhe vajza e saj të mos e përballojnë të vetme të ftohtin dhe vështirësitë e jetës.

Për këdo që dëshiron të ndihmojë familjen, mund të kontaktojë Altinin, administratorin e Vithkuqit, i cili mund t’i orientojë për mënyrën se si mund të ofrojnë ndihmën e tyre: +355 69 623 6806.