Prokurori do të duhet t'i drejtohet më shpesh gjykatës për veprime gjatë hetimit, avokatit synohet t'i jepet një rol më aktiv në mbledhjen e provave, ndërsa gazetari që siguron materiale të caktuara nga një dosje penale mund të mos i publikojë pa marrë më parë autorizimin e gjykatës. Këto janë disa prej ndryshimeve të draftit të ri të Kodit të Procedurës Penale që, sipas ish-prokurorit të Krimeve të Rënda Eugen Beci, avokatit Rei Peçi dhe kreut të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Aleksandër Çipa, në vend që të zgjidhin problemet e Kodit aktual do të krijojnë pengesa të reja në hetime, gjykime dhe raportimin e çështjeve të drejtësisë nga ana e medias. Të ftuar në "Sot Live në Shqipëri" në Report TV, të tre ranë dakord se Kodi kishte nevojë për ndryshime, por kundërshtuan mënyrën se si është ndërtuar drafti. LEXO EDHE:Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit rikthehet në Tiranë me 17 shfaqje, bashkëpunim edhe me Baletin e Kosovës! Preljocaj: Ju pres më 16 dhe 17 tetor në Opera Beci e konsideroi problematike shtimin e kontrollit të gjykatës mbi veprimet gjatë hetimit. Ish-prokurori argumentoi se ndryshimet e vitit 2017 e çuan sistemin shumë në favor të prokurorisë dhe një ribalancim ishte i nevojshëm, por drafti i ri rrezikon të kalojë nga një ekstrem në tjetrin: nga një prokuror me shumë fuqi, te një prokuror që duhet të kalojë vazhdimisht përmes gjykatës për të zhvilluar hetimin. "E kemi lexuar disa herë dhe nuk e kemi kuptuar. Teknika legjislative e përdorur është skandaloze, jo shqip, e pakonsultuar me një redaktor gjuhësor për realizimin e një procesi të rëndësishëm. Kodi i Procedurës Penale ka elemente që duhet të jenë në konsistencë, saktësia, shkurtësia dhe urdhërimi. Asnjë prej këtyre nuk janë të paraqitura në këtë draft. Fjali me 15-20 rreshta bien ndesh me parimet e një Kodi që të jetë i qartë, i saktë, i shkurtër e urdhërues. Prokurorët duhet të jenë kundër parimit të ndërtimit të një burokracie të jashtëzakonshme që paraqet ky Kod. Kjo burokraci skandaloze do e bllokojë veprimtarinë e prokurorit dhe do krijohet një kaos më i madh se sot. Ndryshimet e 2017 e kthyen Kodin e Procedurës në kodin e prokurorit dhe akuzës. Sot duan ta kthejnë në normalitet ku duhet të ketë një balancë mes palëve. Situata nuk duhet marrë si bardh e zi. Ndryshimet duheshin sepse kodi i 2017 është represiv. Kodi i Procedurës Penale ishte jashtë loje sa i përket zhvillimeve të teknologjisë. Ndryshimet fokusoheshin tek masat e sigurisë, mbledhja e provave dhe seancat paraprake dhe trajtimi i balancës mes transparencës dhe të drejtës për mbajtjen e një sistemi të drejtë. Prokurorët duhet të jenë kundër sepse i mbetet të shkojë në gjykatë për çdo kërkesë. Bëhet një burokraci që minon zhdërvjelltësinë e hetimit. Në Kodin e Procedurës Penale këto elemente kanë qenë, por tani janë ritheksuar. Për mua pjesa ku ndërhyhet tek shtypi është e tepruar. Në rast se dosja me interes publik i bie në dorë një gazetari nuk është faji i tij dhe nuk mund të kërkojë leje për publikim", tha Beci. Shqetësimi i Becit lidhej edhe me kapacitetin e gjykatave për të përballuar kërkesat e reja. Sipas tij, sot nuk respektohen as afatet që Kodi aktual vendos për disa faza të procesit, ndaj shtimi i procedurave të tjera para gjykatës mund t'i zgjasë edhe më shumë çështjet. "Ne çuditërisht nga 2017 që Kodi ishte bunker për prokurorin, tani e çojmë në një nivel ku shkelen të drejtat e gazetarit dhe parime themelore. Në 105 nenet e ndryshuara do të duhen 105 kërkesa para gjykatës. Ne s'po ia dalim me këtë backlog gjyqesh, jo më të shtosh kërkesa. A janë në rregull këta? Shqipëria është mbytur nga dosjet. A duan ta çojnë në kolaps me qëllim? Në 2017, Kodi i Procedurës Penale thoshte se seanca paraprake duhet të mbarojë për 30 ditë, por në vend seancat shkojnë 6 muaj deri 1 vit, pra Kodi shkelet në mënyrë flagrante. Pra kemi një ngërç burokratik, atëherë pse shtohen ngërçe të tjera?", tha Beci. Nga ana e mbrojtjes, Peçi e konsideron pozitiv faktin që avokati mund të mos presë vetëm provat e mbledhura nga prokuroria, por të ketë mundësi të zhvillojë edhe hetimin e tij. Megjithatë, Peçi thotë se mënyra se si janë shkruar dispozitat e