Një dosje e mbërritur nga Italia për aktivitetin e call centerave ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku nën hetim janë ish-deputeti socialist Artan Gaçi dhe biznesmeni Idlir Lopçi. Në fokus të hetimeve janë kompanitë RAKEHA dhe SUPREME, të cilat kanë ushtruar aktivitet në fushën e marketingut telefonik. Më 8 tetor 2026, Gaçi u paraqit në SPAK i shoqëruar nga avokati Gurali Braimllari, i cili konfirmoi se klienti i tij është nën hetim dhe se ka dhënë shpjegime, duke kërkuar gjithashtu të njihet me aktet e dosjes.
Sipas dokumenteve të regjistrimit, Artan Gaçi ishte ortak i kompanisë RAKEHA që prej themelimit të saj, më 21 shtator 2006, fillimisht me 30% të kuotave, ndërsa pjesa tjetër zotërohej nga Idlir Lopçi dhe Gent Agolli. Në janar 2007, kuotat u barazuan në 33,3% për secilin ortak. Në dokumentacion figuron edhe një marrëveshje e datës 14 korrik 2022, përmes së cilës Gaçi caktoi Festim Çelën si person të besuar dhe zotërues aktiv të kuotave të tij, ndërsa veten si zotërues pasiv.
Në hetime është përfshirë edhe kompania SUPREME, e themeluar në janar 2017 me objekt reklamimin, marketingun telefonik dhe shërbimet call center. Në korrik 2018, ortakët fillestarë Arjodita dhe Arsid Rraboshta ia shitën kuotat Idlir Lopçit për një shumë totale prej 25.500 eurosh, duke e bërë atë pronarin e vetëm dhe administratorin e shoqërisë. Vëmendje kanë tërhequr edhe të dhënat financiare të kompanisë, e cila deklaroi një xhiro prej rreth 3,5 milionë lekësh në vitin 2017, ndërsa në vitin 2018 kjo shifër u rrit në rreth 135,6 milionë lekë. Hetimet synojnë të zbardhin lidhjet dhe aktivitetin e kompanive në kuadër të dosjes së ardhur nga Italia.

