Kompania telefonike “One Albania” dhe pronari i saj hungarez, Gellért Zoltán Jászai (i cili po përballet me hetime për korrupsion dhe lidhje klienteliste në Hungari pranë qeverisë së Viktor Orbán), janë në qendër të një skandali në Shqipëri për shkak të metodave të përdorura në mbledhjen e borxheve ndaj abonentëve.
Sipas denoncimeve publike nga Qendra e Shërbimeve Ligjore Europiane (CELS), “One Albania” po përdor praktika abuzive përmes kërkimit të detyrimeve fiktive. Shumë qytetarë dhe biznese, edhe pse deklarojnë se i shlyejnë rregullisht faturat mujore kanë nisur të marrin njoftime dhe mesazhe kërcënuese.
Agjencitë e angazhuara i paralajmërojnë klientët se brenda 10 ditëve do të përballen me procese gjyqësore dhe përmbarimore për shuma të papaguara (shpesh rreth 1000 lekë për çdo numër telefoni). Megjithatë, kompania nuk u ka ofruar klientëve asnjë lloj dokumentacioni apo baze ligjore që vërteton origjinën e këtyre borxheve. CELS u ka bërë thirrje qytetarëve të mos paguajnë asnjë shumë që nuk mbështetet me fatura të qarta dhe të denoncojnë presionet.
Për të ndjekur këtë proces, kompania telefonike ka angazhuar dy subjekte private.
“ODMC Albania”, e regjistruar në prill të vitit 2023, kjo shoqëri është degë e kompanisë serbo-qipriote “ODM Collections doo Beograd”. Pak muaj pas krijimit të saj në Shqipëri, drejtuesit e saj arritën një marrëveshje me Jászain për të blerë portofolin e borxheve të pretenduara të “One Albania”.
“D&A Fin Partner”, në pronësi të Dritan Abazit dhe Anis Hoxhës, një emër që lidhet me skandale të mëparshme të mikrokredive. Burimet e lidhin këtë kompani edhe me Akan Ajdinin e “IuteCredit” dhe operacione financiare që përfshijnë “OTP Bank”.

