Imazhet satelitore të motit të 10 shtatorit 2026 tregojnë renë e tymit nga zjarret që digjen përgjatë tubacionit Lindje-Perëndim të Arabisë Saudite. Goditja e tubacionit strategjik East-West, që i mundëson Arabisë Saudite të nxjerrë miliona fuçi naftë në ditë drejt Detit të Kuq duke shmangur Ngushticën e Hormuzit, ka tronditur tregjet dhe ka shtyrë naftën mbi 100 dollarë për fuçi, duke shtuar frikën për një valë të re krize financiare në mbarë botën... Lufta në Lindjen e Mesme po prek arteriet e ekonomisë botërore dhe faturat nuk do të paguhen vetëm atje ku bien raketat. Nafta mbi 100 dollarë, pasiguria në Hormuz, kërcënimi mbi Detin e Kuq dhe goditja e tubacionit strategjik saudit paralajmërojnë një valë të re krize. Europa do ta ndiejë dhe Shqipëria, me një ekonomi të varur fort nga importet, vështirë se mund t'i shpëtojë. Ditë të zeza po vijnë. Mund të tingëllojë si një paralajmërim i zymtë, ndoshta edhe i tepruar, por mjafton të shohësh se çfarë po ndodh me naftën dhe rrugët kryesore të furnizimit për të kuptuar se lufta në Lindjen e Mesme ka filluar të dalë nga kufijtë e saj. Flakët janë atje, mijëra kilometra larg nesh, ndërsa fatura mund të mbërrijë shumë shpejt në shtëpitë tona.
Goditja ndaj tubacionit East-West të Arabisë Saudite është një kambanë alarmi pikërisht për këtë arsye. Ky ishte korridori që i jepte Riadit mundësinë të nxirrte naftën drejt Detit të Kuq duke shmangur Ngushticën e Hormuzit, aty ku tensionet dhe rreziku për lundrimin janë rritur ndjeshëm. Përmes tubacionit po kalonin rreth 4-5 milionë fuçi në ditë. Tani është goditur edhe rruga e shpëtimit. Nga njëra anë Hormuzi, nga tjetra Deti i Kuq dhe Bab el-Mandebi; në mes ndodhet një pjesë e mirë e sigurisë energjetike mbi të cilën mbështetet ekonomia botërore.
Këtu fillon shqetësimi i vërtetë. Tregjet nuk presin që depozitat të boshatisen për të reaguar. Mjafton frika se furnizimi mund të ndërpritet dhe çmimi fillon të rritet. Nafta ka kaluar tashmë pragun e 100 dollarëve për fuçi dhe, nëse kriza zgjatet, nuk do të jetë vetëm shoferi ai që do ta shohë ndryshimin te tabela e pikës së karburantit. Nafta futet pothuajse në çdo hallkë të ekonomisë: te transporti i mallrave, bujqësia, industria, aviacioni, transporti detar, plastika, kimikatet, sigurimet dhe kostot e prodhimit. Kur shtrenjtohet lëvizja e mallrave, shtrenjtohet edhe malli.
Europa e njeh mirë këtë histori. Ende pa u shuar plotësisht kujtimi i valës së inflacionit që pasoi luftën në Ukrainë, energjia po shfaqet sërish si kërcënimi që mund t'i prishë llogaritë familjeve, bizneseve dhe bankave qendrore. BQE ka paralajmëruar se goditja nga Lindja e Mesme mund ta mbajë inflacionin mbi objektiv edhe gjatë pjesës së parë të vitit 2027. Kjo do të thotë jo vetëm çmime më të larta, por edhe më pak hapësirë për uljen e interesave, kredi më të shtrenjta dhe një ekonomi europiane që do ta ketë edhe më të vështirë të marrë frymë.
Edhe Shqipëria nuk është imune. Jemi një ekonomi e vogël, e varur nga importet dhe e lidhur ngushtë me tregun europian. Importojmë karburante, ushqime, lëndë të para e mallra të konsumit dhe paguajmë transport për pothuajse gjithçka që vjen nga jashtë. Nëse rritet kostoja e transportit dhe e energjisë, presioni kalon nga karburanti te raftet e ushqimeve. E kemi parë këtë zinxhir dhe nuk ka ndonjë arsye ekonomike që këtë herë të funksionojë ndryshe.
