Lajme Zone
Dosja “ARUBA” rikthen në skenë Ervis Martinajn, zbardhen biseda nga SkyECC
PolitikëJOQ Albania

Dosja “ARUBA” rikthen në skenë Ervis Martinajn, zbardhen biseda nga SkyECC

Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër vite nga zhdukja e tij, emri i Ervis Martinajt, ish-bosit të lojërave të fatit, vijon të shfaqet në dosjet më të rëndësishme të autoriteteve shqiptare që lidhen me krimin e organizuar.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër vite nga zhdukja e tij, emri i Ervis Martinajt, ish-bosit të lojërave të fatit, vijon të shfaqet në dosjet më të rëndësishme të autoriteteve shqiptare që lidhen me krimin e organizuar.

Pothuajse në çdo hetim ku analizohen aktivitetet e grupeve kriminale apo transaksione të dyshimta financiare, emri i Martinajt del sërish në materialet hetimore. Së fundmi, sipas raportimeve në media ai përmendet edhe në dosjen e koduar "ARUBA".

Nga komunikimet e siguruara përmes platformës së enkriptuar SkyECC kanë dalë detaje të reja që lidhen me aktivitetin e tij. Në biseda përmendet përfshirja e Martinajt në atë që personat e përfshirë e cilësonin si "biznesi i betonit", aktivitet që sipas hetimeve lidhej me ndërtimin e kullave në Tiranë.

Këto komunikime tashmë janë pjesë e dosjeve hetimore dhe po shqyrtohen nga autoritetet në kuadër të procedimeve për krimin e organizuar dhe aktivitetet financiare të dyshuara.

Në një nga bisedat e zhvilluara në qershor të vitit 2020 mes personave që sot rezultojnë në kërkim, përmendet shprehja: "Qenka punë Vis Martini", duke iu referuar Ervis Martinajt.

Gjurmët e Martinajt humbën më 10 gusht 2022, pasi dyshohet se kishte udhëtuar drejt zonës së Shijakut. Që prej asaj dite ai rezulton i zhdukur, ndërsa familjarët kallëzuan rastin në Policinë e Lezhës.

Prokuroria regjistroi procedim penal për veprën "Rrëmbim ose mbajtje peng e personit", kryer në bashkëpunim. Megjithatë, pas muajsh hetimesh, çështja nuk solli rezultate konkrete, përveç disa kontrolleve të zhvilluara në banesat e Astrit Avdylit, Jasin Avdylit dhe Aldo Avdylit.

Grupi i Shijakut, ku përfshihet edhe Aldo Avdyli, është përmendur në hetime si një nga grupet që dyshohet se mund të ketë lidhje me zhdukjen e Martinajt. Drejtuesit e grupit janë marrë në pyetje nga Prokuroria, por kanë mohuar çdo përfshirje, duke deklaruar se në atë periudhë ndodheshin në "arrest shtëpie" dhe ishin nën monitorimin e Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, babai i Ervis Martinajt është paraqitur disa herë në SPAK, ku ka deklaruar publikisht se beson se djali i tij nuk jeton më. Ai u ka bërë thirrje institucioneve që të zbardhin ngjarjen, të gjejnë trupin e të birit dhe të vendosin drejtësi.

Sipas tij, në Prokurorinë e Kurbinit ka dorëzuar koordinata të sakta dhe emra konkretë personash që, sipas bindjes së tij, mund të kenë dijeni ose të jenë të përfshirë në zhdukjen e Ervis Martinajt. Megjithatë, ai pretendon se këto informacione nuk janë ndjekur me veprime konkrete hetimore dhe se çështja është lënë në harresë.

Babai i Martinajt ka ngritur gjithashtu akuza se drejtues të policisë kriminale ndër vite nuk kanë pasur interes për zbardhjen e ngjarjes. Ai thotë se të gjitha informacionet ia ka vënë në dispozicion edhe SPAK-ut, por që prej dorëzimit të tyre nuk ka marrë asnjë informacion për ecurinë e hetimeve.