bën të paqartë se si këto kompetenca do të funksionojnë realisht. "E vetmja gjë pozitive që shoh nga ky draft është që qëllimi i legjislatorit ka qenë ta vendosë rolin e avokatit në një pozicion më aktiv në fazën e hetimit paraprak. Por në rastin konkret është e vështirë si do veprojmë lidhur me zbatimin e funksionit tonë. Drafti është i vështirë për t'u kuptuar edhe nga ne profesionistët dhe nuk arrihet qëllimi që ne dëshirojmë që të jemi aktivë në procesin hetimor. Të jem i sinqertë, është shumë i paqartë. Ka fjalë që nuk kuptohen. Lë vend për interpretime. Ka fjalë shumë të përgjithshme që s'përdoren në teknikë legjislative. Ka fjalë të interpretueshme, që do të thotë ndryshe e interpreton një gjykatës, një prokuror apo një avokat. Mos pas këtyre ndryshimeve do mblidhemi pas 5 vjetësh të thellojmë moszbatimin e Kodit? Parimi i barazisë së palëve nuk është zbatuar deri më sot dhe ata sot po ndryshojnë Kodin. Ka gjykata në Shqipëri që thonë provat i mbledh hetuesi dhe prokurori, ndërkohë që Kodi i jep të drejtë edhe avokatit. Nuk mund të barazohet fashikulli hetimor i prokurorit me atë të avokatit", tha Peçi. Një tjetër ndryshim në Kod është ai që prek drejtpërdrejt median. Pika 14 e nenit 103 të propozuar parashikon se, kur gazetarët ose mediat kanë tashmë në zotërim të dhëna që bien nën regjimin e këtij neni, mund t'i kërkojnë gjykatës autorizimin për publikim. Për Çipën, kjo rrezikon ta bëjë raportimin e çështjeve penale shumë më të vështirë dhe t'i ekspozojë gazetarët ndaj padive nga personat që preken nga publikimet. "Bujën më të madhe e bëri rregullorja e GJKKO-së për mediat, duke reduktuar në mënyrë drastike prezencën e gazetarëve në seancat gjyqësore. Tani ky përshkallëzim bie ndesh me Konventën Europiane dhe pashmangshmërisht krijon precedentë që mund të kthejë kriminalizimin e fyerjes dhe shpifjes. Jemi tek rikthimi i veprës penale për çdo akt që nuk e miraton gjykata apo prokuroria, ne si gazetarë do të përballemi me gjykatën. Duket sikur burgun gazetarët e kanë tek porta. Vërej që organizatat tona po reagojnë individualisht. Kjo është e gabuar. Kush e ka autorësinë e këtij drafti? Pse nuk ka kurajo morale nga grupet e ekspertizës që të identifikohen? Kur shkohet në një draft të tillë, cilët janë grupet e interesit, seancat e konsulencës? Ne nuk jemi thirrur për të diskutuar amendime të tilla. Ky draft mund të shkaktojë ndikime negativiste të jashtëzakonshme. Duhet një rishqyrtim dhe riformulim i disa pikave", tha Çipa. "Këtu ka një risk të madh për gazetarët. Çdo reporter që mbulon gjyqësorin do të përballet me zinxhir padish dhe denoncimesh nga palët në proces. Si do raportosh ti si reporter? Burokracia e lejes është sabotim dhe pengim i procesit të raportimit", paralajmëroi ai. Çfarë parashikon drafti i ri i Kodit të Procedurës Penale? Drafti me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale u publikua nga Ministria e Drejtësisë në fund të shtatorit dhe është në konsultim publik deri më 28 tetor 2026. Paketa ndërhyn në 105 nene dhe parashikon një rol më aktiv të avokatit gjatë hetimit, përfshirë mundësinë për të siguruar prova, dokumente dhe ekspertiza, ndërsa për një sërë veprimesh të prokurorisë forcohet kontrolli i gjykatës. Ndryshimet prekin edhe median duke vendosur kufizime për publikimin e akteve dhe të dhënave të procedimit penal. Veç të tjerash, si në rastet e përcaktuara në nenin 103, thotë që gazetarët ose mediat që i kanë këto materiale në zotërim t'i drejtohen gjykatës për autorizim për publikimin e tyre. Shoqata e Prokurorëve ka ngritur shqetësimin se disa prej procedurave të reja mund të vështirësojnë dhe ngadalësojnë hetimet, ndërsa organizatat e gazetarëve kanë kundërshtuar kufizimet për publikimin e materialeve të dosjeve penale dhe kërkesën për autorizim paraprak nga gjykata. U.D/E.H/Shqiptarja.com TAG: aleksander çipa Eugen Beci Tirane kodi i procedures penale Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
30 Shtator, 16:02
Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale? Po 69.5% Jo 25.3% Jam i/e dyzyuar 5.2% Vota total: 2908 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 30 Shtator, 16:02 Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale?