Më rëndë do ta ndiejnë familjet që sot mezi mbyllin muajin. Për dikë me të ardhura të larta, disa dhjetëra lekë më shumë për një litër karburant apo një faturë ushqimore më e shtrenjtë janë bezdi. Por për një pensionist, një familje me pagë të ulët apo një çift që paguan kredi, bëhen problem i përditshëm. Inflacioni është veçanërisht mizor me të varfrit, sepse ata shpenzojnë pjesën më të madhe të të ardhurave pikërisht për gjërat nga të cilat nuk mund të heqin dorë: ushqimin, energjinë, transportin dhe strehimin.
Askush nuk mund të thotë sot me siguri se na pret një katastrofë ekonomike. Një armëpushim, qetësimi i situatës në Hormuz, sigurimi i lundrimit në Detin e Kuq apo rikthimi i shpejtë në punë i infrastrukturës saudite mund ta ulin temperaturën e tregjeve. Paniku do të ishte po aq i gabuar sa shpërfillja. Ajo që nuk mund të bëjmë është të sillemi sikur lufta është larg dhe, për rrjedhojë, nuk na përket.
Bota e sotme e ka humbur luksin e distancës. Një dron që godet një tubacion në shkretëtirën saudite mund të ndikojë çmimin e naftës në Londër, faturën e transportit në Itali dhe, pas disa javësh, çmimin e ushqimeve në Tiranë. Një tanker që nuk kalon dot nga Hormuzi nuk është thjesht problem i pronarit të anijes; është një hallkë që mungon në një zinxhir ku varen miliona biznese dhe qindra milionë konsumatorë.
Kjo është arsyeja pse qeveria shqiptare duhet ta lexojë situatën përtej titujve të kronikës së jashtme. Nëse nafta qëndron mbi 100 dollarë dhe kriza zgjatet, duhen ditur që tani skenarët për karburantet, çmimet, shtresat në nevojë dhe bizneset më të ekspozuara. Nuk ka kuptim të zbulosh krizën kur qytetari e ka marrë faturën. Qeverisja serioze matet edhe me aftësinë për të dalluar stuhinë përpara se të fillojë shiu.
Prej disa vitesh po jetojmë nga një krizë në tjetrën: pandemia, lufta në Ukrainë, inflacioni, kriza energjetike, përplasjet tregtare dhe tani një Lindje e Mesme ku po vihen në rrezik rrugët nga kalon një pjesë jetike e energjisë së botës. Secila prej tyre ka lënë pas një faturë dhe ekonomia globale hyn në tronditjen e radhës më e lodhur, më e e sfilitur dhe me më pak mundësi manovrimi.
Prandaj ditët e zeza nuk janë një parashikim fatalist. Janë një mundësi që po bëhet gjithnjë e më e prekshme. Nëse lufta vazhdon të godasë naftën dhe rrugët nga ajo kalon, pasojat nuk do të ndalen në brigjet e Gjirit Persik. Luftërat e sotme mund të zhvillohen larg nesh, por faturat mbërrijnë në darkë në shtëpi. Dhe kur mbërrijnë, nuk pyesin nëse jeton në Riad, Romë apo Tiranë./Pamfletiditë të zeza po vijnë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Lëvizjet me pikatore dhe të vonuara të Edi Ramës në qeveri 11 Shtator 2026, 12:5112:51Editorial Shqipëria si plaçkë e mbijetesës së Edi Ramës 9 Shtator 2026, 14:3614:36Editorial Si t’ia shpëtojmë jetën Edi Ramës 8 Shtator 2026, 14:5014:50Editorial A jemi lodhur nga demokracia?! 7 Shtator 2026, 16:5816:58Editorial “Shqipëria i rri e vogël Edit tim” 6 Shtator 2026, 15:5115:51Editorial Sindroma e Stokholmit në Partinë Socialiste 5 Shtator 2026, 13:1813:18Editorial

